web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

PSE TEZA E BASHËS PËR ‘ZGJEDHJE POLITIKE’ E DËMTON PD-NË?

4 Qershor 2015, 12:45, Opinione CNA

NGA FLAMUR KUÇI

Fushata për zgjedhjet administrative është në dinamikën e vet më intensive dhe tezat e qëndrimet politike të dy krahëve kryesorë politikë në vend janë qartësuar tashmë.

Mazhoranca, ende në euforinë e fitores së dy viteve më parë, ka hyrë në zgjedhje me një tezë arrogante dhe kërcënuese; ?Nëse doni fonde nga qeveria qendrore, votoni kandidatët e mazhorancës në zgjedhje lokale?. Madje edhe vetë kandidatët e majtë ?promovojnë? jo programe të tyre, por premtime të qeverisë duke garuar me ?afërsinë? e tyre me pushtetin qendror. Qasja është tërësisht jodemokratike dhe shpreh një botëkuptim të rrezikshëm për politikën. Mazhoranca e sheh pushtetin vendor si një dorë të zgjatur të pushtetit të saj qendror, çka pothuaj e zhvendos fokusin real të këtyre zgjedhjeve që është përzgjedhja, përmes një procesi demokratik, e administratorëve vendorë.

Në një mjedis të tillë shqetësues do të ishte në interesin e publikut, por edhe të opozitës, korrigjimi i kësaj shënjestre. Për më tepër edhe shqetësimi i artikullshkruesit, duke qenë i angazhuar dhe jo neutral në mjedisin politik, është qëndrimi i PD dhe tezat e saj në këto zgjedhje.

Në artikulimin e vet publik përmes gojës së kryetarit të saj Basha, por edhe të ideologëve rreth saj, Partia Demokratike prezantohet me tezën politike; ?Zgjedhjet e 21 qershorit duhet të konsiderohen një referendum popullor kundër qeverisë dhe dyshes Rama-Meta?. Madje në mbështetje të tezës së zgjedhjeve politike, ideologë rreth PD-së ndërtojnë hipotezën (sikur të kishin zbuluar ndonjë komplot okult) që ?mazhoranca kërkon që të fitojë zgjedhjet për të përqendruar dhe për të zgjeruar pushtetin e saj? (?!)

Por shtrohet pyetja; a e ndihmon PD-në kjo tezë apo e dëmton atë, dhe kujt i intereson kjo shënjestër e deformuar?

Në fakt, a ka interes PD të deformojë fokusin ?lokal? të këtyre zgjedhjeve duke e kthyer në një kontest referendar politik? PD ende nuk ka dalë nga gjendja e ?shock?-ut e një humbjeje të thellë në zgjedhjet politike të dy viteve më parë, për të cilën nuk bëri kurrë një analizë. Ç?interes ka PD që të kthejë zgjedhjet vendore në një kontest politik kur të gjithë e dinë që nuk ka asnjë mundësi të imponojë asnjë axhendë politike në nivel qendror?

PD-së i intereson përballja e platformave në nivel lokal ku PD ka ç?të ofrojë. Por, për shkak se në këtë fushë vetë Basha është deficitar për shkak të mandatit të tij të dështuar në Bashkinë e Tiranës, po e zhvendos axhendën e PD në funksion të hallit të tij personal.

Kjo mungesë e përballjes së platformave lokale është një dëm që në radhë të parë i bëhet publikut, pasi ai pret që të nxjerrë më të mirën nga vizionet e palëve për zhvillimin e qyteteve dhe fshatrave. Por në një analizë më të shkurtër, dëmi bëhet edhe më i thellë ndaj vetë PD-së. Duke mos e ?lejuar? konfrontimin e vizioneve për zhvillim lokal, i lihet terren i lirë kundërshtarit politik, duke mos i dhënë mundësinë ekipeve lokale të PD dhe kandidatëve të konkurrojnë me ofertat e tyre.

