LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Thirrja për Paqe, Zëri i Martirëve”/ Mesazhet e forta të Mitropolitit të Korçës, Imzot Joan Pelushi në konferencën në Berlin

12 Shtator 2023, 14:59, Aktualitet CNA

“Thirrja për Paqe, Zëri i Martirëve”/ Mesazhet e

Mitropoliti i Korçës, Imzot Joan Pelushi, ka marrë pjesë në Konferencën e organizuar nga komuniteti i Sant’Egidios me temën “Thirrja për Paqen” në Berlin ku ka përcjellë mesazhe shumë të forta.

Në këtë konferencë morën pjesë gjithash presidenti dhe Kancelari i Gjermanisë, Ministri i Jashtëm i Italisë, si edhe shumë personalitete politike, kulturore dhe fetare.

Në fjalimin e tij Imzot Joan Pelushi është shprehur se nuk mund të jemi indiferentë ndaj vuajtjeve të të tjerëve, ndaj padrejtësive, luftërave dhe konflikteve dhe në të njëjtën kohë të jemi të krishterë.

Mitropoliti i Korçës ka nënvizuar se çdo i krishterë duhet të jetë martir i paqes, duke e dëshmuar atë përmes jetës dhe veprave të tij.

Imzot Joan Pelushi ka deklaruar se po jetojmë në një kohë kur paqja është në rrezik dhe Zoti u kërkon të krishterëve të jenë dëshmitarë martirë të paqes.

Mitropoliti i Korçës kujton gjithashtu përmes mesazhit të tij tejet të fuqishëm se, pavarësisht vuajtjeve, Zoti nuk do të na braktisë dhe do të na japë urtësi dhe kurajë për të ruajtur paqen dhe gëzimin e Jisu Krishtit, i cili e ka mposhtur botën e errësirës, urrejtjes dhe të keqes, nëpërmjet veprës së tij shpëtuese.

“Thirrja për Paqe, Zëri i Martirëve”/ Mesazhet e

Fjalimi i Mitropolitit të Korçës , Imzot Joan Pelushi në konferencën e Berlinit.  

Thirrja për Paqe: Zëri i Martirëve

Të jesh i krishterë do të thotë të jesh njeri i paqes dhe punëtor i saj Të gjithë Etërit e kishës deklaruan pa mëdyshje se të krishterët janë martirë (dëshmitarë) të paqes. Shën Nicholas Cabasilas thotë: Të krishterët, si dishepuj të Krishtit që i bëri të gjitha gjërat për paqen, duhet të jenë 'mjeshtrit e paqes. Të krishterët janë racë paqësore – vëren Shën Klementi i Aleksandrisë. Asgjë nuk është më karakteristike për një të krishterë sesa të jetë një punëtor për paqen - shkruan Shën Vasili.

Në fillim të Liturgjisë Hyjnore në Kishën Ortodokse, tre kërkesat e para të drejtuara nga Dhjaku ose Prifti, i referohen temës madhore të paqes:

1. Me paqe le t'i lutemi Zotit.

2. Për paqen që lartazi... le t'i lutemi Zotit.

3. Për paqen e tërë botës... le t'i lutemi Zotit.

Pas përsëritjes së kërkesës për paqe edhe 18 herë të tjera, deri në lutjen e fundit: Fali paqe botës sate, Liturgjia Hyjnore përfundon me thirrjen e Priftit: Me paqe le të shkojmë. Nga fillimi i Liturgjisë Hyjnore e deri në fund mbizotëron ideja e paqes.

Por të krishterët, jo vetëm që luten për paqen dhe besojnë se Zoti e ka caktuar botën të jetojë në drejtësi, paqe dhe unitet, por për shkak të besimit të tyre ata janë thirrur të jenë paqebërës aktivë. Ne jemi të stërvitur në paqe, jo në luftë - shkruan përsëri Shën Klementi i Aleksandrisë. Të krishterët nuk janë vetëm njerëz paqësorë, por janë edhe paqebërës. Vetë Zoti thotë: Lum paqebërësit, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë (Mat. 5:9).

Ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj vuajtjeve të të tjerëve, ndaj padrejtësive, luftërave dhe konflikteve dhe në të njëjtën kohë të jemi të krishterë. Çdo i krishterë duhet të jetë martir i paqes, duke e dëshmuar atë përmes jetës dhe veprave të tij. Shën Joan Gojarti thotë: Unë nuk besoj në shpëtimin e askujt që nuk shqetësohet për shpëtimin e tjetrit. Ai gjithashtu kritikoi udhëheqës fetar të kohës së tij duke thënë: Ka dy lloje udhëheqësish të krishterë: ata që thonë, 'famullia ime është universi im' dhe të tjerët që thonë, 'universi është famullia ime'." Natyrisht, ky shenjt i madh i Kishës kishte pikëpamjen e fundit. Ai predikoi diku tjetër: Udhëheqësi i Kishës duhet të kujdeset jo vetëm për kishën që i është besuar nga Fryma, por edhe për të gjithë Kishën që ekziston në mbarë botën.

“Thirrja për Paqe, Zëri i Martirëve”/ Mesazhet e

Paqebërësi i bekuar është ai që dëshmon për Krishtin, merr kryqin e tij dhe është gati të humbasë edhe jetën e tij për Zotin, sepse ai i beson fjalët e Tij: ai që dëshiron të shpëtojë jetën e tij, do ta humbasë atë; edhe ai që do të humbasë jetën e tij për shkakun tim, do ta gjejë atë. (Math. 16:25) Paqebërësi, i forcuar nga hiri i Frymës së Shenjtë, hyn në konfliktet njerëzore për të dëshmuar paqen e Krishtit, paqe që nuk është ashtu siç e jep bota (Jn.14:27). Paqja e Krishtit lind në zemrën e njeriut, pastaj derdhet jashtë, bëhet dashuri e përgjegjshme dhe krijuese dhe merr një dimension shoqëror. Vetëm ata që kanë gjetur paqen brenda vetes mund t'i pajtojnë të tjerët, sepse nëse nuk jemi në paqe me veten, nuk mund të jemi në paqe me të tjerët dhe nuk mund të jemi në paqe me veten nëse nuk jemi në paqe me Zotin. Shpirti deiform (i ngjashëm me Hyjninë) nuk mund të ushqejë urrejtje kundër një njeriu dhe përsëri të jetë në paqe me Zotin - thotë Shën Maksim Konfesori. Lufta për paqen nuk mund të ndahet nga lufta për drejtësi, sepse mbretëria e Perëndisë nuk është çështje e të ngrënit dhe pirjes, por e drejtësisë, e paqes dhe e gëzimit në Frymën e Shenjtë. (Rom. 14:17)

Paqja lidhet me dashurinë dhe shenjtërinë dhe paqebërësi i bekuar është ai që ka dashuri dhe sheh te çdo njeri, kushdo qoftë ai, ikonën e Perëndisë dhe në zemrën e tij nuk ka urrejtje dhe armiqësi. Nëse nuk e shohim ikonën e Perëndisë në çdo qenie njerëzore në këtë jetë, nuk do të shohim Fytyrën e Zotit në jetën e ardhshme, siç shkruan Shën Pali: Kërkoni paqen me të gjithë njerëzit dhe shenjtërinë, pa të cilën asnjë nuk do të shohë Zotin (Hebr. 12. 14).

Të jesh paqebërës nuk është mirë vetëm në nivelin etik, por është më tepër në nivelin ontologjik, po ashtu si të jesh i mirë. Duke mos qenë të mirë dhe paqësor, është vetë qenia jonë ajo që gjymtohet. Pa dyshim, ne nuk mund të arrijmë mirësinë dhe paqen e brendshme vetëm me forcat tona, nëse nuk forcohemi nga hiri i Perëndisë, gjë që ndodh vetëm kur jemi në kungim me Të dhe zbatojmë urdhërimet e Tij. Vetëm me fuqinë tonë, nuk është e mundur të marrim pjesë në paqen e Perëndisë, por me Të, të gjitha gjërat janë të mundshme. Paqja e Perëndisë është një dhuratë e Perëndisë dhe pjesë e hirit të Tij. Por fryti i Frymës është dashuri, gëzim, paqe, zemërgjerësi, ëmbëlsi, mirësi, besnikëri, butësi, vetëpërmbajtje; (Gal. 5:22-23). Paqja e Perëndisë, duke qenë një parashijim i Mbretërisë është si një mjekim kundër frikës dhe mbron mendjet dhe zemrat tona në kohë të trazuara dhe të paqëndrueshme. Shën Pavli shkruan: Edhe paqja e Perëndisë që kapërcen çdo mendje do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja me anë të Jisu Krishtit. (Fil. 4:7).

