web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse ka një rritje globale të miopisë te fëmijët?

7 Tetor 2022, 08:29, Shëndeti CNA

Pse ka një rritje globale të miopisë te fëmijët?

Në fundin e viteve 1980 dhe fillimin e viteve 1990, prindërit në Singapor nisën të vërejnë një ndryshim shqetësues te fëmijët e tyre. Në përgjithësi, jetët e njerëzve në vendin e vogël tropikal po përmirësoheshin shumë. Sidomos qasja tek arsimimi po transformonte një brez, duke i hapur dyert drejt prosperitetit.

Por ndërkohë kishte edhe një tendencë më pak pozitive: gjithnjë e më shumë fëmijë po bëheshin miopë. Askush nuk ishte në gjendje që ta ndalte këtë krizë kombëtare të shikimit. Shkalla e miopisë vazhdoi të rritej. Sot, Singapori ka një shkallë miopie prej rreth 80 për qind te të rinjtë, ndaj quhet “kryeqyteti i miopive të botës”.

“Ne jemi marrë me këtë çështje prej 20 vjetësh. Tani në Singapor gati të gjithë janë miopë”- thotë Odri Kia, profesoreshë e asociuar dhe konsulente e lartë në Qendrën Kombëtare të Syve në Singapor (SNEC). Por ajo që ndodhi dikur në Singapor, duket se po ndodh tani në të gjithë botën.

Vendet me stile jetese në dukje krejtësisht të ndryshme, janë të prekura nga i njëjti fenomen befasues: rritja e shkallës së miopisë. Në SHBA, rreth 40 për qind e të rriturve janë miopë, nga 25 për qind në vitin 1971. Normat janë rritur në mënyrë të ngjashme në Britaninë e Madhe.

Por situata e tyre mund të konsiderohet si relativisht më e mirë po të krahasohet me adoleshentët dhe të rinjtë në Korenë e Jugut, Tajvan dhe Kinën kontinentale, ku normat e miopisë janë midis 84-97 për qind. Nëse vazhdojnë tendencat aktuale, në vitin 2050 gjysma e popullsisë së botës do të jetë miope.

Dhe ky problem po përhapet me një ritëm më të shpejtë se kurrë më parë. Miopia është rritur në mënyrë dramatike te fëmijët në Kinë, duke arritur në nivelet 76-90 për qind te fëmijët e shkollave”- thotë Kia. Në pamje të parë, ideja e një bote miopësh mund të mos duket si një problem madhor.

Tek e fundit, kur dikush përpiqet t’i shohë gjërat në distancë, ne kemi një mekanizëm rregullues të provuar tashmë: syzet. Por studiuesit paralajmërojnë se miopia nuk është diçka e mirë. Pasi ajo është një nga shkaqet kryesore të dëmtimit të shikimit dhe verbërisë së plotë.

Dhe fakti që fëmijët kërkojnë pak kohë për të zbuluar problemin dhe për ta korrigjuar atë, mund të dëmtojë aftësinë e tyre për të mësuar në shkollë dhe për të shijuar jetën e përditshme.

Po ashtu, mund t’i rrezikojë ndaj problemeve të ardhshme shëndetësore me sytë.

Ndërsa mosha tipike që një fëmijë të shfaqë miopinë është midis 8-12 vjeç, sot fëmijët po bëhen miopë në një moshë më të re. Sa më herët që një fëmijë të zhvillojë miopi, aq më shumë të ngjarë ka që ai të ketë një miopi të formës së rëndë në moshën madhore, gjë që mund të kërcënojë shikimin e tij, duke i shkaktuar probleme që lidhen me pjesë të ndryshme të syrit si glaukoma, shkëputja e retinës, kataraktet dhe makulopatia miopike.

Po cilët janë shkaktarët e kësaj krize globale? Gjenetika luan vetëm një rol të vogël. Ndërsa një histori familjare e miopisë rrit rrezikun që një fëmijë ta zhvillojë atë, një rast i vetëm gjenetik i miopisë është i rrallë, thotë Nema Gorbani-Mojarad, pedagoge në Universitetin e Bredfordit në Britani.

