web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“E Diela e Etërve të Sinodit të Parë Ekumenik”/ Kryepiskopi Joan: Besimi nuk negociohet, ai jetohet!

24 Maj 2026, 13:27, Aktualitet CNA

Në Katedralen "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë, ditën e diel, 24 maj 2026, u zhvillua Mesha Hyjnore kushtuar Etërve të Sinodit të Parë Ekumenik, nën drejtimin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij imzot Joanit, në bashkëmeshim me Episkopin e Amantias, Hirësinë e Tij, z. Ignat.

Në fjalën e Tij, Kryepiskopi Joan përcolli mesazhin mbi rëndësinë e ruajtjes së besimit të krishterë orthodhoks, duke u ndalur veçanërisht tek roli historik i Etërve të Sinodit të Parë Ekumenik, të mbledhur në Nikea në vitin 325.

Kryepiskopi theksoi se Kisha i përkujton Etërit e Sinodit pikërisht ndërmjet festës së Ngjitjes së Zotit në Qiell dhe Pentikostisë, sepse ata formuluan qartë besimin apostolik, pa krijuar një besim të ri.

“Ata nuk shpikën një doktrinë të re, por qartësuan atë që Krishti ua kishte zbuluar apostujve”, u shpreh ai.

Duke sjellë në vëmendje figurën e Ariosit, priftit nga Aleksandria që mohoi hyjninë e plotë të Krishtit, Kryepiskopi kujtoi rrezikun që herezia ariane solli për unitetin e Kishës dhe të vetë Perandorisë.

Ai përshkroi mënyrën se si Ariosi, përmes retorikës, krenarisë dhe manipulimit, arriti të përhapte doktrinën e tij në të gjithë Lindjen, madje edhe përmes këngëve popullore me përmbajtje teologjike.

Në këtë kontekst, ai vlerësoi rolin vendimtar të Sinodit të Parë Ekumenik, të thirrur nga Perandori Konstandini i Madh, ku 318 Etër të Shenjtë dënuan herezinë ariane dhe hodhën themelet e Simbolit të Besimit.

Kryepiskopi solli edhe shembujt e shenjtorëve të mëdhenj që morën pjesë në Sinod, si Shën Nikolla dhe Shën Spiridhoni, duke kujtuar mrekullinë e njohur të tullës së Shën Spiridhonit si simbol i misterit të Trinisë së Shenjtë.

Një pjesë e rëndësishme e predikimit iu kushtua rrezikut të krenarisë dhe përçarjes brenda Kishës. Kryepiskopi Joan nënvizoi se herezitë lindin jo vetëm nga gabimi doktrinar, por edhe nga egoizmi dhe ambicia personale.

“Kushdo që përçan trupin e Krishtit bën një mëkat jashtëzakonisht të madh”, tha ai, duke kujtuar fjalët e Shën Qiprianit se skizma është një plagë e rëndë për jetën e Kishës.

Ai theksoi se besimi i krishterë nuk është produkt i arsyes njerëzore apo i interpretimeve individuale, por një e vërtetë e zbuluar nga vetë Perëndia.

“Ne nuk vijmë nga njohja në besim, por nga besimi kalojmë në njohje”, citoi ai Shën Agustinin, duke nënvizuar se misteret hyjnore kuptohen përmes përvojës shpirtërore dhe hirit të Perëndisë.

Në vijim, Kryepiskopi ndaloi tek rëndësia shpëtimtare e doktrinës së drejtë mbi Krishtin. Sipas tij, nëse Krishti nuk do të ishte Perëndi i vërtetë dhe njeri i vërtetë, atëherë shpëtimi i njerëzimit nuk do të ishte i mundur.

“Besimi nuk është vetëm teori, por mënyrë jetese dhe rruga e shpëtimit”, deklaroi ai.

Duke iu referuar sfidave të kohëve moderne, Kryepiskopi paralajmëroi për tendencat e interpretimit subjektiv të Ungjillit dhe deformimit të mësimit të Kishës sipas dëshirave personale.

Ai kujtoi se “Ungjilli është fjala e Perëndisë dhe nuk ndryshon”, duke bërë thirrje për përulësi, bindje ndaj Kishës dhe jetë shpirtërore të thelluar.

Në fund të predikimit, Kryepiskopi Joan u ndal tek lutja e Krishtit në Ungjillin sipas Joanit, duke e cilësuar atë si një nga pjesët më prekëse të Shkrimit të Shenjtë. Ai i ftoi besimtarët ta lexojnë vazhdimisht këtë lutje, si burim force, ndriçimi dhe mbrojtjeje shpirtërore.

“Shpirti i Shenjtë nuk është larguar nga Kisha. Pavarësisht përpjekjeve për ta përçarë apo shtrembëruar atë, gjithmonë do të dalin njerëz që do ta mbrojnë të vërtetën”, përfundoi Kryepiskopi, duke bërë thirrje për urtësi, përulësi dhe besnikëri ndaj traditës së shenjtë të Kishës./ CNA





Lajmet e fundit nga