LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Arnold Schwarzenegger/ Rusë kjo nuk është lufta juaj, ngrihuni kundër Putinit!

23 Mars 2022, 10:33, Blog CNA
Nga Arnold Schwarzenegger/ Rusë kjo nuk është lufta juaj,

Unë kam një mesazh për miqtë e mi rusë dhe për ushtarët rusë që shërbejnë në Ukrainë. Ka shumë gjëra që po ndodhin sot në botë, dhe që po ju mbahen fshehur, gjëra të tmerrshme të cilat duhet t?i dini. Por para se t?ju tregoj mbi realitetet e hidhura, më lejoni t?ju tregoj për rusin që u bë dikur heroi im.

Në vitin 1964, kur isha vetëm 14 vjeç, pata rastin të marr pjesë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Vjenë. Juri Petroviç Vllasov fitoi titullin e kampionit botëror, duke u bërë njeriu i parë që ngriti 200 kilogramë. Në një farë mënyre, një miku im më çoi në prapaskenë. Krejt papritur një djalë 14-vjeçar po qëndronte përballë njeriut më të fortë në botë. Nuk mund ta besoja! Ai zgjati dorën më takoi dhe më buzëqeshi. Nuk e harrova kurrë atë ditë. Shkova në shtëpi dhe vendosa foton e tij sipër shtratit tim. Më frymëzoi kur fillova të ngrija pesha, por kjo gjë e zemëroi tim atë.

Ai nuk i pëlqente rusët, për shkak të përvojës së tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur u plagos në Leningrad. (Ushtria naziste ku ai bënte pjesë i shkaktoi një dëm shumë të madh atij qyteti të madh dhe qytetarëve të tij trima). Babai më tha ta hiqja fotografinë e Petroviç dhe në vend të tij të vija një hero gjerman ose austriak.

Por unë nuk e hoqa foton, pasi për mua nuk kishte rëndësi se çfarë flamuri mbante heroi im. Vite më vonë, shkova në Moskë për të xhiruar filmin ?Red Heat?, filmi i parë amerikan që lejohej të xhirohej në Sheshin e Kuq. Juri dhe unë e kaluam gjithë ditën bashkë.

Ai ishte shumë i zhytur në mendime, por njëherazi shumë i sjellshëm. Më dha një filxhan kafeje ngjyrë blu që e përdor ende çdo mëngjes. Arsyeja pse po ua tregoj të gjitha këto është se që kur isha 14 vjeç, nuk kam pasur asgjë tjetër veç dashuri dhe respekt për popullin rus. Forca dhe zemra e popullit rus, më kanë frymëzuar gjithmonë. Prandaj shpresoj se do të më lejoni t?u them të vërtetën për luftën në Ukrainë. Askujt nuk i pëlqen të dëgjojë diçka kritike për qeverinë e tij. Dhe unë e kuptoj arsyen. Por si një mik i vjetër i popullit rus, shpresoj se do të dëgjoni atë që kam për të thënë.

Unë e di që qeveria juaj ju ka thënë se kjo është një luftë për të de-nazifikuar Ukrainën. Kjo nuk është e vërtetë. De-nazifikuar Ukrainën? Është një vend me një president hebre, tre xhaxhallarët e të cilit u vranë nga nazistët. Nuk ishte Ukraina që e filloi këtë luftë.

As nacionalistët dhe as nazistët. Këtë luftë civile, e nisën ata që janë sot në pushtet në Kremlin. Kjo nuk është lufta e popullit rus. Më lejoni t?ju them se çfarë duhet të dini. 141 vende në Kombet e Bashkuara votuan një rezolutë që përcakton se agresori është Rusia, duke kërkuar që ajo të largonte menjëherë trupat e saj nga Ukraina.

Vetëm 4 vende në të gjithë botën votuan pro Rusisë. Ky është një fakt. Bota është kthyer kundër Rusisë për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. Blloqe të tëra nëpër qytete janë rrafshuar nga artileria dhe bombat ruse, përfshirë një spital për fëmijë dhe një maternitet.

Tre milionë refugjatë ukrainas, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, tashmë janë larguar nga vendi, dhe shumë të tjerë po synojnë të largohen. Aty ka një krizë të rëndë humanitare.

