web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A është i dëmshëm konsumimi i ushqimit pak minuta para gjumit?

11 Tetor 2022, 08:30, Shëndeti CNA

A është i dëmshëm konsumimi i ushqimit pak minuta para

Kjo është një temë shumë diskutueshme, dhe perceptimi i zakonshëm është se duhet të shmangim të ngrënit vonë në mbrëmje, pasi ky zakon mund të shkaktojë shtim të ndjeshëm në peshën trupore. Kjo vjen për shkak të supozimit se trupi ynë nuk ka kohë që ta tresë ushqimin para gjumit, gjë që do të thotë se ushqimi mund të ruhet si yndyrë në vend se të përdoret si energji.

“Kur flini gjumë, metabolizmi juaj mund të ngadalësohet me 10-15 për qind më pak sesa gjatë orëve kur jeni zgjuar”- thotë dietologia dr.Melisa Prest, zëdhënëse e Akademisë së të Ushqyerit dhe Dietologjisë.

“Që ta ndihmoni trupin tuaj të tresë ushqimin që ka konsumuar, ndaloni së ngrëni 2-3 orë para gjumit, dhe sigurohuni që të keni ngrënë mjaftueshëm gjatë ditës dhe të jeni të ngopur. Kur ne hamë, trupi ynë punon për ta tretur ushqimin dhe thithur energjinë dhe lëndët ushqyese”- shprehet dietologia Sinje Svanfeld nga aplikacioni i ushqimit të shëndetshëm, Lifesum.

A është i dëmshëm konsumimi i ushqimit pak minuta para

Sipas saj konsumimi i një sasie të madhe ushqimi para gjumit mund të shkaktojë shqetësime në stomak, si dhe të ndërhyjë në ritmin tonë cirkadian (ora e brendshme e trupit), gjë që ndikon në gjumin tonë. Por a mund të shkaktojë edhe shtim në peshë? “Varet nga ajo që hani”- përgjigjet Svanfeld.

“Ne shtojmë në peshë kur marrim përmes ushqimit më shumë energji sesa djegim për një periudhë të caktuara kohe. Edhe kur flemë, ne djegim energji duke mbështetur funksionin e organeve dhe indet e trupit tonë, edhe pse sigurisht që djegim më shumë kur jemi zgjuar dhe fizikisht aktivë.

Prandaj nuk ka të rëndësi koha kur hamë, por edhe çfarë hamë. Ushqimet e yndyrshme, të skuqura shumë, ngrënia e pjesëve shumë të mëdha ose shumë shpejt mund të shkaktojnë shqetësime në stomak, si dhe refluks të acideve”- thekson ekspertja.

Svanfeld thotë se shtimi në peshë nga të ngrënit pak para gjumit, mund të jetë për shkak se disa njerëz hanë ushqime të pasura me shumë energji dhe të varfra me lëndë ushqyese, gjë që mund të çojë në një konsum të tepruar të energjisë dhe për pasojë obezitet.

A është i dëmshëm konsumimi i ushqimit pak minuta para

Edhe disa studime pretendojnë se të ngrënit rregullisht vonë në mbrëmje pak para gjumit, mund të çojë në presion të lartë të gjakut, kolesterol dhe shtim në peshë. Thënë këtë, trupat tanë janë që të gjithë të ndryshëm dhe funksionojnë në mënyra të veçanta.

Një studim i botuar së fundi në “Journal of Obesity”, ka zbuluar se ata që hanë një vakt të madh ushqimor afër gjumit, priren që ta anashkalojnë mëngjesin pasi janë ende të ngopur dhe gjithashtu kanë më shumë gjasa të jenë mbipeshë.

Sipas Prest “konsumimi i një vakti ushqimor të pasur me karbohidrate afër kohës së gjumit, mund të bëjë që trupi juaj ta ruajë atë si yndyrë, dhe jo si lëndë që mund të digjet menjëherë”. Dhe gjëja më e keqe e të ngrënit vonë, është çdo gjë që ka shumë sheqer apo yndyrë, ka të njëjtin efekt në nivelet e insulinës.

Ndërsa metabolizmi juaj ngadalësohet, konsumimi i një sasie të madhe ushqimi që përmban me sheqer, shkakton rritjen e insulinës dhe sinjalizon trupin që ta ruajë yndyrën. Gjithsesi, Perst nuk është plotësisht kundër të ngrënit para gjumit, për sa kohë që nuk është një vakt ushqimor shumë i bollshëm.

“Të konsumuarit e një vakti lehtë para gjumit, është diçka shumë mirë. Për disa njerëz, konsumimi i një vakt të rëndë shumë pranë kohës së gjumit, sjell vështirësi në rënien në gjumë. Prandaj nëse jeni duke ngrënë para gjumit, zgjidhni diçka të lehtë që përfshin disa fibra dhe proteina si një mollë apo 1-2 lugë gjalpë kikiriku. Fibrat ndihmojnë në ngadalësimin e rritjes së glukozës pas ngrënies, dhe proteina ndihmon në riparimin dhe shërimin e muskujve”- thekson Pest.

Ndërkohë ekspertja e gjumit dr.Lindsej Brauning, psikologe dhe neuroshkencëtare me shumë përvojë thotë:”Kur është koha për të fjetur, nuk është një ide e mirë të hani ndonjë ushqim, pasi në thelb ritmi juaj cirkadian, e ka mbyllur sistemin tuaj të tretjes. Kjo do të thotë që kur hani në një kohë që trupi juaj mendon se duhet të jeni në gjumë, nuk është e dobishme dhe mund të shkaktojë probleme me tretjen dhe vështirësi me gjumin”.

Argumenti i saj duket se mbështetet nga shkenca. Një studim i vitit 2020 i botuar në “Gazetën Ndërkombëtare të Kërkimeve Mjedisore dhe Shëndetit Publik”, zbuloi se koha e ngrënies mund të ketë një efekt të rëndësishëm mbi modelet e gjumit.

Hulumtimi shqyrtoi sjelljen e studentëve të universiteteve dhe oraret e vakteve të mbrëmjes – të përcaktuara si brenda 3 orëve para gjumit - dhe arriti në përfundimin se ngrënia më vonë ishte një “faktor i mundshëm rreziku për zgjimet e natës, dhe për cilësinë e dobët të gjumit”.

“Ritmi ynë cirkadian ndikon mbi sistemin tonë tretës. Kjo do të thotë që nuk jemi të përgatitur për ta tretur ushqimin gjatë natës, kur trupi ynë mendon se duhet të jemi në gjumë. Ngrënia vonë, apo edhe gjatë natës, mund të bëjë që ritmi juaj cirkadian të mendojë se duhet të jeni zgjuar - pasi po hani në vend se të flini - prandaj nëse mësoheni të hani gjatë natës mund të hasni vështirësi për të fjetur”.

Pra, a është diçka negative për shëndetin ngrënia pak para gjumit?

Brauning thotë:“Nëse shkojmë në shtrat të uritur, atëherë mund të kemi vështirësi për të fjetur pasi trupi ynë do të jetë në ankth sepse jemi të uritur. Por nëse hamë shumë ushqim në orët e vona të natës, mund të kemi dispepsi dhe vështirësi për të fjetur mirë”.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga