web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Komisioni i Sigurisë bën lëvizjet e para/ Si u "shitën" informacionet shtetërore si sulm i "MEMEX"

9 Tetor 2022, 14:42, Aktualitet CNA

Komisioni i Sigurisë bën lëvizjet e para/ Si u

Shqipëria kohëve të fundit është shndërruar në një “viktimë” të sulmeve kibernetike të cilat kanë shqetësuar opinionin publik, por në anën tjetër kanë zgjuar një kambanë alarmi edhe për qeverinë shqiptare.

Kanë qenë hakerat iranianë ata të cilët, thyen sigurinë e sistemeve tona, duke fituar akses në të dhënat e qindra qytetarëve shqiptarë, e më pas pa hezitim i kanë publikuar ato.

Fillimisht ishte sistemi TIMS, ai që u bllokua duke shkaktuar kaos në portet dhe doganat e vendit, dhe më pas në media qarkulloi lajmi se edhe sistemi "MEMEX" është sulmuar, pavarësisht se autoritetet dhe policia dhe qeveria kanë deklaruar të kundërtën, duke shprehur se ky sistem nuk është prekur dhe se dosjet që kanë qarkulluar nuk i përkasin këtij sistemi.

Pas këtyre sulmeve krahas prononcimit të Policisë së Shtetit dhe fjalës së ministrave të qeverisë, të cilët qetësuan qytetarët, CNA.al ka intervistuar edhe anëtarët e Komisionit të Sigurisë si dhe kryetarin Nasip Naço, të cilët kanë deklaruar se sistemi i mbrojtjes nuk është prekur, por nga ana tjetër nuk ka ende veprim konkret nga ana e Komisionit përveç dëgjesave publike që kanë bërë me titullarët e institucioneve përgjegjës, dhe thirrjes së Drejtorit të SHISH, Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë, Drejtorit të AKSHIT dhe Ministrit të Brendshëm.

Kreu i Komisionit të Sigurisë Nasip Naço, deklaroi shkurtimisht se:

“Këto ditë në Komisionin e Sigurisë janë thirrur për të informuar
1- Drejtori i SHISH
2-Drejtori i Përgjithshem i Policisë
3-Drejtori i AKSHIT
4-Ministri i Brendshëm
Nesër Presidenti mbledh Këshillin Kombëtar të Sigurisë.”- duke u shprehur se nuk mund të prononcohet më tej pa zhvilluar takimin me titullarët e thirrur.

Sekretarja e Këshillit të Sigurisë, Antoneta Dhima, pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deklaroi se Komisioni i Sigursë pak ditë më parë, ka bërë një dëgjesë, ku kanë marrë informacion se sistemet janë të sigurta dhe po asistohen nga ndërkombëtarët.

Pjesë nga intervista:

Gazetarja: Sa të rrezikuara janë sistemet shqiptare nga hakerat iranianë?


Antoneta Dhima: Aspak.

Gazetarja: Nëse dosjet që kanë qarkulluar pas hakërimit të sistemit TIMS, nuk janë të "MEMEX", atëherë çfarë ishin ato informacione që qarkulluan që u titulluan ndryshe edhe si “Dosjet e personave të dyshuar”?

Antoneta Dhima: Jam dakord me opinionin e ministrit të brendshëm, ai është shprehur shumë qartë mbi këtë çështje.

Gazetarja: Juve si komision, si anëtarësi, duhet të kishin ndërmarrë ndonjë veprim ose të kishit një komunikatë, duke qenë se ju jeni një komision më vete dhe me anëtarësi të gjerë.

Antoneta Dhima: Komisioni i Sigurisë Kombëtare, ka bërë një dëgjesë faktikisht, para disa ditësh dhe kemi marrë informacionin që sistemi është i sigurtë dhe është duke u mbështetur nga ndërkombëtarët, pasi ne jemi në NATO dhe patjetër që ata janë në mbështetje dhe sigurojnë se sistemi është i sigurtë.

Gazetarja: Pra ju mendoni se hakerat kanë marrë disa informacione dhe i kanë titulluar në mënyrë të gabuar dhe i kanë “shitur” sikur janë nga sistemi "MEMEX"?

