web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse Profesor Fugën e pengon energjia pozitive që ka prodhuar kombëtarja shqiptare e futbollit te shqiptarët

8 Shtator 2015, 15:54, Opinione CNA

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Pas ndeshjes Shqipëri-Portugali, Artan Fuga ka publikuar një status në faqen e tij në Facebook, me titull ?Futbolli si spektakël, jo si ideologji e sistem propagande?, ku kritikon prirjen që sipas tij ekziston në Shqipëri për të ndërtuar një ideologji nacionale dhe sistem propagande, që ka si bosht përfaqësuesen e futbollit. Profesor Fuga nuk është njeriu që nuk e njeh kuptimin e fjalëve që përdor në tekstet e tij. Ai e njeh mirë kuptimin e fjalëve. Prandaj, pikëpamja e mësipërme e profesor Fugës, tregon se ai qëllimisht i përdor fjalët pa vend, për të krijuar te lexuesit ide të gabuara. Shkurt profesori është një manipulues.
Kur Akademik Fuga bën fjalë për ?ideologji nacionale?, ai e di se kjo fjalë ka kuptimin e një sistemi të ideve, të përpunuara e të strukturuara, mbi bazën e së cilës ndërtohet një agjendë për veprime. Pikërisht kjo agjendë e promovimit të ideologjisë, përbën atë që Akademik Fuga e quan ?sistem propagande?. Si ideologjia, ashtu dhe sistemi i propagandës, krijohen dhe funksionojnë kryesisht falë angazhimit të shtetit. Aq më tepër në vende të vogla si Shqipëria, vetëm shteti ka fuqi të krijojë sisteme të tilla dhe t? i bëjë të funksionojnë ato.
Në Shqipëri nuk ekziston asgjë e ngjashme me një ideologji apo sistem propagande i ngritur rreth përfaqësueses së futbollit. Sigurisht që shtetarët dhe politikanët kërkojnë t? i përdorin ndeshjet e futbollit të përfaqësueses për të zgjeruar përmasat e profilit të tyre publik, por në cilin vend të botës demokratike nuk ndodh kështu? Fuga, i cili thotë se kombet e qytetëruar e kanë kaluar këtë fazë që prej një shekulli, gënjen me vetëdije të plotë. Këtë e them sepse Fuga, i cili pjesën më të madhe të kohës jeton në Francë, e di mirë se çfarë ndodhi në Francë me rastin e Kupës së Botës në futboll, Francë 1998, kur Presidenti i djathtë Shirak dhe Kryeministri socialist Jospin, qenë në garë mes tyre se cili prej të dyve do ta tregonte veten si tifozin më të zjarrtë të Francës. Shembuj të ngjashëm panumërt mund të sillen nga vende të tjera të mëdha të botës demokratike, nga SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, Italia etj. Pra, standardet ndërkombëtare me të cilët Fuga mëton t? i gjykojë shqiptarët për qëndrimin ndaj përfaqësueses sonë të futbollit, flasin kundër Fugës.
Në Shqipëri nuk mund të bëhet fjalë për një ideologji apo sistem propagande të ndërtuar përreth boshtit të përfaqësueses së futbollit, për shkak se përkushtimi kolektiv ndaj përfaqësueses së futbollit është spontan dhe jo i organizuar nga shteti. Siç e di mirë Fuga, atje ku bëhet fjalë për ideologji dhe sistem propaganda është shteti ai që e detyron individin të marrë pjesë në ritualet e përcaktuara në zyrat shtetërore.
Kur një akademik dhe profesor shkruan për ekzistencën e një ideologjie dhe të një sistemi propagande, duke e marrë këtë gjë si të mirëqenë dhe nuk përmbush detyrimin metodologjik shkencor ta vërtetojë fillimisht këtë tezë të tij, atëherë kjo do të thotë se ky akademik dhe profesor përdor ?metodologjinë? e sharlatanit. Sepse sharlatani e ndërton narrativën duke quajtur si fakt të mirëqenë pikërisht atë mëtim të tij, të cilin duhet ta vërtetojë me argumente.
E vërteta është kombëtarja shqiptare e futbollit, që prej momentit kur është bërë gjithëkombëtare, me lojtarë nga krejt trevat shqiptare, pavarësisht kufijve shtetërorë, është bërë një gjenerator i energjive pozitive tek shqiptarët. Shteti shqiptar, akademikët si Fuga, etj., duhet të kishin menduar për t? i përdorur këto energji pozitive në të mirë të zhvillimit të vendit. Kjo nuk do të ishte aspak një ideologji apo sistem propagande.
Fugaj gënjen shumë trashë kur shkruan: ?Ajo çka unë kritikoj për disa media dhe politikanë është që futbollin dhe tifozerinë tentojnë ta kthejnë në një propagandë sociale pra si matëse e parametrave të zhvillimit tonë shoqëror, dhe si ideologji nacionale, si shprehje e afirmimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve.?
Askush deri më sot në Shqipëri nuk ka mëtuar që përfaqësuesja e futbollit dhe tifozeria e saj janë tregues të parametrave të zhvillimit shoqëror të vendit.
Profesor Fugën, qartësisht e pengon shumë kjo përfaqësuese shqiptare e futbollit dhe energjia pozitive që ajo ka krijuar te krejt shqiptarët, pavarësisht kufijve shtetërore që i ndajnë ata. Një status i tij në 6 shtator, mban titullin ?Kombëtarja, më shumë e shqiptarëve se e Shqipërisë?. Sipas Fugës problemi është:
?Sepse ata lojtarë nuk përfaqësojnë aq gjendjen e klubeve shqiptare të futbollit që kur shoh ndonjë ndeshje midis tyre më duket sikur kthehem dekada përpara në ndeshjet e rrugicave te Pallati i Pionierëve ku trajneri ishte Ali Pazari. Ajo kombëtare nuk përfaqëson klubet shqiptare të futbollit? Nga kjo pikëpamje kombëtarja shqiptare e futbollit, që u klasikoftë sa më lart, nuk përfaqëson megjithatë kushtet e rinisë shqiptare në Shqipëri për të luajtur futboll, as infrastrukturën e sportit, as buxhetet për sportit, as politikat e sportit, për faqe të zezë, asgjë nga Shqipëria veç tifozave njëqindsh karat shqiptarë. Nga kjo pikëpamje ajo është thjesht një produkt reklame, një etiketë marketingu për Shqipërinë, formë pa përmbajtje që mund të promovohet.?
Është e vërtetë se ka një ndryshim të madh cilësor mes përfaqësueses shqiptare të futbollit dhe gjendjes së futbollit në Shqipëri, që nga klubet te infrastruktura sportive, por pyetja është se a e pengon përfaqësuesja shqiptare që kjo gjendje të ndryshojë për mirë. Sigurisht që jo. Energjia pozitive që ka prodhuar kombëtarja e futbollit mund të ishte kanalizuar në mënyrë të dobishme duke u shndërruar në nxitës i punës për ndryshimin e gjendjes sportive në vend. Fuga nuk pranon ta shikojë kombëtaren shqiptare të futbollit si burim energjie pozitive, por e shikon si një etiketë marketingu dhe formë pa përmbajtje!
Nëse Fuga do të sillej si studiues serioz profesionist, si profesor dhe akademik, që është vërtet i interesuar për të mirën e vendit dhe të kombit, ai do të duhej të mendohej dhe të shprehte pikëpamjen e tij mbi atë se si duhet vepruar që energjia pozitive e prodhuar nga kombëtarja te shqiptarët, të përdorej për të bërë gjëra të mira. Por Fugës as nuk i shkon ndërmend kjo gjë. Sepse ai është një sorosian i cili nuk është i interesuar për të bërë shkencë, por thjesht për të qarkulluar idetë sorosiane që synojnë të zhbëjnë vetëdijen nacionale të shqiptarëve. Sigurisht që këtë gjë Fuga e bën në mënyrë të sofistikuar, duke u shtirur kinse kërkon që t? i kthjellojë shqiptarët.





Lajmet e fundit nga