Përkundrazi, faktorët e stilit të jetesës mendohet të kenë një ndikim më të madh. Sidomos mungesa e kalimit të kohës jashtë dhe përqendrimi tek objekte të afërta për një periudhë të gjatë përmes një aktiviteti siç është leximi. Këta faktorë ndihmojnë për të shpjeguar pse një prirje krejtësisht pozitive në jetën e fëmijëve, ka përkeqësuar pa dashje përhapjen e miopisë: edukimi.

Sigurisht, edukimi në vetvete - në kuptimin e zbulimit të botës dhe fuqizimit të vetvetes përmes njohurive dhe aftësive - nuk shkakton një shëndet të dobët të syve. Ai shoqërohet me shumë efekte shëndetësore pozitive dhe të matshme. Por mënyra se si fëmijët e marrin atë në botën moderne, me orët e gjata të kaluara në klasa, duket se po e dëmton shëndetin e syve të tyre.

“Është treguar se arsimimi shkakton miopi. Ne dyshojmë se kjo ndodh për shkak të leximit për periudha të gjata dhe duke kaluar më shumë kohë në ambiente të mbyllura. Çdo vit shkollor e rrit nivelin e miopisë”-  thotë Gorbani-Mojarad.

Për të kuptuar këtë lidhje befasuese, duhet analizuar se si zhvillohet miopia. Shumica e foshnjave të porsalindura e fillojnë jetën me një shikim shumë të mirë. Brenda vitit të parë të jetës, sytë zhvillohen natyrshëm dhe largpamësia zvogëlohet deri në pikën që shikimi i tyre bëhet pothuajse i përsosur.

Pse ka një rritje globale të miopisë te fëmijët?

Por në disa raste sytë ndalojnë së zhvilluari dhe shfaqet miopia. Kokërdhoku i syrit bëhet shumë i tejzgjatur dhe nuk është më në gjendje të dallojë objektet në distancë pa ndihmën e një mekanizmi korrigjues siç janë syzet. Duket se qëndrimi në ambiente të mbyllura mund ta përkeqësojë këtë problem, ndoshta për shkak të mënyrës se si ndriçimi i brendshëm ndryshon nga drita natyrale.

Për këtyre arsye në Kinë janë kryer teste në klasa që imitojnë mësimin në natyrë. Në një studim të vitit 2017 nga Qendra Oftalmike në Zhongshan, fëmijët dhe mësuesit, preferuan klasat më shumë të ndriçuara që ngjasojnë me një serë, në krahasim me një klasë tradicionale.

Por në verë dhe në ditët me diell, intensiteti i dritës ishte problematik. Për më tepër këto lloj klasash janë gjithashtu 2 herë më të kushtueshme për t’u ndërtuar se një klasë e zakonshme, pjesërisht sepse kërkohen mekanizma ftohës.

Në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, normat e miopisë ende priren të jenë më të ulëta. Për shembull Bangladeshi dhe India raportojnë norma prej rreth 20-30 për qind tek të rriturit. Por kjo normë po ndryshon. Për shembull, në Afrikë miopia ishte dikur relativisht e pazakontë, por gjatë 10 viteve të fundit prevalenca e miopisë tek fëmijët është rritur me shpejtësi.

Por koha e kaluar shkollë nuk është domosdoshmërisht rrënja e problemit, dhe këtë e kanë treguar edhe bllokimet e pandemisë COVID-19.

Problemi është qëndrimi në ambiente të mbyllura. Gjatë bllokimeve, shkollat ??u mbyllën në të gjithë botën, por shëndeti i syve të fëmijëve u bë edhe më i keq. Ata qëndruan brenda shtëpive dhe kaluan orë të tëra duke parë ekranet, ose duke ndjekur klasat online, teksa u zhdukën format e tjera të të mësuarit dhe argëtimit.

Kina e ka kufizuar kohën e video-lojërave për fëmijët në një kohë të caktuar në javë. Por kjo masë u nxit kryesisht nga shqetësimet mbi ndikimin e perceptuar negativ të lojërave, në vend të vetë kohës para ekranit. Sa i përket lidhjes së mundshme midis kohës para ekranit dhe miopisë, provat nuk janë ende përfundimtare. Ekspertët rekomandojnë pajisjen e fëmijëve me syze të zakonshme, gjatë kohës që lexojnë apo shohin ekranet.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga