web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga trajtimi i mbetjeve te shëndetësia dhe arsimi/ Kreu i KLSH: Janë kryer 15 auditime në fusha me ndjeshmëri publike

29 Tetor 2025, 10:14, Aktualitet CNA

Nga trajtimi i mbetjeve te shëndetësia dhe arsimi/ Kreu i KLSH:

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, po raporton për veprimtarinë vjetore të vitit 2024 në Komisionin e Ekonomisë dhe Komisionit për Nismat Qytetare.

Shehu është shprehur se gjatë vitit 2024, KLSH ka kryer 15 auditime në fusha me ndjeshmëri publike si: shëndetësia, arsimi, kultura, barazia gjinore, mjedisi, dhe shërbimet publike.

Sa i përket shëndetësisë, ai bëri me dije se auditimet zbuluan problematika në menaxhimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore. Shehu ka treguar gjatë fjalës së tij edhe problematikat e evidentuara në fushën e fushën e prokurimeve.

"Në sektorin e shëndetësisë, auditimet zbuluan problematika në menaxhimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore. Në spitalet si: QSUNT dhe Spitali i Traumës, mungesa e inxhinierëve bio - mjekësorë ka krijuar varësi nga shërbimet e jashtme për mirëmbajtjen dhe riparimin e pajisjeve. Kjo, jo vetëm ka sjellë kosto të rritura, por gjithashtu ka krijuar pasiguri në menaxhimin e burimeve. Për më tepër, strategjitë kombëtare për shpërndarjen e këtyre pajisjeve nuk pasqyrojnë realitetin demografik dhe nevojat e popullatës, duke rezultuar në shpërndarje joefikase dhe mosplotësim të kërkesave shëndetësore. Një tjetër çështje kritike është përkujdesja për pacientët me probleme të shëndetit mendor në shërbimin spitalor të specializuar. Auditimi evidentoi mungesën e një qasjeje duke sjellë pagesat përkatëse.

Auditimet e realizuara gjatë vitit 2024 konstatuan problematika në fushën e prokurimeve, të përhapura në institucione të administratës qendrore dhe vendore, universitete, spitale dhe ndërmarrje publike. Ato lidhen kryesisht me planifikimin joefektiv të prokurimeve, kufizimin e konkurrencës, parregullsitë në hartimin dhe zbatimin e kontratave, si dhe me mungesën e kontrollit të brendshëm. Në bashkitë e audituara, planet vjetore të prokurimit shpesh nuk ishin të harmonizuara me buxhetet apo nevojat reale. Në disa raste, kriteret e kualifikimit janë vendosur në mënyrë të tillë që kufizonin garën, ndërsa në të tjera mungonte dokumentacioni mbështetës për vlerësimin dhe përzgjedhjen e operatorëve. Gjithashtu janë konstatuar procedura me vetëm një operator konkurrues, dokumente të tenderit me kritere të pajustifikuara ose të njëanshme, si dhe përcaktim i paargumentuar i fondit limit. Në disa raste, është përdorur prokurimi për shërbime që mbuloheshin nga kontrata ekzistuese, duke çuar në dublim të kostove. Ndërkohë janë konstatuar vonesa në zbatimin e kontratave, mungesë aplikimi penalitetesh, pagesa për punime të pakryera apo të realizuara në mënyrë të paplotë. Struktura e mbikëqyrjes teknike dhe e administrimit të kontratave shpesh mungon ose nuk funksionon siç duhet. Gjithashtu u identifikuan problematika në administrimin e burimeve njerëzore në institucione të ndryshme publike. Një nga gjetjet më të përsëritura lidhej me largimet e padrejta nga puna dhe mungesën e dokumentacionit mbështetës për vendimmarrjet përkatëse. Janë evidentuar raste kur largimi nga puna është bërë në kundërshtim me Kodin e Punës dhe ligjet specifike të shërbimit civil, pa një proces të rregullt disiplinor apo pa dhënë mundësi për ankimim. Këto praktika kanë sjellë kosto shtesë në buxhetin e shtetit, për vendimet e gjyqfituesve gjithëpërfshirëse për trajtimin e tyre, ndërkohë që spitalet psikiatrike përballen me mungesa serioze në kapacitetet e akomodimit dhe shërbimeve. Spitali Psikiatrik në Elbasan dhe ai në Vlorë vijojnë të përballen me sfida në trajtimin e pacientëve kronikë, ndërsa bashkëpunimi i pamjaftueshëm midis MSHMS dhe Ministrisë së Drejtësisë, ka penguar krijimin e institucioneve të specializuara", tha Shehu. 

Ndërkohë për fushën e mjedisit, kreu i KLSH-së tha se janë identifikuar problematika serioze në trajtimin dhe eliminimin e mbetjeve urbane dhe spitalore.

Ai njoftoi se katër bashkitë e audituara, sidomos Durrësi dhe Vlora nuk kanë arritur të zbatojnë një menaxhim të integruar të mbetjeve, duke i lënë ato të depozitohen në kushte të papërshtatshme që rrezikojnë shëndetin e popullatës.

"Në fushën e mjedisit, auditimet e kryera identifikuan problematika serioze në trajtimin dhe eliminimin e mbetjeve urbane dhe spitalore. Katër bashkitë e audituara, në veçanti Durrësi dhe Vlora, nuk kanë arritur të zbatojnë një menaxhim të integruar të mbetjeve, duke i lënë ato të depozitohen në kushte të papërshtatshme që rrezikojnë shëndetin e popullatës dhe ndotin mjedisin. Një situatë veçanërisht alarmante është ajo e mbetjeve që digjen në hapësira të hapura, ku çlirimi i substancave të rrezikshme paraqet një kërcënim të madh për mjedisin dhe komunitetin lokal. Në lidhje me mbetjet spitalore, spitalet rajonale në Shkodër, Durrës, Vlorë dhe Korçë kanë treguar mangësi serioze në dokumentacion dhe infrastrukturë për trajtimin dhe magazinimin e mbetjeve të rrezikshme.

Ndryshimet klimatike janë një tjetër sfidë e madhe për Shqipërinë, ku angazhimi i përgjithshëm mbetet i kufizuar. Plani Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike, i hartuar në bashkëpunim me UNDP në vitin 2023, është ende i pamiratuar dhe nuk ka fuqi ligjore për zbatim.

Në fushën sociale dhe të barazisë gjinore, auditimet zbuluan problematika në procesin e birësimeve dhe fuqizimin e grave në zonat rurale. Procedurat ligjore të birësimeve janë shpesh të ndërlikuara, me kufizime të forta që nuk garantojnë gjithmonë interesin më të lartë të fëmijës. Mungesa e një kornize të harmonizuar ligjore dhe administrative për birësimet, ka krijuar vonesa të konsiderueshme dhe komplikime që ndonjëherë pengojnë adoptuesit potencialë. Barazia gjinore, veçanërisht në zonat rurale, është gjithashtu një sfidë kritike që kërkon vëmendje të posaçme. Gratë në këto zona vazhdojnë të përballen me kufizime në aksesin ndaj burimeve dhe shërbimeve që janë thelbësore për zhvillimin e tyre personal dhe profesional. Mungesa e transportit publik, çerdheve dhe kopshteve, ndikon negativisht në mundësitë e tyre për punësim dhe përfshirje në tregun e punës, duke krijuar pengesa për rritjen ekonomike dhe sociale të tyre", u shpreh ai. 

Për sa i përket fushës së arsimit dhe kulturës,  në lidhje me Fondin e Ekselencës për studentët, kreu i KLSH tha se auditimi zbuloi mbivendosje të përgjegjësive ndërmjet institucioneve që menaxhojnë fondin, duke rezultuar në mungesë koordinimi dhe transparence.

"Në fushën e arsimit dhe kulturës, në lidhje me Fondin e Ekselencës për studentët, auditimi zbuloi mbivendosje të përgjegjësive ndërmjet institucioneve që menaxhojnë fondin, duke rezultuar në mungesë koordinimi dhe transparence. Orientimi në karrierë për të rinjtë në sistemin arsimor parauniversitar është një tjetër aspekt ku mungesa e mekanizmave të qëndrueshëm e ka bërë procesin joefikas. Auditimi evidentoi që shumë të rinj nuk marrin mbështetjen e duhur për të identifikuar dhe zhvilluar potencialin e tyre. Sa i takon kulturës, nga auditimi rezultoi se, pasuritë kulturore shqiptare të listuara në UNESCO, si Berati dhe Gjirokastra, përballen me sfida serioze në ruajtjen dhe administrimin e tyre. Mungesa e planeve menaxhuese të miratuara dhe e fondeve të dedikuara, ka kufizuar ndërhyrjet për mirëmbajtje dhe restaurim, duke rrezikuar jo vetëm gjendjen e tyre fizike, por edhe statusin si pjesë e trashëgimisë botërore.

Në fushën e menaxhimit të hapësirave publike, plazhet publike përbëjnë një aset të rëndësishëm për qytetarët, por auditimet evidentuan mangësi të theksuara në përmbushjen e standardeve të sigurisë dhe cilësisë. Në shumë raste, strukturat e plazheve publike janë të paorganizuara dhe nuk përmbushin kriteret minimale për akses dhe komoditet. Për më tepër, rritja e sipërfaqeve të kontraktuara të plazheve, nuk ka qenë e lidhur në mënyrë proporcionale me të ardhurat e mbledhura nga tarifat përkatëse. Ky disproporcion ka rezultuar në mungesën e investimeve të qëndrueshme për përmirësimin e këtyre hapësirave, duke kufizuar aksesin e qytetarëve në zona cilësore për rekreacion dhe pushim. Mungesa e ndërhyrjeve strategjike dhe investimeve në infrastrukturë ka ndikuar negativisht në vlerën dhe funksionalitetin e këtyre hapësirave, duke treguar nevojën për një qasje më të koordinuar dhe transparente. Në tërësi, auditimet e performancës për vitin 2024 kanë evidentuar se orientimi i institucioneve publike drejt rezultateve dhe mungesa e matjes së ndikimit, nuk janë konsoliduar mjaftueshëm si qasje menaxhimi. Moskoordinimi ndërinstitucional, përdorimi joefikas i burimeve dhe dobësitë në planifikim e monitorim, flasin për mungesë eficience dhe efektiviteti të programeve / politikave / strategjive, duke cenuar cilësinë e shërbimeve publike dhe besimin e qytetarëve tek veprimtaria e institucioneve publike", tha Shehu. /CNA





Lajmet e fundit nga