web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Ditët e Hapura” në Shkollën Profesionale Teknike/ Rritet interesi i të rinjve për arsimin profesional

25 Maj 2026, 10:05, Aktualitet CNA

Në kuadër të “Ditëve të Hapura”, Shkolla Profesionale Teknike hapi dyert për nxënësit, prindërit dhe vizitorët, duke prezantuar nga afër punimet, projektet dhe aftësitë praktike të të rinjve që ndjekin arsimin profesional.

Në ambientet e shkollës u ekspozuan punime kreative dhe projekte të realizuara nga vetë nxënësit në fusha të ndryshme profesionale, duke tërhequr interesin e vizitorëve. Aktiviteti synoi të tregojë rëndësinë që ka arsimi profesional në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës, por edhe mundësitë konkrete që ai ofron për punësim dhe zhvillim profesional.

Drejtoresha e shkollës profesionale teknike, Anxhela Taho, u shpreh se vitet e fundit është rritur ndjeshëm interesi i nxënësve për arsimin profesional, falë përmirësimeve të vazhdueshme në shkollë dhe kërkesës gjithnjë e më të madhe të tregut të punës për specialistë të kualifikuar.

“Për fat të mirë, nga viti në vit ka një rritje të interesit nga nxënësit e klasave të nënta për shkollën profesionale teknike. Kjo lidhet kryesisht me faktin e përmirësimit të vazhdueshëm që ne sjellim në shkollën tonë, por edhe për vëmendjen e rikthyer tashmë drejt arsimit profesional. Arsimi profesional dhe drejtimet që ofron shkolla profesionale teknike, përsëri për fat të mirë, lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e tregut të punës në rajonin e Korçës, por jo vetëm. Janë të gjitha drejtime për të cilat sot ka mungesë të punonjësve të specializuar. Ajo që ne jemi duke bërë nga viti në vit është edhe forcimi i marrëdhënieve dhe përmirësimi i këtyre marrëdhënieve.”

Një nga risitë e prezantuara gjatë aktivitetit ishte edhe krijimi i një platforme të brendshme digjitale nga nxënësit dhe mësuesit e drejtimit TIK, e cila lidh shkollën me bizneset dhe ndihmon nxënësit për praktika profesionale dhe punësim.

Sipas drejtoreshës, platforma do të lehtësojë komunikimin mes shkollës, nxënësve dhe bizneseve, ndërsa do të shërbejë edhe për ndjekjen e progresit të të rinjve gjatë praktikave profesionale.

“Kuptohet qartë që një nga pikat e forta të shkollave profesionale është pikërisht praktika në biznes. Dhe sot që flasim, ne kemi një marrëdhënie shumë të fortë me biznesin. Por, për të lehtësuar komunikimin me ta, për të qenë më afër tyre, kemi mundur të realizojmë me nxënësit dhe mësuesit e drejtimit TIK një platformë të brendshme.

Një platformë ku do të mund të komunikojnë shkolla, nxënësit dhe bizneset me njëri-tjetrin. Nxënësit zgjedhin bizneset nëpërmjet platformës, bizneset zgjedhin nxënësit për praktika profesionale, por edhe për punësim, vetëm nëpërmjet kësaj platforme. Do të jetë shkolla që do të bëjë koordinimin e kësaj marrëveshjeje, ku do të kemi mundësi të mësojmë edhe karakteristikat e veçanta për nxënësit tanë në bazë të komenteve që mund të lërë biznesi. Por gjithashtu do të mësojmë edhe se çfarë ndodh realisht në biznes. Mentorët e biznesit përcjellin atë që kanë ndaj nxënësit, por edhe mënyrën se si do të shkojmë së bashku drejt punësimit të këtyre nxënësve.”

Edhe vetë nxënësit e shohin arsimin profesional si një mundësi konkrete për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Nxënësi Kevin Hysen tregon se ka zgjedhur drejtimin e TIK-ut për shkak të zhvillimit të teknologjisë dhe mundësive të shumta për punësim.

“Unë e kam zgjedhur sepse TIK-u është e ardhmja e botës. Të gjithë po drejtohen drejt informatikës, drejt teknologjisë. Po, mund të punësohem më shpejt sepse të gjithë po hapin dyqane, duan website për biznesin e tyre dhe të gjithë kanë një telefon që duhet ta rregullojnë, t’i vendosin gjëra. Pasi të mbaroj gjimnazin, dua të shkoj në universitet. Të mbaroj dhe universitetin e pastaj mund të punoj duke bërë ëebsite për biznese dhe duke rregulluar telefonat dhe kompjuterat.”

“Ditët e Hapura” në Shkollën Profesionale Teknike sollën një panoramë të qartë të mundësive që ofron arsimi profesional për të rinjtë, duke promovuar talentin, aftësitë praktike dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me tregun e punës./ CNA





Lajmet e fundit nga