web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Mirëqenia gjyqësore"/ Engert Pëllumbi: Ndërgjegjësimi demokratik i një shteti tregohet te mënyra si i trajton gjyqtarët

17 Korrik 2026, 11:52, Aktualitet CNA

"Mirëqenia gjyqësore"/ Engert Pëllumbi:

Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Engert Pëllumbi ka mbajtur fjalën e tij në aktivitetin me temë “Mirëqenia gjyqësore”, ku i pranishëm ka qenë dhe ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Reinout Vos.

Pëllumbi u shpreh se mirëqenia e gjyqtarëve është shumë pak e trajtuar por një ndër temat më të rendësishme.

Sipas tij një person nuk mund të jetë kurrë gjyqtar i mirë nëse nuk arrin të drejtë në jetën e tij ndërmjet punës dhe familjes e ndërmjet shërbimit ndaj të tjerëve dhe kujdesit për veten.

Gjyqtari thekson se ndërgjegjësimi demokratik i një shteti tregohet kryesisht në mënyrën se si ai i trajton gjyqtarët e tij. Ndër të tjera është shprehur se gjyqtarët duhet ta trajtojnë me dinjitet detyrën e tyre dhe duhet të kërkojnë të trajtohen me dinjitet.

Pëllumbi shton më tej se gjyqtarët duhet të ofrojnë besim dhe të presin respekt nga njerëzit, të japin kontribut në konsolidimin e themeleve të shtetit të së drejtës dhe të marrin trajtimin e merituar nga degët e tjera të pushtetit.

Fjala e plotë:

Jemi mbledhur sot për të folur për një ndër temat ndoshta më të rëndësishme, por më pak të trajtuara për ne gjyqtarët, mirëqenia jonë.

Shoqëritë ku jetojmë presin shumë nga ne. Gjyqtarët perceptohen si individë që duhet të japin më të mirën nga vetja, si shembulli i vetëmohimit dhe shpirtit të sakrificës, si njerëz që janë të zhveshur nga çdo pasion dhe dëshirë tokësore dhe që jetojnë të ngujuar në ndjenjën e detyrës. Megjithatë, e vërteta është ndryshe. Ne jemi pjesë e kësaj shoqërie. Pavarësisht kufizimeve të profesionit, ne kemi një jetë private, familjare dhe shoqërore. Një individ nuk mund të jetë kurrë një gjyqtar i mirë nëse nuk arrin të vendosë ekuilibra të drejtë në jetën e tij ndërmjet punës dhe familjes, ndërmjet pasionit për profesionin dhe jetës në komunitet, ndërmjet shërbimit ndaj të tjerëve dhe kujdesit për veten. Prishja e këtyre ekuilibrave nuk do të sillte veçse kaos në jetën e gjithë secilit prej nesh.

Niveli i ndërgjegjësimit demokratik të një shteti tregohet më së pari në mënyrën se si ai i trajton gjyqtarët e tij. Lidhur me këtë çështje, më tepër se njëqind vite më parë, shqiptari i madh Faik Konica do të thoshte:

“Në Shqipëri do të ketë popullaritet vetëm ajo qeveri që do t’i japë vendit atë që i mungon: një administratë të matur, aktive dhe të shkathët, që sillet me respekt dhe jo me dhunë ndaj qytetarëve, sepse pas drejtësisë, populli shqiptar nuk vlerëson asgjë tjetër përveç mënyrave të buta të sjelljes.

Gabimi më i madh që bëjnë disa qeveritarë është kur mendojnë se brutaliteti tregon energji, ofendimi tregon forcë. Përkundrazi, këto janë shenja të dobësisë.

Një rëndësi e veçantë u duhet kushtuar gjykatave. Atje ku do të emërohen gjyqtarë vërtet të ndershëm, të paanshëm dhe të zotë, qeveria do të fitojë menjëherë zemrat e popullit. Për gjyqtarë të tillë, asnjë rrogë nuk do të ishte tepër e madhe, asnjë shpenzim nuk do të ishte i kotë.”

Këto fjalë të urta tingëllojnë ende shumë aktuale. Një shtet dhe një shoqëri që kërkon konsolidimin dhe përparimin do të korrte veç dështim nëse nuk do të tregonte kujdesin e duhur dhe nuk do t’i jepte vendin e posaçëm pushtetit gjyqësor. Demokracia përfaqësuese do të kthehej ose në autokraci ose në anarki pa pushtetin gjyqësor. Kjo mishërohet mjaft qartë në fjalët e John Marshall, Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fillim shekullin XIX, njeriut që e formësoi këtë gjykatë si një degë pushteti të barabartë me degët e tjera të tij, të cilat po i citoj si vijon: “Midis një republike të balancuar dhe një demokracie, ndryshimi është si ai midis rregullit dhe kaosit.”

Rëndësia e pushtetit gjyqësor është kuptuar qysh herët nga etërit themelues të kombeve të mëdha. Fuqia që i duhet dhënë kësaj dege të pushtetit, me qëllim stabilizimin e marrëdhënieve ndërshoqërore dhe ndërshtetërore, buron pikërisht nga dobësia që ajo vetvetiu ka në skemën e qeverisjes. Gjyqësori nuk mund të veprojë me iniciativë, ai nuk mund të marrë kahje, nuk mund të kërkojë aleanca. Arma e tij e vetme është zbatimi me rigorozitet i parimeve kushtetuese mbi të cilat është ngritur struktura institucionale. Në letrën nr. 78, të Letrave të Federalistit, Aleksandër Hamilton e përshkruan pushtetin gjyqësor si degën më pak të rrezikshme të qeverisë, sepse ajo nuk ka kontroll as mbi “shpatën” dhe as mbi “qesen”. Ai theksoi se gjyqësori ka vetëm gjykimin dhe se pavarësia e tij është jetike për të mbrojtur Kushtetutën nga shkeljet e degëve të tjera.

