web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Të vrarë në Bozhaj më 1941/ Inaugurohet memoriali i 26 shqiptarëve në Mal të Zi

20 Gusht 2025, 15:48, Qyteti im CNA

Të vrarë në Bozhaj më 1941/ Inaugurohet memoriali i 26

Inaugurohet memoriali në Bozhaj të Malit të Zi, në nderim të 26 shqiptarëve të vrarë nga ushtria jugosllave 84 vite më parë. Pas 4 vitesh punë, memoriali u përurua duke përkujtuar kështu ngjarjen e fillim prillit të vitit 1941, kohë kur ish-Jugosllavia kapitulloi në Luftën e Dytë Botërore.

Historiani Mark Junçaj, si dhe një prej organizatorëve, Luigj Junçaj, shprehen se për 80 vite kjo ngjarje u la në harresë të plotë, ndërsa asnjë prej qeverive jugosllave apo malazeze nuk kanë kërkuar falje.

“Këtë vit është 84-vjetori i masakrës së vitit 1941, masakër e kryer nga qeveria jugosllave me qëllim dobësimin e elementit shqiptar në këto troje. Inaugurimi i këtij memoriali është dëshmia më e mirë e ngjarjes në fjalë dhe nuk lejon që ky krim ndaj malësorëve, të cilët ishin fajtorë vetëm se ishin shqiptarë, të harrohet. Jeta e banorëve të gjysmës së Malësisë që mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë do të jetë tejet e rënduar, ashtu si ndaj popullsisë malësore do të kryhen persekutime, burgosje dhe vrasje.

Si pasojë e kësaj politike antishqiptare kemi edhe shpërnguljen e shumë familjeve dhe krijimin e vendbanimeve të reja në rrethinat e Shkodrës, siç është rasti me Hotin e Ri, Grudën e Re, etj. Shteti i ri, mbretëria serbo-kroato-sllovene, e njohur pastaj edhe si Mbretëria e Jugosllavisë, do të vazhdojë politikën e vjetër antishqiptare, ku kemi edhe masakrën e vitit 1919, me vrasjen e mbi 70 hotjanëve të cilët kërkonin vetëm bashkimin me Shqipërinë. Kjo gjë nuk ndryshon as më vonë sepse Jugosllavia u mundua që të bëjë edhe asimilimin e shqiptarëve në Malin e Zi, duke mos lejuar as arsimimin në gjuhën kombëtare dhe e dimë se një pjesë për shembull e shqiptarëve të Tuzit, është në asimilim e sipër. Ushtria jugosllave kishte qëllime që përmes Malësisë të hidhej në Shqipëri dhe atje të luftonin kundër italianëve dhe po ashtu kishte vendosur kapjen e meshkujve shqiptar dhe pushkatimin pa gjyq, çka edhe ndodhi, pa shikuar moshën apo gjendjen shëndetësore.

Disa nga familjarët i kanë kërkuar të pushkatuarit, por nuk kanë arritur që t’i gjejnë lehtë. Jam i bindur se sikur Jugosllavia të mos kapitullonte për 11 ditë, numri i të vrarëve do të ishte edhe shumë më i madh. Për 80 vite, kjo ngjarje, deri në vitin 2021 nuk është përkujtuar fare. Memoriali që po inaugurojmë nuk do të na lejojë që kjo ngjarje tashmë të mbesë në harresë, por do të përjetësojë malësorët që u pushkatuan vetëm për shkak të përkatësisë kombëtare. Sa i përket faljes, asnjëra prej qeverive më vonë, jugosllave dhe as malazeze, nuk kanë kërkuar falje. Nuk duhet të harrojmë të kaluarën sepse ai popull që harron të kalurën, rrezikon të zhduket”,-tha Junçaj. 

 “Ju uroj mirëseardhjen në këtë ditë të inaugurimit të memorialit kushtuar të pushkatuarve të prillit të vitit 1941. Ky park ku jemi sot nuk është thjeshtë vend pushimi apo zbukurimi, por mbi të gjitha është një vend kujtese dhe nderimi i ngritur për të mos harruar kurrë ata që u pushkatuan padrejtësisht nga ushtria armike pa gjyq dhe pa faj, vetëm se ishin shqiptarë dhe në trojet e veta autoktone. Me këtë vepër përkujtuese, ne i nxorëm ata përgjithmonë nga humnera e harresës dhe i rikthyem aty ku e kanë vendin, në zemrën e historisë dhe ndërgjegjes sonë kolektive. Ky park është një dëshmi që kujtesa nuk vdes dhe sakrifica e tyre nuk do të harrohet kurrë. Ata tani janë të pavdekshëm, jo vetëm në gurë e pllaka, por edhe në shpirtin e popullit”,-tha Luigj Junçaj.

Të vrarë në Bozhaj më 1941/ Inaugurohet memoriali i 26

Disa prej familjarëve të 26 viktimave të pushkatuar pa gjyq nga ushtria jugosllave e kohës u shprehën se trupat e pajetë u gjetën rastësisht pasi një tufë korbash fluturonte mbi kufomat.

“Sot jam këtu si nip i Marash Martinit, njërit prej viktimave të vitit 1941. Gjyshi im, si shumë të tjerë, nuk qe as fajtor, as armik, por qe një bir i thjeshtë, një babë, një vëlla që e ndanë nga jeta në mënyrën më të padrejtë dhe u pushkatuan vetëm se i përkisnin një emri, një identiteti, një kombi shqiptar.

Për shumë vite me radhë, për familjen tonë, si për shumë familje të tjera, mungesa e këtyre viktimave nuk ishte vetëm një dhimbje personale, por edhe një heshtje e imponuar prej historisë. Kanë dalë për t’i kërkuar dhe rastësisht kanë parë korbat që po silleshin në gropën e gëlqeres, ku i kishin hedhur dhe e kanë marrë kufomën duke e varrosur në varrezat tona familjare. Kjo heshtje me këtë memorial po thyhet dhe po i japim drejtësi kujtimit të të gjithë atyre që nuk patën mundësi për të folur për veten.

Memoriali nuk është vetëm për të kaluarën, por edhe për të na kujtuar se çfarë kemi humbur, çfarë duhet ruajtur dhe se çfarë nuk duhet kurrë për ta lejuar që të ndodhë sërish. Kam një porosi për brezat e ardhshëm, mos harroni kurrë ngjarjet e mëdha. Duhet të përkujtojmë të kaluarën, të ndërtojmë dhe rrëfejmë historinë siç ka qenë dhe t'i dalim Zot të vërtetës”,-tha Zef Dedvukaj.

Të vrarë në Bozhaj më 1941/ Inaugurohet memoriali i 26

“Jam Jak Preçetaj, nip i Lukë Prelës, që u nis të pushkatohej edhe ai, por pati Zotin me vete dhe ia shpëtoi jetën, por na u dëmtua një djalë i ri, nipi i djalit të Prelës, 20 vjeç, Marash Kolë Preçetaj dhe na la një brengë të madhe para 84 vitesh.

Nëna e Marash Kolës nga Gradeci, një grua sojnike, bijë prej Brigjes së Hotit vjen për të marrë trupin e djalit të saj këtu në Bozhaj, por ishte e pamundur, plumbat fishkëllenin kudo dhe ajo vendos që ta varroste me ndihmën e vëllezërve hotjanë këtu në varrezat e Bozhajve, me shpresën që me kalimin e kohës do ta zhvarroste për ta çuar në Gradec, por ajo që ndodhi ishte tragjike sepse kufiri u mbyll në mënyrë hermetike dhe ajo grua e mori brengën e vet në shpirt në varr. Janë bërë përpjekjet që t’i zhvarrosim dhe t’i çojmë në Gradec, por ata dëshmitarë kur është bërë varrimi në Bozhaj kanë vdekur të gjithë dhe mbeti si një përjetësi e harruar.

Faleminderit atyre që kanë ideuar dhe mundësuar këtë memorial kaq domethënës për Hotin, Grudën e Kastratin. Nuk ka gjë më të madhe sesa kur të vijë dita e të shumtëve, ne të dimë se ku ta ndezim një qiri që të mos mbesin në harresën e përjetësisë”,-tha Jak Preçetaj.

Të vrarë në Bozhaj më 1941/ Inaugurohet memoriali i 26

Nga 26 të vrarët në Bozhaj, kufiri i sotëm mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, 10 prej tyre ishin nga Malësia e Madhe, ndërsa 16 të tjerë nga fshatrat shqiptarë në territorin malazez, mes të cilëve edhe një grua. Ndërtimi i memorialit u realizua totalisht në mënyrë vullnetare nga dhurimi i tokës 1200 m2 nga familja Junçaj, projekti i arkitektit Gjergj Gojçaj dhe fondet e dhuruara nga shqiptar brenda e jashtë vendit./CNA





Lajmet e fundit nga