Po në aspektin organizativ; a është e organizuar PD që të përballet politikisht në terren me mazhorancën? PD sapo ka kaluar një proces të brendshëm zgjedhor nga ku doli më e dobët nga ç?hyri. Formalizmi karakterizoi procesin e anëtarësimit, ndërsa zgjedhjet e strukturave nuk krijuan një përfaqësim dinjitoz të mbështetjes së elektoratit të djathtë. Procesi ishte vetëm në shërbim të kryetarit Basha për të administruar partinë, dhe jo në shërbim të PD-së për t?u ringritur nga një humbje e thellë, për të cilën vetë Basha dhe nivelet e larta të drejtimit të PD ishin përgjegjëse. Në pamundësi për të analizuar performancën e niveleve të larta në PD dhe për t?u përballur me to, Basha ?fajësoi? strukturat e bazës në PD, duke i hapur rrugën një procesi që u karakterizua nga konflikte dhe interesa të çastit më shumë sesa nga principe dhe frymë angazhimi.

Edhe në këtë aspekt, axhenda personale e sundimit të PD dhe gjetjes së një ekuilibri me nivelet e larta të PD në kurriz të bazës së mbështetësve të djathtë, dëmton në mënyrë serioze organizimin e partisë në terren. Mosbesimi që Basha ka ndaj bazës dhe kandidatëve lokalë është një nga arsyet pse po u imponohet kandidatëve me tezën e ?zgjedhjeve politike?, pa konsideruar që kjo tezë dëmton profilin e secilit kandidat të PD në këto zgjedhje. Pamundësia e tyre për të orientuar axhendën vendore drejt problemeve të administrimit të territorit, dhe detyrimi i tyre për të përsëritur mekanikisht oferta tipike qeveritare (duke u bërë deri edhe qesharak), dëmton në mënyrë thelbësore fushatën për zgjedhje vendore të PD.

Për më tepër, argumenti i Bashës sipas të cilit ?vota e 21 qershorit është votë politike për të mos lënë mazhorancën të marrë të gjitha pushtetet? është në vetvete disfatiste dhe një ogur i keq. PD duhet votuar si alternativë (unë besoj që PD i ka shanset për t?u ndërtuar si e tillë) dhe jo nga rreziku se e majta i merr të gjitha pushtetet. Frika e kryetarit nuk mund dhe nuk duhet të përdoret për frikësimin e votuesve të djathtë dhe as për demotivimin e tyre.

Dëmtimi i axhendës së opozitës është një dëm themelor që i bëhet edhe interesit publik. Zhvendosja e problemeve reale dhe e axhendës së administrimit të territorit, zhvendosja e interesit publik nga përballja mes palëve, është dëmi i radhës që partitë politike po i bëjnë publikut. Orientimi i zgjedhjeve drejt retorikës boshe politike, në vend të trajtimit të problemeve reale, shpreh jo vetëm paaftësinë e ekipeve drejtuese, por edhe mungesën e vullnetit të duhur politik për të adresuar hallet e njerëzve.

Edhe në rrafshin personal, zgjedhja e tezës së ?zgjedhjeve politike? nga Basha është paradoksalisht deficente. Në këto zgjedhje duhet të kishim 61 përballje lokale. Duke ?neutralizuar? përballjet dhe kandidatët, kryetari ka marrë përsipër përgjegjësinë e një përballjeje politike dhe është i vetëm në këtë zgjedhje. Dukshëm, ekipi drejtues ia ka varur këtë ?këmborë? atij. Lideri historik i PD, po ashtu, e konsideron këtë garë, garë të Lulit. Pra sfida e një përballjeje të pamundur politike në një kontekst zgjedhjesh vendore është e kryetarit, për rrjedhojë edhe përgjegjësia. Dhe PD duhet ta ndajë sot këtë përgjegjësi, përndryshe komprometon fushatën zgjedhore.

Ende ka vend për të korrigjuar shënjestrën në mënyrë që opozita të bëhet mbartëse reale e shqetësimeve të votuesve të djathtë dhe jo vetëm, por edhe të një pjese të mirë të atyre që po i kthehen gjykimit realist pas keqqeverisjes së mazhorancës aktuale. PD duhet t?i kthehet me urgjencë konfrontimit të platformave vendore. Këto zgjedhje duhen trajtuar për atë çfarë ato janë realisht; zgjedhje vendore, dhe, sidomos PD, është më e interesuar t?i kthehet kësaj teze dhe jo të jetë peng i axhendës personale të kryetarit.





Lajmet e fundit nga