Për shkak të brutalitetit të saj, Rusia, është tani e izoluar nga shoqëria e kombeve. Po ashtu nuk po ju thuhet e vërteta mbi pasojat e kësaj lufte për vetë Rusinë. Me keqardhje po ju them se janë vrarë mijëra ushtarë rusë. Ata janë ndeshur midis ukrainasve që luftojnë për atdheun e tyre dhe udhëheqjes ruse që lufton për pushtimin e një vendi sovran.

Janë shkatërruar ose braktisur sasi masive armatimesh. Shkatërrimi që po shkaktojnë bombat ruse mbi civilët e pafajshëm, e ka zemëruar aq shumë botën, saqë ndaj Rusisë janë vendosur sanksionet më të forta ekonomike globale të miratuara ndonjëherë.

Ata që nuk e meritojnë në të dyja anët e luftës do të vuajnë. Qeveria ruse ka gënjyer jo vetëm qytetarët e saj, por edhe ushtarët e saj. Disa ushtarëve u ishte thënë se do të luftonin kundër nazistëve. Ca të tjerëve se populli ukrainas do t’i përshëndeste si heronj. Disave iu tha se thjesht po shkonin në një stërvitje.

Ata as që e dinin se po shkonin në luftë. Dhe disa të tjerëve iu tha se ishin atje për të mbrojtur rusët etnikë në Ukrainë. Asnjë nga këto nuk ishte e vërtetë. Ushtarët rusë janë përballur me rezistencë të ashpër nga ukrainasit që duan të mbrojnë familjet e tyre.

Kur shoh foshnjat që nxirret nga rrënojat, më duket sikur po shoh një dokumentar mbi tmerret e Luftës së Dytë Botërore, dhe jo lajmet e sotme. Kur im atë mbërriti në Leningrad, ai ishte indoktrinuar nga gënjeshtrat e qeverisë së tij. Kur u largua nga Leningradi, ai ishte i rrënuar fizikisht dhe mendërisht. E kaloi me dhimbje pjesën tjetër të jetës:dhimbje nga shpina e lënduar, dhimbje nga copëzat e predhave që e kishin goditur dhe që i kujtonin gjithmonë ato vite të tmerrshme, dhimbje nga faji që ndjente.

Shumë nga ushtarët rusë e dinë tashmë se kjo nuk është e vërtetë. Ju e keni parë me sytë tuaj. Nuk dua që të përjetoni kalvarin e babait tim. Kjo nuk është një luftë për ta mbrojtur Rusinë, siç zhvilluan dikur gjyshërit dhe stërgjyshërit tuaj. Kjo është një luftë ilegale. Jetët, gjymtyrët dhe e ardhmja juaj po sakrifikohen për një luftë të pakuptimtë, të denoncuar nga e gjithë bota.

Mos harroni se 11 milionë rusë kanë lidhje familjare me Ukrainën. Çdo plumb qëllon një vëlla apo një motër. Çdo bombë dhe çdo predhë nuk bie mbi një armik, por mbi një shkollë, një spital ose një shtëpi. Unë nuk mendoj se populli rus është i vetëdijshëm se po ndodhin gjëra të tilla.

Prandaj unë i bëj thirrje popullit rus dhe ushtarëve rusë në Ukrainë, që të kuptojnë propagandën dhe dezinformatat që po iu thonë. Ju kërkoj të më ndihmoni ta përhap të vërtetën, në mënyrë që bashkatdhetarët tuaj ta dinë katastrofën njerëzore që po ndodhnë Ukrainë.

Presidentit Putin i them:Ju e nisët këtë luftë. Ju jeni duke udhëhequr këtë luftë. Dhe ju mund ta ndaloni këtë luftë tani. Kam një mesazh për rusët që kanë protestuar në rrugë kundër pushtimit të Ukrainës:Bota e ka parë trimërinë tuaj. Ne e dimë që keni vuajtur pasojat e guximit tuaj. Jeni arrestuar, burgosur dhe rrahur. Ju jeni heronjtë e mi të rinj. Ju keni forcën e Juri Vllasov. Ju keni zemrën e vërtetë të Rusisë.

Shënim:Përveçse një aktor i njohur, Arnold Shvarceneger ka qenë guvernatori i 38-të i shtetit të Kalifornisë, SHBA.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga