web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Potenciali i oenoturizmit, si vera shqiptare po “deh” të huajt

26 Tetor 2024, 17:29, Aktualitet CNA

Potenciali i oenoturizmit, si vera shqiptare po “deh” të huajt

Kantinat e verës kishin më shumë turistë, me interes të lartë për turet e degustimit, por mungesa e një ndërlidhjeje më të mirë me hallkat e tjera si bar-restorantet kufizon dukshëm rritjen e kësaj industrie. Përfaqësuesit e tyre mendojnë se duhet të nxitet konsumi drejt etiketave shqip. Shqipëria, nga ana tjetër, ka potencial të lartë në oenoturizëm (turizmi i verës), një segment që ka ndikim të lartë në ekonomitë lokale ku zhvillohet dhe që duhet të mbështetet përmes promovimit. Sa i takon prodhimit, viti 2024 cilësohet i mbarë për vreshtarinë, por sfidat për industrinë e verës janë bërë më të mëdha. Nga burimet njerëzore, te ngarkesa të reja fiskale në horizont, stoqe të krijuara ndër vite apo ndryshimet klimatike, të gjitha janë pesha të rënda për një sektor të brishtë.

Shqipëria po vijon të shijojë famën e saj të një destinacioni të ri turistik, ku vizitorët janë të etur të njohin gjithçka që e kanë parë të bëhet virale në rrjetet sociale.

Nga pikat e veçanta të turizmit të rërës dhe detit, te sitet historike e kulturore apo monumentet natyrore e kulinaria, të gjitha po bëjnë xhiron e rrjetit duke tërhequr pas vetes të tjerë kureshtarë, që shprehen se po planifikojnë një vizitë.

Viti 2024 do të jetë më i mirë se viti 2023 në aspektin e numrave të hyrjeve të shtetasve të huaj, por suksesi real i këtij viti, janë pranvera dhe vjeshta, ku shifrat janë dukshëm më të mira se në të njëjtat periudha në vitet paraardhëse. Deri në fund të shtatorit, hyrjet e të huajve shënuan 9.7 milionë, duke qenë shumë afër 10.5 milionëve që shënoi gjithë viti 2023.

Ecuria pozitive e sektorit të turizmit ka qenë viteve të fundit nxitësi më i madh i disa industrive mbështetëse të lidhura me të. Por si është reflektuar në fakt suksesi turistik i këtij viti tek një prej tyre, konkretisht kantinat e verës dhe a ka potencial vendi ynë, që të kanalizohet drejt një segmenti më të konsoliduar të atij që njihet si oenoturizmit (turizmi i verës)?

Potenciali i oenoturizmit, si vera shqiptare po “deh” të huajt

Kantinat, rritje të vizitorëve, por kërkojnë ndërlidhje më të mirë me restorantet

Kantinat raportojnë se gjatë këtij viti, numri i vizitorëve pranë ambienteve të tyre në ture degustimi ka shënuar rritje. Gjithsesi, shtrirja e një efekti më të madh në këtë sektor, do të arrihej vetëm nëse do të kishte një ndërlidhje më të mirë me restorantet, të cilët duhet të ofrojnë mes të tjerash edhe etiketat shqiptare të verës.

“Viti 2024 ka pasur rritje të kërkesës për verën tonë, jo vetëm nga konsumatori shqiptar por edhe nga turistët, që e kanë degustimin në kantinat shqiptare pjesë të listës së aktiviteteve të tyre. Përpos kësaj rritje, sfida jonë mbetet po e njëjta për sa i përket ndërgjegjësimit të konsumatorit për të blerë dhe për të konsumuar produkte shqiptare.

Gjithashtu, edukimi për të konsumuar shqip duhet të vijë në bashkëpunim edhe me sektorin restorator (restorantet) duke i dhënë përparësi një vere shqiptare në raport me një verë të importuar”, – shprehet Rigers Kaçorri, nga Kantina Arbëri.

Edhe Admir Pupa, nga Kantina Pupa”, pohon se 2024 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm me një frekuentim masiv nga turistë nga e gjithë bota por edhe vendasit.

Tërheqja e një kategorie turistësh që nuk shpenzojnë apo kërkojnë të jenë tepër ekonomikë në përzgjedhje, e ka bërë në tërësi sektorin e turizmit disi kaotik. Të paktën kështu mendon Flori Uka, nga Kantina Uka, i cili thotë se do të na duhet kohë të mësohemi me kulturën e shërbimit.

“Ka qenë një vit shumë i dobët për sektorin e restoracionit. Pavarësisht rritjes së numrit të turistëve krahasuar me 2023, këto numra nuk besoj se kanë sjellë rritje ekonomike në Shqipëri. Mendoj se këta turistë “low cost” (kosto të ulët) ose “cheap” (të lirë), thjesht kanë krijuar kaotizëm, madje duke ikur edhe të pakënaqur për shkak të keqmenaxhimit të turizmit në vend.

T’i shërbesh një turisti është një kulturë shumë e vjetër, që ne shqiptarët nuk e kemi kultivuar ende. Jemi në faza fillestare, ku gabime do këtë shumë dhe shpresoj që t’i bëhet mësim edhe shtetit, edhe bizneseve abuzuese” shprehet z.Uka.