Por çfarë mund të bëjnë gjyqtarët në këtë drejtim? Ata duhet ta trajtojnë me dinjitet detyrën e tyre dhe duhet të kërkojnë të trajtohen me dinjitet. Roli dhe figura që një gjyqtar duhet të shpërfaqë në ambientin ku ai jeton dhe punon nuk përfundon me orarin zyrtar apo me kufijtë e vendit të tij të punës. Ai është përçues i imazhit të shtetit në shoqëri gjatë të gjithë jetës së tij, ndaj duhet të rrezatojë skrupulozitet ndaj misionit që ka marrë përsipër. Kjo është thënë mjaft qartë dhe ndjerë në fjalët e gjyqtarit martir Rosario Livatino:  

“Gjyqtari, përveç se të jetë, duhet edhe të shfaqet i pavarur, çka do të thotë se pranë problemit të thelbit, që sigurisht është primar, qëndron edhe një tjetër që në mënyrë të pamohueshme ka të bëjë me formën. Pavarësia e gjyqtarit, në fakt, nuk qëndron vetëm në ndërgjegjen e tij, në pacënueshmërinë e bindjes së brendshme, në besnikërinë ndaj parimeve, në aftësinë për të sakrifikuar, në njohuritë teknike, në eksperiencën e tij, në qartësinë dhe rrjedhshmërinë e vendimeve, por edhe në moralin e vet, në transparencën e sjelljes edhe jashtë mureve të zyrës, në normalitetin e raporteve të tij dhe shfaqjes së tyre në jetën shoqërore, në zgjedhjen e shoqërisë, në refuzimin e ndërmarrjes së iniciativave dhe veprimtarive që, edhe pse të lejuara, janë të rrezikshme për të, në refuzimin ndaj çdo dëshire për detyra dhe poste, sidomos në sektorë, që për nga natyra dhe pasojat që sjellin, mund të mbijnë farën e infektimit dhe rrezikun e ndërhyrjes. Pavarësia e gjyqtarit, në fund të fundit, qëndron në besueshmërinë e tij, të cilën ai arrin ta skalisë me mundin e vendimeve të veta dhe në çdo moment të veprimtarisë gjyqësore.

Prandaj, në mënyrë të pashmangshme, duhet refuzuar pohimi sipas të cilit, sapo ta ketë kryer me ndërgjegje dhe korrektësi veprimtarinë profesionale, gjyqtari nuk ka detyrime të tjera për të përmbushur në raport me shoqërinë dhe shtetin dhe që gjyqtari, ashtu si çdo qytetar, mund të bëjë me jetën e vet private çfarë të dojë. Një tezë e tillë është tërësisht e pabazuar.

Në këto kushte, duhet bërë një dallim tjetër mes asaj që i përket jetës së tij ngushtësisht private dhe personale me atë që ka të bëjë me jetën sociale dhe raportet që krijon me ambientin shoqëror në të cilin ai jeton. Këtu është e rëndësishme që ai të ofrojë nga vetvetja jo imazhin e një njeriu të rreptë, të ashpër, të ndrydhur nga roli dhe autoriteti që ka, ose me një standard moral të paarritshëm, por të një njeriu serioz, të ekuilibruar, të përgjegjshëm dhe gjithashtu të një njeriu të kuptueshëm e human, i aftë për të dënuar por edhe për të mirëkuptuar. Vetëm nëse gjyqtari arrin të përmbushë këto kritere, shoqëria mund të pranojë që ai të ketë mbi të tjerët një pushtet kaq të madh sa ka. Kush kërkon drejtësi duhet t’i ofrohet mundësia të besojë që fjalët e tij do të dëgjohen me vëmendje dhe seriozitet, që gjyqtari do t’i mirëpresë dhe pranojë ato sikur të jenë të tijat dhe do t’i mbrojë përpara çdokujt.”

Thënë sa më sipër, ne duhet të ofrojmë besim dhe të presim respekt nga njerëzit, të japim kontribut në konsolidimin e themeleve të shtetit të së drejtës dhe të marrim trajtimin e merituar nga degët e tjera të pushtetit, të frymëzojmë ideale dhe të vendosemi në piedestalin moral.

Kur Benjamin Franklin doli jashtë ndërtesës ku ndodhej “Salla e Pavarësisë” (Independence Hall), në Filadelfia, në mbyllje të Konventës Kushtetuese të vitit 1787, një zonjë e quajtur Elizabeth Ëilling Poëel e pyeti: “Dr. Franklin, çfarë kemi, një republikë apo një monarki?” dhe ai u përgjigj menjëherë: “Një republikë, nëse i dilni dot për Zot” (A republic, if you can keep it). Ne, gjyqtarët e Shqipërisë duhet t’i dalim për Zot republikës sonë dhe të kërkojmë vendin e merituar në të. /CNA





Lajmet e fundit nga