web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

‘Këndezi’ i Zylos!

15 Prill 2025, 20:25, Satire CNA

‘Këndezi’ i Zylos!

Zylo Ramiziu rrufiste kafen para klubit të fshatit, ishte ditë me diell dhe gjethet e para sapo kishin sythur. Operativit i pëlqente t’i këndonte aty gazetat me filxhanin e kafesë e një gotë raki përpara, i bënin shoqëri herë kryetari i koopetrativës, herë ndonjë tjetër nga paria.

Por atë mëngjes e patën lënë në qetësi, po i hidhte një sy revistës përmujore ‘Në shërbim të popullit’.

Preferonte rubrikën letrare, sidomos poezitë, i lexonte me qef të gjitha vargjet edhe pse shumë autorë nuk i njihte fare.

Në faqet e fundit e tërhoqën ca strofa të shkurtëra për meselenë e ditëve më parë, ngjarë në Yçenisht.

Që me nat’ë u zgjua fshati,

Oh ç’të madh kemi gëzimnë,

Do mbërthejm’ ne sot Reshatin,

Do këndojm’ për Sigurimnë!

 

Yçenishti seç hedh valle,

S’e Reshatn’ë e zbuloi,

Do i dëndim plot hambarët

Ne armiqtë t’i tërbojmë...   Vjershëtori pioner, Faslli Belliu.

Uli revistën mbi tavolinën prej llamarine dhe i bëri zë klubaxhiut.

-Xhipe, pa hajde një herë këtu!

Burri i shkurtër la gotat e filxhanët që po i lante dhe duke fshirë duart me mësallë u qas i trembur sa hap e mbyll sytë tek operativi.

-Ore, i kujt është ky djali që paska shkruar kaq bukur për leqendisjen që i bëtë Reshatit!

I habitur Xhipja hodhi sytë mbi revistë dhe lexoi emrin e Faslliut...pionerit vjershëror....!

-Shef, nuk e kemi tonin, nga llagapi duket se është nga fshati sipër, Qorrishti, ata janë të gojës, i ke për këngë e valle...i ke edhe për..!

-Shejtani, e ndërpeu i befasuar operativi, qenka i zoti!

Para se ta lëshonte kafexhiun e porositi që kur të dalin fëmijët nga shkolla t’ia sillnin pionerin ta shikonte vetë.

Xhipja nuk priti këmborën e vogël të mbarimit të orës së mësimit, por i bëri zë të parit nxënës që zuri aty afër dhe diçka i tha.

Zyloja rrinte vetullngrysur, ngaqë ia njihte tipin klubaxhiu nuk e pati shqetësuar, i kishte bërë kafenë me pak siç e deshte ai dhe pa e porositur i’a mbushi kupën me raki që t’ia largonte marazin.

Në analizën vjetore kryetari i degës e pati kritikuar rëndë Zylon për rezultate të dobta në atë zonë.

-Ti, i kish thënë me gishtin e drejtuar, mban përgjegjësi jo vetëm për mos përmbushjen e planit të arrestimeve e për rekrutimet, por edhe për rezultatet e dobta në drith që ka ajo ekonomi, biles tek kjo e fundit ca më shumë se i kemi premtuar partisë që do e realizojmë bukën.

Zylo ishte kapërdirë pa folur, nga toni i shokut Asllan e kishte nuhatur se punët nuk i kishte hiç mirë.

-T’u sos uji i gamiles më duket, e ngacmuan kolegët kur dolën në pushim për kafe.

-Bëje planin Zylo vëllai, ngrije vigjilencën, shkruaj ca gjëra se e hëngre!

U ngjit të nesërmen pa zbardhur në Yçenisht e shkoi tek zyrat e kooperativës, thirri kryetarin e këshillit dhe sekratarin e byrosë.

Kryetari i kooperativës dukej më i vrerosur se operativi. Edhe atë në rreth para ca ditësh e kishin bërë për ujë të ftohtë, o planin o dorëzo çelsat, një llaf goje të ikje nga ajo detyrë, kushedi se nga do e degdisnin, agronom të thjeshtë në ndonjë katund prapa malit!

Për orë të tëra qanë hallet e njëri-tjetrit, në fund operativi i zonë zbuloi një shteg nga e cili do dilnin të gjithë të fituar.

Zylo Ramiziun e kishin sinjalizuar në rrugë operative se Reshat Shkreta roja i koçekëve të misrit çdo natë kur ikte për në shtëpi mbante një trastë nën sqetull, por se çfarë kishte aty brenda ajo gjë e leshtë askush nuk dinte t’ia thoshte.