Paqebërësi i bekuar është gjithmonë një zë dhe dëshmitar (martir) i paqes. Ai nuk bën kompromis me të vërtetën e Zotit, por jeton, punon dhe thotë atë që thotë Zoti. Ne nuk duhet të predikojmë mendimet tona private, por Fjalën e Perëndisë dhe besimin që iu dha një herë shenjtorëve (Jd.1:3). Ne e kuptojmë se në kohë të ndryshme dhe njerëzve të ndryshëm do t'u predikojmë në forma të ndryshme, por gjithmonë duhet të ruhet identiteti i mesazhit të Ungjillit. Atë Florovsky shkruan: Ai që predikon duhet të jetë i sigurt se po predikon të njëjtin Ungjill që u dha dhe se nuk po paraqet në vend të tij ndonjë ‘ungjill të çuditshëm’ të tijin. Fjala e Perëndisë nuk mund të përshtatet lehtë, ose të përshtatet me zakonet dhe qëndrimet kalimtare të çdo epoke të caktuar, duke përfshirë kohën tonë. Fatkeqësisht, ne shpesh jemi të prirur ta masim Fjalën e Perëndisë me shtatin tonë, në vend që ta kontrollojmë mendjen tonë me shtatin e Krishtit. ‘Mendja moderne’ qëndron gjithashtu nën gjykimin e Fjalës së Perëndisë.

Në kohët tona, ku mbizotërojnë gënjeshtrat dhe gjysmë të vërtetat, ka një nevojë të dëshpëruar për rolin profetik të Kishës. Duhet ta mbajmë gjallë këtë frymë profetike, sepse nëse e humbim këtë rol do të humbasim edhe misionin e vërtetë të Kishës. Kisha duhet të thotë atë që thotë Zoti dhe pa asnjë dyshim Zoti po na thotë se vetëm paqja vjen nga Ai, jo lufta. Kushdo që nxit dhe justifikon luftën nuk vjen nga Zoti. Ne e dimë nga Shkrimi i Shenjtë se sa e kushtueshme ishte për profetët, po ashtu është edhe sot, fraza: kështu thotë Zoti. Të gjithë profetët u persekutuan dhe u vranë sepse thanë, kështu thotë Zoti. Shkrimi na thotë gjithashtu se kishte njerëz që profetizonin vetëm atë që mbreti ose njerëzit donin të dëgjonin. Këta ishin profetët e rremë. Këta ishin gënjeshtarë që pretendonin se flisnin për Zotin, por flisnin për interesat e tyre, duke mashtruar njerëzit. Profeti Jeremia i dënon profetët e rremë dhe priftërinjtë që vepruan në mënyrë të rreme me këto fjalë: Ata e mjekojnë shkel e shko plagën e popullit tim, duke thënë: Paqe, paqe", kur nuk ka paqe. A ju vinte turp kur kryenin gjëra të neveritshme? Jo! Nuk kishin turp fare dhe as nuk dinin se ç'ishte të skuqeshe. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t'i vizitoj, do të rrëzohen", thotë Zoti. (Jer.6:14-15).

Fatkeqësisht, shpesh sot roli profetik tradhtohet për arsye të ndryshme - nga frika, mungesa e dashurisë, besimi i vakët, interesat vetjake të grupeve të ndryshme, ose interesat politike dhe etnike - duke dashur lavdinë e njerëzve më tepër se lavdinë e Perëndisë (Jn.12:43). Ne do të jemi ose profetë të Perëndisë së Lartë, ose profetë të rremë. Nuk ka rrugë të mesme. Një besim i vakët nuk mund të shpëtojë. Duke mos u thënë të vërtetën të tjerëve, ne tregojmë se nuk i duam ata. Miku më i madh është ai që na shtyn drejt shpëtimit dhe jo ai që na thotë fjalë të ëmbla. Shpesh e vërteta nuk përkon me atë që pushtetarët e kësaj bote, ose njerëzit duan të dëgjojnë. Krishterimi nuk është për të kënaqur pushtetin e kësaj bote,ose për të argëtuar njerëzit, por për të thënë të vërtetën dhe për t'i shpëtuar ata. Roli profetik i kishës është të thotë atë që thotë Zoti.

Si përfundim, dua të them, se ne po jetojmë në një kohë kur paqja është në rrezik dhe Zoti u kërkon të krishterëve të jenë dëshmitarë (martirë) të paqes. Pavarësisht persekutimit dhe vuajtjes, Zoti nuk do të na braktisë dhe do të na japë urtësi dhe kurajë për të ruajtur paqen dhe gëzimin e Jisu Krishtit, i Cili e ka mposhtur botën e errësirës, urrejtjes dhe të keqes, nëpërmjet veprës së Tij shpëtuese. Jua thashë juve këto, që të keni paqe në mua. - na mëson Zoti ynë - Në botë do të keni shtrëngim; po kini zemër, unë e kam mundur botën (Jn. 16:33)./ CNA

Lajmet e fundit nga