web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kiço Pela

29 Prill 2025, 18:48, Satire Boris Miska

Kiço Pela

Në shkallët e atij institucioni kishte vite pa u ngjitur, që kur e qarkulluan duke e transferuar në një nga fermat e njohura të Tiranës. Kishte punuar aty jo pak por plot gjashtë vjet dhe pikërisht kur ishte afruar shumë pranë ëndrrës për t’u bërë drejtor i zooteknikës e patën qarkulluar.

Sot kishte veshur një kostum të ri duke e kombinuar me një kravatë ngjyrë blu. 

Në dorë mbante zarfin me urdhërin e firmosur nga kryetari i degës së Partisë Demokratike për kryeqytetin, zoti Safet Mëzeshta.

Atë letër do ta dorëzonte në zyrën e personelit dhe pas saj do ngjitej një kat më lart dek dera me rimeso ku shkruhej: "Drejtoria e Zooteknikës" drejtori.

Zoti Safet ishte kujdesur ta përpilonte urdhërin në mënyrë sa më bindëse, ku theksonte se: Kiço Pela vinte nga shtresat e përndjekura dhe për kontribut të shquar në rrëzimin e komunizmit e meritonte të caktohej në atë pozicion të lartë.

Çdo gjë e pati llogaritur deri në detaj, por s’e kishte menduar kurrë që do shkëmbehej brenda ministrisë me Telon, kunatin e vet, i cili po zbriste shkallët me kokën varur e fytyrë të ngrysur. 

-Oooo po ti këtu, i foli me ironi duke u hequr si i paditur!

Telua shtrëngoi nofullat dhe një zot e di si e mbajti veten t’i fuste thonjtë në fyt atij tipi që nuk pati rreshtur së bëri kurrë intriga.

E patën nxjerrë nga dera e pasme me motivacion "si i paaftë" dhe transferuar në bazë e tani po rikthehej triumfator në derën kryesore të dikasterit të bujqësisë, jo si specialist i thjeshtë, por drejtor në vend të burrit të motrës, Verës, që aq shumë ia kishte ngatërruar jetën.

Telo i hodhi një vështrim përçmues nga koka te këmbët dhe vijoi zbritjen për të dalë sa më parë nga ai mjedis mbytës.

Mori frymë thellë sapo u ball me ajrin e freskët pastaj e zbrazi ngadalë sikur të donte ta shfrynte aty atë mllef të ngarkuar aq sa për pak nuk ia kishte shkrehur kunatit të vet.

Ishte nga natyra i kontrolluar, i matur dhe asnjëherë s’ia kishte lejuar vetes daljen jashtë kontrollit.

Kujtoi momentin e viteve më parë kur e gjeti Kiçon tek holli i hotel Tiranës dhe pasi dëgjoi nga goja e hipokritit ato fjalë që veç ai s’duhet t’i thoshte i ishte afruar fare pranë fytyrës pa lyrë duke i thënë:

-E di unë si e do ti, të të jepja një dru të mirë por ç’e do që jemi këtu në holl!!

Me kaq e kishte harruar, biles e pati bindur veten se Kiço Pela nuk meritonte më shumë se aq vëmendje. Fundja e donte se donte ishte vëllai i Verës me të cilën ai ishte martuar dhe kishin lindur dy fëmijë.

Tashti ndodhej në rrugë, jashtë dyerve të ministrisë, ndalur tek trotuari pa e përcaktuar se nga do shkonte.

Shefi i ri i personelit sapo u kishte komunikuar të gjithëdrejtorëve të dikasterit pa përjashtim shkarkimin nga detyra dhe daljen në asistencë si rezultat i reformës.

Motivacioni kishe qenë i thatë: ‘arsye reforme’ me qëllim mos lënien e asnjë shtegu për t’iu drejtuar gjykatës prej të cilës mund të lypte të drejtën. 

Në katin e tretë Kiço Pela qëndronte i mbështetur tek parvazi i dritares duke vështruar me ngazëllim largimin Telos, i cili nuk i duhej dhe për të nuk përbënte asnjë problem.

Në ditët e dhjetorit Kiço Pela ishte ndër të parët që u ngjit me etje rrugicave të qytetit Studenti, atje ku zjenin në flakë ndryshimet e pamenduara. 

Nuk ishte mjaftuar si turma me brohoritjet e dy gishtat përpjetë, por nuhatja e kishte kërkuar të futej brenda në sallë, aty ku shkruhej, flitej, aty ku ndaheshin thelat, ku hidhej firma.

-Kush jeni ju, i ishte drejtuar një djalë i ri, student, i cili bënte rolin e mbajtësit të një protokolli ku shënohej emri i çdo nismëtari, profesioni dhe arsyeja pse e urrente regjimin.

-Jam Kiço Pela, i qe drejtuar me zë gjoksi djaloshit shkrues.

-Vijë nga një familje patriote, nga shtresat e persekutuara, i internuar në fshat, jashtë Tirane.

-Shkruaj.. dhe me gisht i ishte afruar studentit aq pranë tek fleta sa ishte gati në etje t’ia rrëmbente stilolapsin e nxehur si dita.

-Internuar për shkaqe politike, motra e martuar me një burrë me biografi të keqe, sepse një dajo e kishte patur me Ballin Kombëtarë.

Kujtoi kohën kur kishte trilluar biografinë dhe i kërkoj me ngulm Verës të ndahej nga Telua!

-Sa largpamës ke qenë, e lëvdoj veten dhe u kthye për t’u ulur në karrigen e drejtorit të zooteknikës, pikërisht në atë post që i ishte mburrur vite më parë së motrës; 

Unë i njoh aftësitë e mia, sot jam specialist i thjeshtë, pse mos synoj për më lart!!/ CNA

 





22:33 Satire Lolita

Letër nga burgu 3

Gëzuar 7 marsin të dashur mësues të 40 shkollave të ndërtu...

17:55 Satire Lolita

Letër nga burgu 2

Të dashur miq dhe armiq, kolegë dhe ish kolegë të SPAK-ut ...

16:43 Satire Lolita

Letër nga burgu

Të dashur qytetarë, ndërtues, këngëtarë, gazetarë me rroga...

12:08 Satire Boris Miska

Breçkat e turistes

Po shkonte ora dhjetë e askush nga djemtë e Breshkës nuk l...

Lajmet e fundit nga