Operativi porositi kryesinë ta kapnin Reshatin me ‘preshë’ në dorë, ma sillni këtu e pastaj di unë se çfarë bëj me të.

Nuk duhej ta mbërthente vjedhësin ai edhe pse e kish zbuluar, por vetë kooperativistët, vetëm kështu e ndanin Reshatin në dysh si sukses. Një gurë dy zogj, Zyloja fitonte arrestimin, kryesia zbulonte sabotatorin, shkakun e mosrelizimit të drithrave.

Të nesërmen sipas planit-operativ të aksionit për kapjen e hajdutit, tre burra të besuar sa ra ngrysja e ditës u fshehën nëpër gëmusha e po prisnin çastin që gjahu të binte në leqet e ngritura.

Pa aguar Reshat Shkreta si përnatë hapi derën e drunjtë, doli nga koçekët duke u shtriqur prej gjumit të rëndë, përmori tek hunjtë, hodhi sytë majtas e djathta, i futi një pordhë, kyçi hangarin, hodhi mbi sup trastën dhe u nis i pa qederosur për në shtëpi.

Në orën shtatë të mëngjesit Reshatin e zverdhur si tre misrat që i gjetën në torbën e leshtë, e kishin izoluar tek zyra e dezhurnit, po prisnin të vinte i plotfuqishmi i zonës, operativi dhe drejtuesit e kooperativës.

I pari erdhi Zylo Ramiziu, shtyu derën i hodhi nje sy Reshatit e provave, nuk foli fare dhe u ngjit në zyrën e kryetarit. Pas tij me radhë të gjithë u mblodhën lart.

I vetmi qe u fut tek kolibja e ngushtë, që kishte veç një karrige me tre këmbë dhe një sobë të vogël ishte i plotfuqishmi, i cili nxori nga çanta disa letra e një stilograf dhe filloi të shkruante.

Të gjitha sendet që i zunë Reshatit ishin vendosur mbi karrigen e vjetër çalamane; torba me kallinjtë e misrit, çelsat e magazinës, çakmakun me benzinë, kutinë e duhanit, një kartëmonedhë tridhjetshe të vjetër, triskën e frontit, librin e grisur pa kapak në italisht, biçakun dhe shaminë e palarë të hundëve.

Shikonte provat, i regjistronte tek fletorja, në fund pasi mbaroi punë me kartat i’a zgjati Reshat Shkretës pa gjak në fytyrë dhe i tha; firmos këtu.

Në drekë e gjithë paria e mbledhur tek kati i dytë zbriti dhe u drejtua nga qendra e fshatit atje ku ishin grumbulluar kooperativistë, nxënës shkolle, ndihmës mjeku, infermjerja dhe mamia e Yçenishtit, mësuesit, veterineri dhe agronomi, shitësi i bukës dhe kafexhiu që ishin urdhëruar t’i mbyllnin dyert.

Tek tavolina e dekoruar me beze të kuqe qëndronte vetëm kryetari i frontit i cili hapi mbledhjen.  U foli kooperativistëve për rritjen e vigjilencës, mbrojtjen e pronës së përbashkët dhe mobilizimin për ta mbyllur me sukses realizimin e planit të drithrave.

Tani, i’u drejtua fshatarëve, të ngihemi e ta dënojmë njëzëri aktin e ulët të antarit të pandërgjegjshëm të kooperativës sonë, Reshat Shkretës.

Në turmën para tij kishte rënë hija e keqe dhe askush s’po reagonte, sytë e të gjithëve ishin ngulur mbi rojtarin e gjorë bërë një grusht, mezi po qëndronte në këmbë në krah të policit fuqiplot.

Asnjeri s’po e besonte që Reshati i urtë dhe pa llafe ta kishte ngrënë atë turp!

-Kush e do fjalën, foli sërish kryetari dhe godiste i nervozuar me gisht mbi bezen e kuqe të tavolinës së improvizuar.

Turma tronditi ca brenda vetes por asnjë dorë s’po ngrihej, Reshati ishte bashkëfshatar i tyre, njeri me halle dhe një tufë fëmijë që mezi po i rriste, nuk trazonte askënd, shikonte punën e tij, askush s’e njihte për të tillë.

Operativi i zonës Zylo Ramiziu pati piketuar njerëzit që do flisnin në atë demaskim. Ngriti kokën dhe po kërkonte me sy t’i gjente ata mes turmës, shikimi i ndeshi tek fshatari nga Qorrishti, Rakip Belliu, i’a bëri me shenjë duke ngritur pak vetullat.

Burri nga fshati fqinjë në krah të cilit qëndronte një nxënës shkolle, ngriti dorën dhe filloi të fliste me zë të lartë, shumë i nxehur për xhestin e ulët të Reshat Shkretës, i cili jo vetëm që vidhte pronën e përbashkët, por atë e bënte për ta sabotuar ekonominë socialise, sipas llafeve të tij ky qe shkaku që nuk i realizonin shifrat e planit.

-S’e paskemi ditur që i paskemi varuar ujkut mëlçitë, e mbylli të folurën!

Fjalët e Rakipit e rënduan shumë rojen e koçekëve sepse të gjithë e panë se kryetari i frontit dhe operativi i zonës rendën ta shenonin në bllokun e tyre akuzën e fshatarit prej Qorrishti.

Pasi heshti goja e çuditëshme e Rakipit nga e cila qenë cerkalur gjithë ato fjalë të këqia, u dëgjua një e folur e çjerrë në cep, afër ambulancës së fshatit.

-Me lejeee!!

Kokat e turmës së shtangur u kthyen andej nga erdhi zëri i padëgjuar, askush nuk e njihte, s’e kishin parë ndonjëherë, nuk ishte nga Yçenishti, as nga fshtrat përreth, ndaj filluan pëshpëritjet, aq sa krytari i frontit përplasi me pëllëmbë fort tavolinën dhe thirri të mbahej qetësi.

Kërkuesi i fjalës u skuq dhe nguti të prezantohej.

Ngaqë e kishte zërin e nakatosur e nuk po ndihej mirë, drejtuesi nga presidiumi i tha të dilte përpara e ta ngrinte ca volumin, njëkohësisht e goditi tavolinën me bezen e kuqe duke lypur prap qetësi.

-Unë, filloi sërish të fliste anonimi, jam prej Matanishtit, nga ana tjetër e liqenit buzë malit të Thatë, por shkoj shpesh natën këndej se dërgoj libra e gazeta tek çobenët tanë në mal.

Një herë po kaloja tek depot e drithit, dëgjova zhurmë dhe u qasa të shoh çfarë ishte. Brenda pashë këtë burrin që është në krah me shokun polic, ai po këndonte diçka poshtë kandilit.

Trokita, ky sa më dëgjoi mua fiku llambushkën, e fshehu librin dhe doli tek dera, nuk më ftoj të hyja brenda, biles ishte si i trembur, hodha sytë ta shihja qitapin por s’e gjeta e kish futur poshtë velenxës.

-Ç’a mendon ti se ishte ai libër që Reshati nuk ta tregoi, e ndërpreu kryetari i frontit!

-Po gjë e ndaluar qe o kryetar, ai po këndonte gjë të ligë, s’kish pse e fshinte!

Turma lëvizi sërish, matanishtasi sapo kish hedhur fajin tjetër, më të rëndë për Reshat Shkretën, ndaj sytë e tyre shikonin herë rojen e zbardhur, herë burrin e ngazëllyer nga përtej liqenit.

Kryetari dhe operativi ngutën sërish ta shënonin tek blloku atë ç’ka shpifi i panjohuri për Reshatin e gjorë.

Korrieri nga Matanishti u fsheh sërish atje nga ishte shfaqur, të gjithë lëvizën për t’i bërë udhë të trembur mos i prekte, a thua se kish sëmundje të keqe.

Foli dhe dikush tjetër, një ydenishtas në moshë, i cili u mundua ta lironte ca Reshatin e varfër nga kapistalli i akuzave që e patën shtrënguar aq shumë.

Kryetari i frontit i’a bëri me dorë të ulej porsa e pa që ai po mekej e hezitonte të shtyhej më tej në mbështetje të rojes së koçekëve.

Në fund diskutoi pioneri që rrinte në krah të Rakipit nga Qorrishti, ishte i shkurtër ndaj e nxorrën të llafoste në presidium në krah të kryetarit.

Pioneri fytyrgjerë me flokë të pakrehura dhe shallin e lëbyrur prej moslarjes u zotua para shokëve të kryesisë, kooperativistëve, se do ishin vigjilentë, do mësonin t’ia shpërblenin partisë dhe do shërbenin kudo t’i kërkonte atdheu socialist.

Veç kryetarit e disa shokëve të klasës askush nuk e duartrokiti edhe pse fjalët e fundit i recitoi me pathos dhe grushtin e ngriti lart.

Operativi Zylo Ramiziu po e vëzhgonte me kujdes, e ndoqi me sy derisa ai ndali në krah të dëshmitarit të parë që i mallëngjyer i rrahu shpatullat pionerit.

Kryetari në sosje u ngritur në këmbë rreshtoi edhe një herë fajet ndaj Reshat Shkretës me premtimin që kjo që ndodhi të na behet mësim, do i shkruajm një letër partisë ku ta informojmë e t’i zotohemi në plotësimin e planit të drithërave.

Mbledhja u mbyll nën zymtësinë e prangosjes së Reshat Shkretës dhe kërrcitjen e hekurave që i mbërthyen duart që i dridheshin.

Çdo gjë kishte shkuar sipas planit operativ të Zylo Ramiziut, qe zbuluar sabotatori, shkaktari i mosrealizimit të drithrave, njëkohësisht ishte shenuar edhe suksesi i punës së tij zbuluese.

Mbetej edhe ajo tjetra, e flamosura, i duhej t’i jepte shokut Asllan emrin e një bashkëpunëtori të ri.

Operativi sërish i mërzitur nuk kishte lëvizur nga tavolina dhe po rrinte në diell jashtë kafenesë, me teken e dytë të rakisë që i’a kishte sjellë pa i’a lypur Xhipja.

-E kam nga ajo e shtëpisë, moskat, ka dalë shumë e mirë, i pëshpëriti kafexhiu tek veshi.

Revistën ‘Në shërbim të popullit’ e përfundoi me nge nga faqja e parë tek e fundit dhe e la të kthyer së prapthi mbi tavolinë.

Dëgjoi këmborën e vogël që përdorej si zile e mbarimit të orës së mësimit.

Grupe fëmijësh rendën para tij me potere, ishin të vetmit që nuk donin t’ia dinin për të, ndaj ai po i shikonte vëngër sikur të tentonte t’ua regjistronte fytyrat me të cilat do të merrej më pas.

Nga kjo mëri e shkëputi zëri i një fëmije që i tha.

-Ky është Faslli Belliu që kërkove ti shok!

Zylo Ramiziu po e shikonte, s’po e sillte ndërmend s’e diku e kishte parë nxënësin!

Ndyshe nga fëmijët e shkollës që i shkuan indiferentë operativit të zonës para tavolinës me gotën e rakisë, i riu i sapoqasur dukej tjetër, po e shikonte në sy me admirim.

U kujtua, atë djalë e kishte parë në mbledhjen e fshatit kur demaskuan Reshat Shkretën, ishte pikërisht ai që Rakipi sinjalizuesi i tij i pati rrahur shpatullat pasi foli me aq zjarr kundër armikut të sapozbuluar.

-Nga je ti, e pyeti djalin që po priste i ngazëllyer në këmbë përpara tavolinës së operativit të zonës!

-Nga Qorrishti, nguti të përgjigjej.

-Aa ti je pioneri Faslli Belliu, djali i Rakipit!!

-Pioneri tundi kokën i befasuar që operativi e gjeti aq shpejt se i kujt ishte dhe nga cili fshat qe.

Zylo afroi karrigen tjetër prej metali që djali të ulej dhe i kërkoi kafexhiut t’i sjelli diçka.

-Sot do e darovis unë këtë poetin e ri.

E shikonte në sy dhe filloi t’i recitonte vjershën, pa i parë fjalët në revistën e ministrisë së brendshme.

Që me nat’ë u zgjua fshati,

Oh ç’të madh kemi gëzimnë,

Do mbërthejm’ ne sot Reshatin,

Do këndojm’ për Sigurimnë...

Faslliu shqeu sytë, gati i mpirë nuk po u besonte veshëve që operativi i zonës t’i kishte mësuar përmendësh strofat e tij.

Kafexhiu solli një gotë ujë dhe dy kurabie me atë shtresën e kuqe sipër.

-I meriton djali këto kulaçka shoku Zylo, një e ka nga yve, tjetrën pe meje!

Faslliun e kishte marrë uria, prej shtresës së ëmbel sipër kurabijeve filloi t’i lëngëzohej goja dhe mezi po përmbahej t’i kullufiste aty para operativit.

Duart i’u djersitën, ndaj i uli poshtë për të mos i’a parë burri me aq autoritet që ai s’kishte takuar asnjëherë.

Rendi sapo operativi i tha që të ikte për në shtëpi mos bëhej vonë dhe t’i bënte të fala Rakipit.

Kurabiet me sheqerin e kuq sipër i gëlltiti sapo kaloi korien përtej nga nuk dukej as klubi ku ende po rrinte me gotën e tretë Zylo operativi i menduar.

Mëngjesin tjetër Rakipi e kish zgjuar herët të birin edhe pse ishte e dielë, ai nuk kishte shkollë.

-Këtu në torbë kam vënë ca mashurka e patate pe kopshtit, një shishkë raki, do i’a japësh operativit se ai sot zbret në qytet e t’ua shpjerë fëmijëve.

Çapu sipër e zere këndezin e madh që ta marrësh edhe atë më vete.

Faslliu asnjëherë s’ia bënte fjalën dysh babait, vrapoi pas shtëpisë, pa pritur që gjeli të zbriste nga pula që sapo kishte vënë poshtë, e mbërtheu në befasi dhe i’a shkundi puplat e ndotura me pluhur e kashtë.

Gjeli i pashfryrë tentoi të çlirohej prej duarve të djalit por ishte e pamundur, ndaj filloi të lëshonte një zë të trishtë, sa të rrënqethte mishtë.

Rakipi e zuri këndezin prej krahësh, i’a lidhi fort këmbët e gjata në ngjyrë të verdhë dhe i’a vendosi të birit poshtë sqetullës duke e porositur ta mbante shtrënguar mirë gjithë rrugës.

-Dhe mos harro bir i babait, jepi të fala pe meje shokut Zylo, more vesh, c’e mos nuk i’a thua e na bën me turp...!

Operativi së bashku me kryetarin e kooperativës pasi hëngrën mëngjesin kishin dalë para klubit të fshatit, po pinin kafenë e parë. Ishin të çliruar, pa atë makthin e dikurshëm kur patën marrë paralajmërimet e forta nga shefat e tyre.

Për fat një Reshat Shkreta i kishte shpëtuar të dy, ai burrë qe treguar bujar pasi tek roja i koçekëve me misër ata gjetën zgjidhje si për mosplotësimin e prodhimit të drithit ashtu edhe për mosrealizimin e plan-arresimeve.

Trokitën për suksesin gotat me rakinë e Xhipes që e kish sjellë nga shtëpia dhe e shërbente vetëm për raste të rralla si kjo e kësaj dite.

Pas cakrrimit të kupave prej qelqi u shfaq mbi korie silueta e Faslli Belliut me trastën në dorë dhe këndezin e shtrënguar poshtë sqetullës.

Pioneri i vargjeve për sigurimin po afrohej, Zylo operativit seç i sythi një ide, nuk po gjente emër për bashkëpunëtorë, këtë duhej së paku deri nesër t’ia raportonte shokut Asllan.

Djali dukej ende i parritur, nuk e kishte shtatin për ta marrë në përpunim, por i kishte të gjitha premisat, pas pak vitesh do e ujdiste me merak.

Teksa Faslliu afrohej, Zylo operativi shikonte herë fytyrën e tij me deformimet e adoleshencës, herë këndezin nën sqetull.

I pari mendim që i erdhi ishte llagapi i fshehtë:

‘Këndezi’.

Nuk e kishte pagëzuar operativi, por vetë vjershëtori që e pati sjellë të gjallë nën sqetull, s’do i’a ndryshonte.

Gjeli ishte kurbani i parë që ai po bënte së bashku me sihariqin që i dha vetes ngaqë e kishte gjetur më në fund emrin e bashkëpunëtorit që do i’a referonte kryetarit të degës sapo të zbriste në qytet.

U kthye nga burri pranë dhe përplasi i gëzuar kupën. Prej ngazëllimit e rrënkëlleu rakinë me eks dhe e theu gotën në murin e klubit.

Pjesë nga libri ‘HUMOR NË PRUSH’./ CNA





22:33 Satire Lolita

Letër nga burgu 3

Gëzuar 7 marsin të dashur mësues të 40 shkollave të ndërtu...

17:55 Satire Lolita

Letër nga burgu 2

Të dashur miq dhe armiq, kolegë dhe ish kolegë të SPAK-ut ...

16:43 Satire Lolita

Letër nga burgu

Të dashur qytetarë, ndërtues, këngëtarë, gazetarë me rroga...

12:08 Satire Boris Miska

Breçkat e turistes

Po shkonte ora dhjetë e askush nga djemtë e Breshkës nuk l...

Lajmet e fundit nga