web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Cfarë na detyrohen neve qytetarëve të ndershëm zotërinjtë kandidatë Bojaxhi, Kosova, Veliaj, etj?

5 Qershor 2015, 19:41, Opinione CNA

Nga Artan Fuga
———————————————————————-
Të organizojnë sa më shpejt një debat televiziv maratonë midis tyre.

Kjo është e detyrueshme. Nëse kjo nuk bëhet, atëhere e gjithë fushata e tyre ka qenë një farsë e gjallë dhe e panevojshme.
Kush nuk e pranon duhet ta ndëshkojmë me votë.

E para, sepse premtimet e tyre elektorale duken shumë afër njeri tjetrit. Nuk dallohen midis tyre. Duken sikur luftojnë për pushtet dhe jo për alternativa të ndryshme. Por, ne qytetarëve të ndershëm na duhen alternativa urbane dhe demokracie lokale, jo luftë për pushtet. Me të drejtë zoti Kosova tha se duhet punë dhe jo llafe, por në fushatë punë janë llafet, llafet me bereqet, në kuvend burrash, para syve të të gjithëve, jo veç e veç në kotece militantësh e burracakësh që nuk e thonë të vërtetën e tyre para të gjithëve.

E dyta, sepse deri tani fushata ka qenë autiste, seicila palë bisedon në grupe të vogla militantësh të paguar dhe bën show, dhe askush nuk shkon te elektorati kundërshtar ta përballojë. Autizëm elektoral i shkallës sipërore. Duke u përballuar me njeri tjetrin ata do të nxjerrin në pah aftësinë e tyre për të debatuar me argumentat e kundërta.

E treta, sepse mjaft u tallën me dëshirat e tyre gjoja për debat e takime. Zoti Veliaj kërkoi takim me kundërshtarin e vet, por e kërkoi duke e nxjerrë sikur ishte ai sipëror, kurse tjetri do të vinte i detyruar atje. Nuk është aspak mirë. Zoti Kosova nga ana e tij, kërkoi të pijë kafe me kryeministrin. E drejta e tij të pijë kafe ose bozë me cilin ose cilën të dojë. Por, ai nuk mund ta detyrojë kështu kryeministrin, çfarë pune ka me të ?. Mirë bëri kryeministri që ja refuzoi. Zoti Kosova duhet të bëjë propozim të debatojë me z. Velia dhe Bojazhiu, pse jo edhe z. Guri dhe Xhafa, në televizion. Pa ironi që janë sëmundje e vjetër senile e politikës shqiptare.

E katërta, nëse nuk debatojnë, cfarë shembulli i japin ata kandidatëve lokalë nëpër zgëqet e Shqipërisë? Si do të punojnë ata pa dallime politike sikur hiqen se janë, nëse as me njeri tjetrin nuk debatojnë!

Ata dalin si të dështuar përndryshe qysh në fushatë. Fushatat e tyre do të ishin një dështim.

Mundet që të gjitha palëve u duket një angazhim dhe lodhje e tepërt, por ne qytetarët e ndershëm e kërkojmë. Ai që saboton debatin televiziv nuk meriton t’i jepet asnjë votë. Nëse asnjeri nuk e do ne si qytetarë duhet t’i refuzojmë të gjithë kandidatët.

Unë personalisht do të pozicionohem me të gjitha forcat, hapur, aq sa fuqi e influencë kam, sado të vogël, kundër atij kandidati që nuk e realizon me ngulm këtë detyrim qytetar.

Jam gati të vihem personalisht në dispozicion të cdo televizioni që mund të përzgjidhet për këtë debat televiziv duke kontribuar modestisht bashkë me të tjerë, si universitar që kam pasur rastin të merrem me demokracinë lokale dhe urbanizimin.

Edhe në një fakultet ose universitet mund të organizohet ky debat. Jam i bindur se një vend i spikatur do të ishte edhe departamenti i gazetarisë dhe komunikimit të Universitetit të Tiranës. Atje janë të gjitha mundësitë për këtë.

Vendosni zotërinj kandidatë, mos u tutni nga zilia ndofta e politikanëve në shkallë kombëtare që nuk janë në gjendje ta realizojnë këtë.

Ju mundni, përndryshe do të mundeni!





Lajmet e fundit nga