web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Lufta në Ukrainë, si një shans që Evropa të reformojë veten

5 Prill 2022, 08:39, Blog CNA

Nga Tony Barber ?Financial Times?

Mbrojtja e pavarësisë së Ukrainës ndaj agresionit të paprovokuar të Rusisë së Vladimir Putinit, është kauza e përbashkët e demokracive perëndimore. Për vendet evropiane, kjo përpjekje ka të bëjë kryesisht në mbështetjen ushtarake për Ukrainën, ndihmën për refugjatët ukrainas, me sanksionet ekonomike kundër Moskës dhe me planet për ta reduktuar varësinë e BE-së nga energjia ruse.

Deri më tani, evropianët kanë shfaqur qëndrueshmëri dhe një shpejtësi të admirueshme në vendimmarrjen e tyre. Megjithatë, vëmendje të madhe kërkon edhe një fushë e cila ka të bëjë me çështje të ndjeshme më afër unionit.

Lufta paraqet një shans që evropianët të çelin një kapitull të ri, duke zhvilluar një fushatë më të fuqishme në vendet e tyre kundër korrupsionit dhe abuzimit me shtetin e së drejtës. Po aq sa çdo program riarmatimi, edhe kjo do t?i bënte më të qëndrueshme demokracitë e Evropës, në kuadër të asaj që duket të jetë jo vetëm një luftë mbi Ukrainën, por një garë afatgjatë përballë një Rusie autoritare dhe anti-perëndimore.

Kostot e rënda ekonomike të këtij rivaliteti janë të dukshme që tani. Prandaj janë shumëtë rëndësishme hapat vendimtarë për ta pastruar jetën publike, dhe për të ilustruar me një qartësi absolute se çfarë i dallon vlerat dhe sistemet e qeverisjes demokratike të Evropës nga autoritarizmi kleptokratik i Vladimir Putinit.

Në disa vende, autoritetet po tentojnë që të ndëshkojnë sjelljet e pahijshme të zyrtarëve të niveleve të larta. Kështu prokurorët në Pragë po synojnë të nxjerrin para drejtësisë ish-kryeministrin e vendit Andrej Babis për shkak të një mashtrimi që përfshin subvencionet e BE-së.

Në Bullgari, ish-kryeministri Bojko Borisov kaloi një ditë në paraburgim policor, si pjesë e një hetimi për një shantazh të dyshuar. Ai u lirua të nesërmen pa një akuzë zyrtare. Të dy këta zyrtarë të lartë e mohojnë se kanë shkelur ligjin.

Diku tjetër, ka nisur të funksionojë makineria e drejtësisë e Bashkimit Evropian. Që kur u hap zyrtarisht në qershor 2021, Zyra e Prokurorit Publik Evropian ka nisur 576 hetime për krimin ekonomik dhe financiar, duke përfshirë kryesisht subvencionet e BE-së dhe mashtrimin ndërkufitar me TVSH-në.

Në shkurt të këtij viti, Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi kundër Hungarisë dhe Polonisë, duke u shprehur se BE-ja ka të drejtë të kushtëzojë disbursimin e fondeve me respektimin e shtetit të së drejtës.

Po në shkurt, komiteti i kontrollit të buxhetit në Parlamentin Evropian arriti në përfundimin se ndikimi i grupeve oligarkike të biznesit mbi BE-në ka ?arritur përmasa të paprecedenta vitet e fundit?. Pra Bashkimi Evropian po bën disa përparime të dukshme në luftën kundër korrupsion dhe për garantimin e sundimit të ligjit.

Gjithsesi mbetet ende shumë për të bërë. Por nuk ka kohë më të mirë se sa tani për të filluar ndryshimin e gjërave. Ne mund të nxjerrim leksione nga ngjarjet e fundit të viteve 1940 dhe viteve 1950, kur Lufta e Ftohtë vuri përballë aleancën perëndimore kundër Bashkimit Sovjetik të Josif Stalinit.

Ndër faktorët vendimtarë për ruajtjen e paqes dhe lirisë në Evropën Perëndimore ishin krijimi i NATO-s, Plani Marshall i financuar nga SHBA-ja, dhe format e reja ambicioze të integrimit rajonal që kulmuan me Traktatin e Romës të vitit 1957, duke krijuar Komunitetin Ekonomik Evropian, që më vonë u quajt Bashkimi Evropian.

Jo më pak e rëndësishme: pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore ishte dukshëm një zonë e pluralizmit politik, lirive qytetare, reformave sociale, dhe prosperitetit në rritje. Kontrasti me komunizmin stalinist dhe diktaturat njëpartiake të imponuara nga Kremlini në Evropën Lindore nuk mund të ishte më i madh.

Sigurisht, vendet e Evropës Perëndimore nuk ishin të përsosura në të gjitha aspektet, por

ato mbronin dinjitetin e individit në një mënyrë, që shumica e qytetarëve e kuptonin se ishte krejtësisht e ndryshme nga represioni brutal në bllokun lindor komunist.

Tani është shansi për të kombinuar mbrojtjen e Ukrainës, me përmirësimet në cilësinë e politikës, biznesit dhe administratës publike evropiane. Shumë probleme të BE-së kanë lindur në vendet e unionit. Por hapa të tillë do t?i bënin sistemet dhe shoqëritë politike evropiane më të mirë-pajisura për t?i rezistuar përpjekjeve të Rusisë për t?i përçarë, frikësuar dhe nënshtruar ato.

Qytetarët evropianë do ta shihnin po aq qartë sa edhe në kohën e Luftës së Ftohtë se vlerat ligjore, sociale dhe politike që mbështesin liritë e tyre kanë një kuptim të vërtetë, dhe nëse është e nevojshme, ia vlen që të bëjnë sakrificat që duhen.

Përveç çrrënjosjes së dukurisë së korrupsionit, nevoja më emergjente është forcimi i sistemeve gjyqësore kombëtarë. Natyrisht, debate të tilla e vendosin nën trysni të madhe unitetin e BE-së. Për shembull, edhe pse Polonia meriton mbështetje materiale për pranimin e miliona refugjatëve ukrainas, BE-ja nuk duhet që ta lehtësojë presionin e saj ndaj qeverisë së Varshavës, për minimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe sfidimin e supremacisë së ligjit evropian.

Sa më shumë që degradon shteti i së drejtës në disa vende të BE-së, aq më e vështirë është të sigurohet funksionimi i qetë i tregut të përbashkët, të parandalohet keqpërdorimi i burimeve financiare të BE-së, dhe të arrihet suksesi i fondit ambicioz të rimëkëmbjes nga pandemia. Ruajtja e shtetit të së drejtës është e pandashme nga rritja e fuqisë dhe besueshmërisë së BE-së, dhe nga ekspozimi i keqqeverisjes militariste ruse për atë që është vërtet.

Përkthyer dhe përshtatuar nga CNA.al





Lajmet e fundit nga