web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Pres rezultatin e takimit"/ Berisha komenton vizitën e Dendias në Kryeministri

25 Maj 2026, 12:53, Aktualitet CNA

Kryetari i PD-së, Sali Berisha në konferencën për mediat ka komentuar vizitën e ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias në Kryeministri. Berisha u shpreh se vizita e çdo ministri grek është e mirëpritur.

Ai shtoi se Partia Demokratike mbështet marrëdhënien e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ndërsa foli për çështjen e detit me Greqinë, e cila është dhe fokusi i bisedave të Dendias me kryeministrin Edi Rama, Berisha u shpreh se është në pritje të rezultatit të këtij takimi.

"Ministri, ose çdo ministër i qeverisë greke, është i mirëpritur.  Ne jemi në mbështetje të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit me Republikën Helenike dhe vendet e tjera fqinj. Problemi me të cilin vjen, për të cilin duket se vjen zoti Dendias, është problemi i marrëveshjes së detit. Partia Demokratike ka dënuar me forcën më të madhe qëndrimin absolutisht të papërgjegjshëm të Edi Ramës dhe qeverisë së tij ndaj këtij problemi të rëndësishëm për marrëdhëniet midis dy vendeve tona.  E kam theksuar dhe e theksoj se Edi Rama, për llogari të palëve të treta, bëri gjithçka që të sabotonte marrëveshjen e arritur para vitit 2013 me palën greke. E kam theksuar dhe e theksoj se ajo ishte një marrëveshje ku të dy palët fitonin, ishte win-win marrëveshje.

Në vend se ta vazhdonte aty ku e lamë me palën greke, pasi e rrëzoi Gjykata Kushtetuese në mënyrë absolute në kundërshtim me interesin kombëtar të Shqipërisë, pala greke kërkoi rinegocim. Unë u thashë atyre që nuk bëj rinegocim më. Tani meqenëse Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se ligji ndërkombëtar prevalon mbi ligjin kombëtar, çka do të thotë vendimet e gjykatave ndërkombëtare prevalojnë mbi vendimet e gjykatave kombëtare, urdhëroni ta dërgojmë në Gjykatën e Hagës, Gjykatën e Detit.

Dhe e lamë që atë marrëveshje ta çonim në Gjykatën e Hagës. Avantazhi i Shqipërisë ishte se Greqia kishte negociuar marrëveshjen duke i njohur vetes 6 kilometra ujëra territoriale. Greqia në përputhje me Traktatin e Detit, mund t'i njihte vetes kur të donte 12 kilometra ujëra territoriale. Greqia firmosi marrëveshjen me Shqipërinë bazuar në atë ligj që kishte, në të cilin kishte shpallur vetes të drejtën për 6 kilometra ujëra territoriale. Ekspertë ndërkombëtarë, dhe unë e kam ekspertizën, kompani shumë serioze ndërkombëtare që shqyrtoi marrëveshjen pasi u rrëzua, shkruan: 'Kjo marrëveshje në qoftë se rimatet, rishqyrtohet, mund të dalë shumë e drejtë. Mund të pësojë ndonjë përmirësim. Por në rast se Greqia shpall 12 miljet, gjithçka përmbyset për Shqipërinë, kundër Shqipërisë.' Tani, autoritetet greke, duhet ta pranojmë këtu me një eksperiencë të jashtëzakonshme në problemet e kufijve detarë, sepse kanë nja 3000 kilometra, i kanë të pafund, thashë e pranuan që të shkojmë në kuadrin e marrëveshjes pa ndryshuar, pa rivendikuar 12 milje.

Kotzias që erdhi në Korçë për të sigluar, pa që kishte të bënte me një bandë të papërgjegjshme. Pasi e panë se s'do vihej firma, u kujtuan se ka një vendim gjykate, u kujtuan se ka President e të tjerë me radhë.  Dhe çfarë solli kjo? Çfarë solli, ta them unë ty.  Pala greke u largua nga Korça dhe pas nja dy muaj-tre muaj shpalli rivendikimin e 12 kilometrave në ujërat e veta territoriale.  Ja, ky është Edi Rama. Tani e pret Dendias, sepse ministri Dendias e ka cituar Edi Ramën për lidhje të paqarta, me një hallë, me një gjysha, me një teze, s'mbaj mend mirë tani, se s'kam pse hyj këtu, po e ka cituar, është e njohur.  Dhe tani unë pres rezultatin e takimit", tha Berisha. /CNA





Lajmet e fundit nga