web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pas lamtumirës, përcillet për në banesën e fundit aktori Birçe Hasko

24 Maj 2026, 13:06, Aktualitet CNA

Pas lamtumirës, përcillet për në banesën e fundit

Pas homazheve, pas nderimit të figurës së tij, pas dhënies së lamtumirës, trupi i pajetë i aktorit Birçe Hasko është përcjellë për në banesën e fundit.

Aktori do të prehet në vendlindje, në Dukat të Vlorës. Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Familjarë, kolegë të skenës, personalitete të artit dhe dashamirës të shumtë të tij i dhanë lamtumirën e fundit aktorit Birçe Hasko.

Kush ishte Birçe Hasko?

Hasko lindi në Dukat të Vlorës më 15 mars 1942. Pas mbarimit të shkollës së mesme punoi si mësues në Memaliaj, ku dhe u angazhua me trupën e Estradës amatore të qytetit. Në vitin 1965 studioi në degën e aktrimit në Institutin e Lartë të Arteve.

Pas diplomimit punoi si pedagog pranë këtij instituti, ku dha për disa dekada lëndën e ‘Mjeshtërisë së Aktorit’.  Për punën e tij akademike i është dhënë titulli “Profesor”.

Në teatër ka interpretuar mbi 12 role. Roli i tij më i realizuar është ai i Milos në komedinë “Shi në plazh” shkruar nga Teodor Laço.

Po ashtu, Hasko la gjurmë edhe në kinematografinë shqiptare, me interpretimin e dhjetëra roleve. Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971 në rolin e ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”.

Më tej do të vazhdonin rolet e tij në shumë filma si ai i Mete Jahos tek filmi “Radiostacioni” në vitin 1979, roli i Syrjait në filmin “Skëterrë 43” në vitin 1980, roli i mesuesit në filmin “Gurët e shtëpisë sime” në vitin 1985 si dhe shumë role në filma të tjerë për të mbërritur në rolin e tij të fundit në filmin "Kronikë Provinciale" në vitin 2009.

Në vitin 1976 iu dha urdhri “Naim Frashëri”, klasi i dytë, në vitin 1988 “Artist i Merituar” dhe në vitin 2002 mori titullin “Mjeshtër i Madh”./ CNA





Lajmet e fundit nga