Antoneta Dhima: Jo, informacionet janë aty, janë nga e-Albania, informacionet janë aty, të dhënat personale të të gjithë personave janë aty, në sistemin e mbrojtjes nuk është arritur të ndërhyhet, edhe te pjesa e SHISH-it jo.

Gazetarja: Pra ka pasur një keqtitullim të atyre dosjeve, sepse mediat kanë raportuar se dolën listat e personave të dyshuar?

Antoneta Dhima: Jo absolutisht, nuk është asgjë nga ato që janë raportuar.

Sakaq, zv.kryetari Ferdinand Xhaferaj, pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ka deklaruar se Komisioni i Sigurisë u ka bërë thirrje titullarëve të institucioneve përgjegjëse. Ai thekson më tej se Komisioni i Sigurisë kishte caktuar një takim me kreun e Shërbimit Informativ Helidon Bendo, ku pritej edhe pjesëmarrja e kreut të AKSH-it, znj. Mirlinda Karçanaj, por takimi është shtyrë për një moment të dytë.

Pjesë nga intervista:

Gazetarja: A duhet të kishte një “lëvizje” të Komisionit të Sigurisë lidhur me këtë situatë?

Ferdinand Xhaferaj: Ne kemi pritur gjithë skuadrën tonë përgjegjëse, këtë javë kishim kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, mendohej që duhet të vinte edhe titullari i AKSH-it, lidhur me hakërimet iraniane, e kanë shtyrë takimin dhe nuk kanë ardhur. Por nga informacionet e dhëna deri tani, dihet bqë hakerat iranianë, ndërhynë në të gjitha institucionet që ishin në varësi të qeverisë. Nuk kanë arritur të depërtojnë vetëm në ministrinë e mbrojtjes dhe në shërbimin informative shtetëror, sepse këto institucione kanë sistem mbrojtje të dubluar sepse asistohen dhe nga partnerët. Ndërsa të gjitha institucionet e tjera, që janë në varësi të kryeministrit Rama, më fal që ta them në këtë mënyrë, por “u bënë copë”. Kjo është e vërteta.

Gazetarja: Por përse atëherë informacionet që qarkulluan u tha se ishin të "MEMEX", kishte një “keqtitullim” nga ana e hakerave, për të shkaktuar panic?

Ferdinad Xhaferaj: Nuk jam në gjendje t’iu jap përgjigjie për këtë, por mund të përgjigjem vetëm për ato gjëra që dihen deri tani.

Sa i takon sigurisë se sistemeve kibernetike zv.kryetari Ferdinad Xhaferaj ka deklaruar se sistemet nuk ecin parallel sa i takon koordinimit dhe shpejtësisë se sistemeve kibernetike në sektorë të ndryshëm të mbrojtjes, duke cilësuar si sektorët më të rrezikuar atë të detarisë dhe ujësjellësve, të cilat sipas tij janë sulmuar dhe që aty është marrë informacion i konsiderueshëm.  

Gazetarja: Ju si komision keni ndërmarrë ndonjë veprim, përveç dëgjasave publike?

Ferdinand Xhaferaj: Ne u kemi kërkuar të gjitha titullarëve të institucioneve, të vijnë dhe të raportojnë, kuptohet që ne kemi një strategji të sigurisë kibernetike. Strategjia është hartuar vite më parë, e cila nga mënyra se si është konceptuar, në disa sektorë është e konceptuar drejtë, ndërsa në disa sektorë të tjerë, nuk përcakton një shpejtësi uniforme të të gjithë sektorëve. Nëse strategjia e sigurisë kibernetike, përshmebull në sektorin e energjisë e mbulon le të themi në mënyrë të saktë, në sektorë të tjerë siç është sektori i detarisë, apo mbrojtja e ujësjellësve, shikohet që ecet me shpejtësi shumë më të vogël , pra nuk janë në sinkron të gjithë sektorët. Duke mos qenë në shpejtësi të njëjtë, garantimi i mbrojtjes kibernetike kuptohet se këto janë sektorë që mund të hakërohen fare lehtë dhe mendoj se kjo ka ndodhur./ Xheni Lekaj, CNA.al





Lajmet e fundit nga