Potenciali i oenoturizmit, si vera shqiptare po “deh” të huajt

Turizëm “low cost”

“Ka qenë një vit shumë i dobët për sektorin e restoracionit. Pavarësisht rritjes së numrit të turistëve krahasuar me 2023, këto numra nuk besoj se kanë sjellë rritje ekonomike në Shqipëri. Mendoj se këta turistë “low cost” (kosto të ulët) ose “cheap” (të lirë), thjesht kanë krijuar kaotizëm, madje duke ikur edhe të pakënaqur për shkak të keqmenaxhimit të turizmit në vend. T’i shërbesh një turisti është një kulturë shumë e vjetër, që ne shqiptarët nuk e kemi kultivuar ende. Jemi në faza fillestare, ku gabime do këtë shumë dhe shpresoj që t’i bëhet mësim edhe shtetit, edhe bizneseve abuzuese”

Potenciali i oenoturizmit në Shqipëri mbetet i lartë

Shikoni, rrotulloni, nuhasni, pini dhe shijoni. Këto duket se janë rregullat e arta sesi një gotë verë, shijohet nën petkun e një somelieri apo të dikujt që thjesht pëlqen pijen dhe eksperiencën. Me disa dhjetëra kantina anekënd vendit, Shqipëria paraqet një potencial të rëndësishëm në atë që njihet si oenoturizëm apo turizmi i verës.

Ky është ndoshta një nga segmentet më të njohur, por edhe më të pëlqyer në botë, jo vetëm prej eksperiencës që ofron, por sidomos për ndikimin lokal të tij.

Rajonet ku zhvillohet ky lloj turizmi shohin ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e tyre, e lidhur kjo me shifra turistësh në rritje, qarkullim më të lartë parash, punësim apo biznese të tjera mbështetëse (p.sh. zejtari). Serxhio Prelashi, enolog dhe somelier që prej vitesh jeton në Lion të Francës, ku edhe është i angazhuar në sektorin e verës, shprehet se në vendin tonë prodhohet verë cilësore, e cila mund të nxisë turizmin.

“Potenciali ynë është i madh sepse kemi prodhimin bazë që është i mirë: rrushin. Disa kantina prodhojnë vërtet verë të një niveli të lartë. Kjo po pëlqehet shumë e më shumë nga turistët që po kërkojnë tashmë dhe guida oenoturistike për Shqipërinë”, shprehet ai. Sigurisht që kjo do të dojë kohë që të maturohet si segment turistik por ajo çfarë duhet në bazë, Shqipëria e ka.

Hapi i radhës që duhet të ndërmerret është promovimi më i gjerë që të njihemi si një destinacion që prodhon verë pasi është një fakt, që thuajse nuk dihet.

Ai referon pjesëmarrjen në evente të ngjashme ndërkombëtare siç ishte edhe më i fundit, Kampionati i Degustimit Botëror të Verës ku Shqipëria mori pjesë për herë të parë, si një formë që mund të na promovojnë më shumë.

“Në nivelin profesionist të verërave, meqë dhe unë merrem prej shumë vitesh me verën, kur mësojnë që jam shqiptar, pyetja e parë që më bëjnë është: A ka verë në Shqipëri? Vjet në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Château Sainte Roseline në Francë u mësua nga shumë shtete që ne prodhojmë verë.

Dhe në literaturën franceze të verërave, vendi ynë fatkeqësisht nuk përmendet kurrë. Por evente si ky i fundit, me pjesëmarrje botërore, na ndihmojmë që Shqipëria të njihet më mirë edhe në këtë aspekt”, – nënvizon z. Prelashi.

Potenciali i oenoturizmit, si vera shqiptare po “deh” të huajt

Prodhimi i rrushit në vitin 2024, mjaft i mirë, por sektori përballet me sfida

Viti 2024 ka rezultuar i mbarë për kantinat për prodhimin të rrushit, por sfidat me të cilat përballen ato janë nga më të ndryshimet.

“Ka qenë një vit i mirë për vreshtarinë. Ne si kantinë kemi bashkëpunuar me rreth 250 familje, të cilave u blejmë rrushin. Familje që shtrihen në të gjithë hartën e Shqipërisë.

Objektivi ynë ka qenë gjithmonë të rritet sa më shumë numri i këtyre familjeve rurale, por në fakt ka ndodhur e kundërta. Çdo vit po ulim sasitë e rrushit që po marrim. Kjo ka ndodhur për shumë arsye, por kryesorja është gjendja e verës stok. Tregu vendas nuk është premtues për verën shqiptare” shprehet z. Uka.

Edhe për Admir Pupën dhe Rigers Kaçorrin, nxitja e konsumit në vend është një nga sfidat kryesore në mënyrë që konsumatori të edukohet drejt etiketave shqiptare të verës dhe produkteve shqiptare në tërësi.

“Sfidat e sektorit të verës janë politika që në çdo restorantet të jetë e pranishme vera shqiptare, se një turist kur vjen në Shqipëri do verë autoktone dhe jo verë importi që vjen në Shqipëri” tha z.Pupa.

Burimet njerëzore dhe politikat e pakonsultuara apo që nuk nxisin prodhimin vendas mund të kthehen në sfida të radhës, nëse ndodh ashtu siç po flitet sipas z. Kaçorri.

“Një sfidë tjetër që prek Bujqësinë në tërësi është mungesa e Burimeve Njerëzore. Duket sikur brezat e rinj nuk kanë interes për këtë sektor dhe kjo shton vështirësitë për ne si Kantinë të gjejmë staf të kualifikuar dhe që sjell kapacitete të reja.

Së fundmi po flitet për një tjetër sfidë, por që ende nuk është zyrtare, unifikimi i akcizës dhe rritja e saj nga 40 lekë për litër në 120 – 150 lekë për litër. Kjo rritje do të ishte një goditje e madhe dhe do të sillte falimentimin e shumë prodhuesve shqiptarë të kësaj industrie” shprehet ai./ Monitor.al

Potenciali i oenoturizmit, si vera shqiptare po “deh” të huajt





Lajmet e fundit nga