web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Josif Stalin/ Nga një djalë i rrugës, në krye të diktaturës sovjetike

3 Tetor 2020, 12:12, Blog CNA

Pavarësisht nëse shkaku ishte zhgënjimi, zemërimi apo disiplinimi, e rrahura në shtëpinë e Stalinit ishte një normë. Ose më saktë, në familjen Xhugazhvili, mbiemri atëror i njërit prej diktatorëve më të përgjakshëm të shekullit XX dhe të gjithë historisë botërore.

E megjithatë, lindja e vogëlushit Josif Visarionoviç Xhugazhvili u mirëprit si një mrekulli që zbriti nga qielli, pasi çifti Visarion Xhugazhvili (1853-1909) dhe Ekaterina Gelaxe (1858-1937) kishin humbur dy fëmijë të vegjël (Mikali do të vdiste pas 1 jave, Jorgo 6 muaj pas lindjes).

Ishte 6 dhjetori i vitit 1878 (sipas Kalendarit Julian), dhe për habinë e të gjithëve në qytezën Gori të Gjeorgjisë së sotme, Ekaterina Gelaxe lind një fëmijë tjetër: emri i tij ishte Josif.

Lajmi përhapet menjëherë në gjithë Gorin, ku Visarion Xhugazhvili, i njohur shkurt si Beso, njihej shumë mirë.

Ai ishte këpucari i qytetit, një njeri fikizisht i fortë, dhe një punëtor i palodhur, që ia kishte dalë ta kapërcente dhimbjen e vdekjes së dy fëmijëve, por që kohët e fundit kishte nisur të frekuentonte rregullisht tavernat e qytezës.

Gruaja e tij ishte akoma e re dhe e bukur, pavarësisht 3 shtatzënive. Që në javët e para pas lindjes së fëmijës, qarkulluan zëra se i porsalinduri nuk ishte fryt i dashurisë së saj me bashkëshortin Visarion, por i një marrëdhënieje që Ekaterina, e njohur me nofkën Keke, kishte me dikë tjetër, që mund të ishte një mik i burrit të saj, një polic i rëndësishëm i zonës, apo madje edhe një prift.

Por Visarion Xhugazhvili nuk ua vuri shumë veshin këtyre thashethemeve të tmerrshme, pasi ishte shumë i hutuar nga pasioni i tij në rritje për alkoolin. Për pasojë, puna me këpucët nisi t?i ecë keq e më keq, çka e shtyu të vazhdonte të pinte akoma më shumë.

Beso shkonte në shtëpi gjithnjë e më agresiv dhe i pakënaqur, dhe zhgënjimin e shfrynte duke rrahur rregullisht gruan e tij Keke dhe Josifin e vogël. Djali, me një fizik shumë të dobët, nuk do t?i harronte kurrë goditjet e marra nga babai i tij.

Një mbrëmje Beso e goditi aq fort në stomak, sa që më pas ai do të urinonte gjak për një kohë të gjatë. Dhe dhuna e vazhdueshme do ta bënte më të fortë, dhe do ta piqte para kohe. Ndërkohë, ekonomia e familjes vazhdonte të binte, dhe e ëma Ekaterina duhet ta shpikte çdo ditë diçka për të siguruar jetesën.

Ajo punonte si rrobaqepëse për fqinjët dhe miqtë, ndërsa nis të shkojë me burra që tregojnë edhe interesin më të vogël për të. Ndërkohë Josifi i vogël po rritej. Ai arrin ta kapërcejë dhunën në familje, por edhe epideminë e tmerrshme të lisë, duke treguar një temperament të fortë.

Kur ishte 10-vjeç e ëma, falë ndërmjetësimit të një prifti që e kishte mik, e regjistroi në institutin e Famullisë. Lideri i ardhshëm i dorës së fortë, ishte një fëmijë i guximshëm, që nuk frikësohej as nga fëmijët më të mëdhenj në moshë.

Në rrugët e Gorit, të gjithë nisën ta kenë frikë. Josifi nuk ishte budalla në shkollë, përkundrazi ishte nxënësi më kurioz për të mësuar, dhe më i talentuari në klasë. I pëlqente të lexonte, të vizatonte dhe mësuesit çmendeshin pas tij.

Ndërkohë, nga përleshjet me grushte në rrugët e Gorit, ai kaloi tek grabitjet dhe vandalizmat e para. Një ditë gjatë njërës prej grabitjeve të tij, rrëzzohet dhe përfundon me një këmbë nën një karrocë. Ajo do t?i mbetet e dëmtuar për pjesën tjetër të jetës.

Stalini i vogël lexonte vazhdimisht, dhe gjatë meshës zbuloi një ditë se ishte i prirur të këndonte. Bëhet shumë shpejt këngëtari kryesor i famullisë, dhe krenaria e të ëmës Keke, që dikur kishte qenë një murgeshë, dhe tashmë shihte një të ardhme të ndritur si prift për të birin…

I ati u përpoq ta merrte të birin në dyqanin e tij të këpucëve në Tbilisi, ku edhe ishte transferuar, por Ekaterina arriti ta shpëtojë djalin e saj nga mjerimi i sigurt, duke e dërguar tek disa miq të burrit të saj. Ata e bindën Visarionin të heqë dorë nga Josifi.

Kështu ai u rikthye tek e ëma në Gori, dhe me kalimin e kohës në zemrën e tij fillon të zërë vend një pasion i ri i madh:politika. Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (nga viti 1924, deri në vdekjen e tij në vitin 1953), bie në kontakt me qarqet revolucionare të vendit, dhe fillon të hapë sytë ndaj privimeve, dhunës dhe vuajtjeve të shumë-përhapura në Perandorinë Ruse.

Njëkohësisht besimi i tij tek Zoti nisi të lëkundej. Pasi pa një ekzekutimin me varje të dy fshatarëve në sheshin qendror të Gorit, atij i lindi një mendim që do ta ndryshojë jetën e tij (dhe më pas atë të miliona njerëzve): nëse ndodhin këto shtazëri, kjo do të thotë se Zoti nuk ekziston.

Prandaj duhet të veprojmë dhe të mos humbasim kohë, duke varur tek lutjet shpresat dhe vullnetin tonë. I shqetësuar nga ky konflikt i brendshëm, në moshën 15-vjeçare vjeç ai hyn gjithsesi në seminarin prestigjioz teologjik të Tbilisit.

Atmosfera atje nuk ishte siç mund ta imagjinonte ai:lutje të njëpasnjëshme, orare të përpikta të ngrënies, izolim në dhomat e errëta dhe të pista, dhunë nga ana e studentëve më të mëdhenj, sjellje arrogante e drejtuesve të seminarit ndaj shkelësve të rregullave.

Në këtë periudhë do të lindë edhe pasioni i madh për poetin amerikan Uollt Uitman. Rimat e tij, do ta frymëzojnë të shkruajë disa poezi, të cilat do t?i botojë në revista dhe antologji falë përkrahjes së poetit të mirënjohur gjeorgjian Ilia Kavkavaxe, i cili u impresionua nga talenti i të riut Stalin.

Por në fund Josif priret nga idetë revolucionare. I përvetësonte ato ditë për ditë derisa u gjend para një udhëkryqi me 3 drejtime. Ishte pragu i shekullit të ri, dhe Josifi ishte tashmë një djalë 20-vjeçar, dhe duhej të zgjidhte cilën karrierë të ndiqte:atë fetare, letrare apo politike?

Josif Visarionoviç Xhugazhvili, fëmija i dhunuar, i riu i guximshëm, koristi i shkëlqyeshëm dhe lexuesi i pasionuar, zgjodhi politikën, dhe ky do të ishte fillimi i një ndryshimi për Rusinë dhe gjithë botën.

Pas viteve si hajdut, të alternuara me aktivitetin revolucionar, në vitin 1924 ai do të marrë drejtimin e Bashkimin Sovjetik pas vdekjes së Leninit, dhe më pas do të pasonte shtypja e të gjitha lirive, planet 5-vjeçare, kolektivizimi i detyruar, uria, paranoja se mos tradhtohej nga bashkëpunëtorët, Spastrimet e Mëdha, dëbimet në gulagë, farsa e paktit Molotov-Ribbentrop dhe Lufta e Dytë Botërore.

Tirani – që paradoksalisht do të nominohet 2 herë për Çmimin Nobel për Paqe, në vitin 1945 dhe 1948 – do të ketë në ndërgjegjen e tij një numër të paspecifikuar të vdekurish. Studimet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, vlerësojnë se 4-10 milionë njerëz humbën jetën gjatë diktaturës staliniste, një numër për disa studiues arrin deri në 20 milionë.

Kur e ëma Keke vdiq në vitin 1937 – i ati kishte vdekur në vetmi nga cirroza e mëlçisë që në në vitin 1909 – Josifi, shumë i zënë me spastrimet e tij, dhe nuk denjoi të merrte pjesë në funeral. Ai dërgoi një mesazh të shkurtër në rusisht dhe gjeorgjisht ku thuhej:?Për nënën time të dashur, nga djali juaj Josif Xhugazhvili?.

Sot në Gori gjendet ende një përmendore e madhe e Stalinit, e vendosur para bashkisë së qytetit. Ajo u hoq për një periudhë të shkurtër midis viteve 2010-2013, por u rivendos prapë aty./vanillamagazine.Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga