web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Fitorja e Emanuel Makron, është një mundësi e mirë për Francën dhe BE-në

27 Prill 2022, 08:39, Blog CNA

Nga Lionel Laurent ?Bloomberg?

Në vitin 2017, Franca e kundërshtoi valën e populizmit, duke votuar për Emanuel Makron dhe jo për një Marin Lë Pen eurofobike. Në vitin 2022, kjo ndodhi sërish, ashtu siç edhe Sllovenia duket e gatshme që të rrëzojë nga pushteti liderin e saj nacionalist.

Një shfaqje dërrmuese e vlerave pro-BE? Jo tamam kështu. Epërsia e Makron është më e vogël sesa zgjedhjet e 5 viteve më parë – rreth 58 për qind, në vend të 66 për qind në vitin 2017 – dhe pjesëmarrja ishte në nivelin më të ulët ndër dekada. Lodhja e votuesve me politikën është e madhe.

E megjithatë, vizionet e një efekti ?domino? anti-elitë pas Brexit dhe zgjedhja president e Donald Trump, po zbehen gjithnjë e më shumë në një botë post-Ukrainë dhe post-Covid. Francezët kanë votuar për një Francë në qendër dhe jo në periferi të Evropës. Por edhe për një Francë që duhet ta mbrojë më mirë popullin e saj.

Fitorja e së dielës është një mundësi e artë për Makron. Franca ka një peshë strategjike si fuqia e vetme bërthamore e BE-së, me një ekonomi që është më e mirë se sa ajo e Gjermanisë, dhe që është më pak e ndërvarur nga gazi rus në një kohë lufte dhe të çmimeve të rritura të energjisë.

Por ka nevojë për drejtim më të mirë. Bankieri i shndërruar në president, e di se duhet të ndryshojë stilin e tij të qeverisjes. Axhenda e tij e reformave liberale, nuk është më në përputhje me mbështetjen e Francës tek një shtet i madh pas pandemisë së Covid-19, dhe do të kërkojë një bashkëpunim me partitë rivale dhe sindikatat, por edhe me partitë e gjelbra dhe të majta.

Ndonëse votuesit e refuzuan në shumicë thirrjen e Lë Pen për të zbehur bashkëpunimin evropian dhe për një afrim me Rusinë e Putinit, fushata e saj e bazuar tek e majta në aspektin ekonomik, i dha asaj një rezultat më të mirë se sa në vitin 2017.

Sipas kompanisë së sondazheve IPSOS, rreth 17 për qind e mbështetësve të kandidatit të ekstremit të majtë Zhan-Lyk Melensho, e mbështetën atë në balotazhin e 24 prillit. Fjalimi i fundit i Makron dhe fjalimi i tij i fitores mbrëmjen e së dielës, pasqyrojnë gatishmërinë për të ndërtuar qeveri me një shtirje ideologjike me të gjerë.

Që të ketë muajt e ardhshëm qeverinë e duhur, Makron duhet të jetë në gjendje të krijojë një shumicë (me shumë gjasë të reduktuar në krahasim me atë aktualen) pas zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në muajin qershor. Kristofer Dembik i ?Saxo Bank?, mendon se ka më pak se 25 për qind gjasa që ai të dështojë në këto zgjedhje.

Ndërsa nuk ka asnjë garanci përballë protestave apo grevave të mundshme në të ardhmen, sigurimi i një mazhorance apo koalicioni do të zvogëlonte mundësinë e bllokimit në parlament të nismave legjislative, në një kohë kur Franca po përballet me një borxh kombëtar në nivelin 113 të PBB-së, dhe është nën presion për të përmirësuar pagat dhe performancën në sektorë si shëndetësia dhe arsimi.

Në skenën evropiane, Makron duhet të vendosë një ekuilibër të ri midis përulësisë dhe ambicieve. Uniteti mbi sanksionet kundër Rusisë po dobësohet, më shumë anëtarë të BE-së janë të vendosur që t?i bashkohen NATO-s (aleancë që ai e etiketoi pak kohë më parë si në gjendje kome).

Por ashtu dhe graviteti i BE-së po zhvendoset gradualisht drejt lindjes së unionit, ku Parisi ka dështuar në të kaluarën të ndërtojë ndonjë kapital diplomatik domethënës. Tranzicioni ekonomik drejt një strukture më miqësore me klimën, disiplinimi i platformave teknologjike dhe mbyllja e zbrazëtirave në lidhje me taksat ndaj korporatave të mëdha, janë pika të tjera të rëndësishme në axhendë.

Edhe këtu ka një shans të artë. Pesha gjeopolitike e Francës është jetike për të forcuar qëndrimin pro-ukrainas kur flitet për mbështetjen financiare dhe ushtarake ndaj Kievit, si dhe për të reduktuar varësinë evropiane nga nafta dhe gazi rus.

Këtu do të jetë jetike aftësia e Parisit për ta nxitur Berlinin në adresimin e këtyre çështjeve, duke pasur parasysh se kancelari gjerman Olaf Sholc – lideri i parë i huaj që i telefonoi Makron pas rizgjedhjes në detyrë – është nën presionin e koalicionit të tij për
të marrë një linjë më të qartë dhe më të ashpër ndaj Vladimir Putinit.

Por dobësimi i varësisë energjetike të Evropës nga Rusia, dhe rritja e njëkohshme e aftësive të saj mbrojtëse, do të vijë me një kosto. Një Makron i rizgjedhur në detyrë, duhet ta shfrytëzojë rastin për të risjellë në union frymën e solidaritetit që solli edhe miratimine planit financiar të BE-së për rimëkëmbjen nga pandemia prej 1 trilionë dollarësh, si dhe për të nxitur më shumë shpenzime dhe solidaritet nëpërmjet huamarrjes së përbashkët, siç kishte propozuar më parë së bashku me kryeministrin italian Mario Dragi.

Ndërkohë, partitë franceze të ekstremit të djathtë dhe të majtë janë po aty. Ato ka të ngjarë të kenë një prani më të madhe politike në parlament, pasi 2 nga 3 blloqet e mëdha votuese (krahas centristëve të Makron) do të dalin nga mbetjet e ndarjeve tradicionale majtas-djathtas të shekullit XX-të.

Teksa Makron e ka të pamundur të zgjidhet për një mandat të tretë, mbetet rreziku i një tjetër ngërçi polarizues në vitin 2027. Gjithsesi, edhe Lë Pen përballet me presione të mëdha thotë Katerin Fieski, drejtoreshë e ?Counterpoint?.

Në fushatën e fundit ndoqi strategjinë e normalizimit të diskursit të saj, që u distancua nga politika toksike e Frexit (që kërkonte largimin e Francës nga BE), nga e kaluara fashiste e partisë së saj, duke u fokusuar më shumë tek politikat sociale. Rezultati i saj prej pak më shumë se mbi 40 për qind sugjeron se edhe pse në qershor nuk pritet të arrijë ndonjë performancë të befasishme në zgjedhjet parlamentare të qershorit, ajo ka arritur kulmin si
një kandidate presidenciale.

Makron ka bërë histori si presidenti i parë francez që ri-zgjidhet në detyrë që nga viti 2002. Pavarësisht dëshmive të çarjeve të thella në shoqërinë franceze, dhe të një hezitimi për të përqafuar vizionin e presidentit për një ?revolucion? liberal, kjo do të thotë ende diçka. Në rast se nuk do të arrijë të përmbushë premtimin e tij për më shumë mbrojtje në vend dhe më shumë projeksion jashtë vendit, kjo do të jetë një mundësi e madhe e humbur.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga