web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Korça në Luftën e Parë Botërore"/ Së shpejti konferenca shkencore për Llazar (Zai) Fundon

8 Dhjetor 2024, 17:26, Qyteti im CNA

"Korça në Luftën e Parë Botërore"/ Së

"Korça në luftën e parë botërore, vetëqeverimi dhe zhvillimet socialë ekonomikë" - kështu është quajtur konferenca shkencore ndërkombëtare e zhvilluar për dy ditë radhazi në qytetin e Korçës.

Një konferencë që ka berë bashkë autorë të ndryshëm të cilët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet e rëndësishme historike të periudhës së luftës, me rreth 25 kumtesa që janë shfaqur në ambjentet e universitetit Fan Noli.

Kjo konferencë ka ardhur si bashkëpunim i Këshillit të Qarkut me Universitetin e Korçës, dhe me atë të Tiranës, në 110-vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore dhe me 108 vjetorin e shpalljes së krahinës autonome të Korçës.

Kryetari i Këshillit të Qarkut Erjon Nexhipi ka treguar për Cna Tv qëllimin e kësaj konference, ndërsa ka theksuar se do të ketë edhe të tjera pasuese për figura emblematike si Llazar Zai Fundo, për të nxjerrë në pah vlerat e këtyre njerëzve si edhe për të zhvilluar më tej rajonin.

"Ky vit shënon 110 vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore dhe 108 vjetorin e shpalljes së krahinës autonome të Korçës. Këshilli i Qarkut në bashkëpunim me universitetin, në vazhdën e aktiviteteve që ka zhvilluar këtë vit, organizon dhe këtë konferencë shkencore, duke ftuar 30 autorë me rreth 25 kumtesa  për të hedhur dritë mbi ato zhvillime historike, që i përkasin kësaj periudhe shumë të rëndësishme të historisë sonë. Bashkëpunimi me Universitetin e Korçës është i qëndrueshëm dhe për vitin që vjen në kemi parashikuar konferenca të tjera. Ndër to është konferenca për filantropët korçarë, konferenca për një figurë emblemantike si Zai Fundo. Gjithashtu kemi të parashikuar një konferencë ndërkombëtare që përkon në 55 vjetorin e themelimit të Universitetit të Korçës, konferencë multidisiplinore për prioritetet e zhvillimit të rajonit tonë. Kemi dhe aktivitete të tjera që besoj do i shtojnë vlerë punës sonë të përbashkët për zhvillimin e Rajonit të Korçës."

Pjesë drejtuese e kësaj konference ka qenë Prof. Dr. Valentina Duka, e cila ka treguar më tepër detaje lidhur me këtë aktivitet shumë të rëndësishëm për historinë e Korçës. Fillimisht, Duka thotë se Korça gjatë luftës së parë botërore u pushtua nga francezët, ndërsa Shqipëria nga austro-hungarezët dhe italianët të pocizionuar në veri e jugperëndim. Ndonëse zona më e vogël, Korça ishte më e rëndësishmja. Ndër të tjera, Duka thotë se ndihet krenare për patriotët korçarë që i kanë dhënë shumë vendit tonë.

"Konferenca që organizohet sot, organizohet nga Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me shumë universitete të tjera publike në Shqipëri dhe jo vetëm, edhe në habitatin ku flitet shqip sepse kemi kolegë edhe nga universiteti i Kosovës, nga universitetet e Maqedonisë së Veriut. I kushtohet 110 vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore me të cilën Korça është shumë e lidhur, sepse Korça gjatë kësaj lufte bashkë me rrethinën që u pushtua nga fancezët, ishte zona më vogël e luftës së parë botërore sepse pothuajse Shqipëria politike u pushtua nga austro-hungarezët në veri, jugperëndim nga italianët dhe juglindje nga francezët. Pavarsisht se ishte zona më e vogël, është nga zonat më të rëndësishme. Unë sa herë i qasem akademikisht historisë së qytetit realisht bëhem shumë krenare për vendlindjen time, për patriotët korçarë që i kanë dhënë kaq shumë çështjes kombëtare, arsimit, kulturës dhe shtetformimit shqiptar."

Valentina Duka tregon më tej se Korça ishte në një varfëri shumë të madhe në vitet 1916 kur krijuan republikën e tyre që ishte sfida më e madhe e kohës. Krahas varfërisë, Korça u prek edhe nga një sëmundje infektive që mori shumë jetë njerëzish.

"Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, ata krijuan Republikën e tyre në 10 dhjetor të 1916-ës, ku së bashku muslimanë dhe të krishterë punuan, mësuan dhe administruan një prej qyteteve më të emancipuar të kohës. Sigurisht ishtë sfidë sepse Korça ishte në një varfëri shumë të madhe. Korça në atë kohë u pushtua gjerësisht  edhe nga një sëmundje infektive që quhej gripi spanjoll, të cilën e sollën ushtarët senegales në përbërje të ushtrisë franceze, kështu që pati vdekje masive. Kishte varfëri të madhe prandaj Republika e Korçës mori të gjitha masat, jo vetëm kapërcimin e varfërisë, por mori të gjitha masat edhe për stabilizimin financiar, valutor të qytetit."

Ajo që historianët e huaj e quajnë mrekulli të Republikës është çështja e arsimit shqiptar. Duka tregon historinë e shkollave shqipe që arriten të hapeshin, ndërsa thekson edhe vendimin e madh në Konferencën e Paqes që Korça t'i mbetej Shqipërisë e Shqipëria të ekzistonte si shtet i pavarur.

"Por ajo që të gjithë historianët e huaj e quajnë mrekulli të Republikës, është çështja fenomen, arsimi shqiptar. Ata mbyllën shkollat në gjuhën greke që ishin të hapura në të gjithë qytetin, apo në të njëjtat godina hapën shkolla në gjuhën shqipe. Ata të mbështetur nga francezët krijuan një nga licetë më të mirë shqiptarë që ndoshta u ngrit në nivelin një shkolle të lartë, që ishte Liceu Francez i Korçës, ku u përgatitën dhjetra kuadro edhe pas Luftës së Parë Botërore. Ata mësuan nga francezët legjislacionin perëndimor, ata mësuan nga francezët si të pastronin qytetin, francezët për interesat e frontit bënë shumë punime, por pavarësisht se Republika e Korçës pati jetë të shkurtër, ajo u abrogua në shkurt të 18-tës, përsëri francezët edhe pasi atë e abroguan, ata nuk bënë reforma të thella në mbështetje të grekëve venizellistë të cilët mbështesin Antantën, por burokratët shqiptarë të kohës së Republikës vazhduan të ishin dhe korçarët vazhduan ti ishin mirënjohës francezeve sepse së bashku të dyja  besimet, mësuan se si të vetëqeveriseshin. Ishte një arritje jashtë mase e madhe e Shqipërisë së asaj kohe. Francezët e mbajtën të pushtuar Korçën edhe gjatë 1919-tës. Ata e lanë në maj të 1920,  kur fatmirësisht Konferenca e Paqes që zhvillonte punimet në Paris mori një vendim shumë të rëndësishëm që Korça ti mbetej Shqipërisë dhe Shqipëria të ekzistonte si shtet i pavarur. Për këtë duhet ti jemi mirënjohës presidentit të SHBA-së së asaj kohe Willson, i cili nuk pranoi vendimin e tre fuqive europiane,Anglisë, Francës e Italisë për copëtimin e Shqipërisë."

Qyteti i Korçës është histori më vete, që mbart vlera të paçmueshme, me mënyrën e qeverisjes së saj, me patriotët korçarë që lanë gjurmë në formimin e vendit, arsimit, kulturës, traditës, që sot e kësaj dite bën krenar çdo qytetar të Korçës. Konferenca Shkencore Ndërkombëtare pati një sukses në qytetin juglindor, me pjesëmarrjen e 30 autorëve të cilët mbajtën më tepër se 25 kumtesa duke punuar e studiuar fort mbi historinë e Korçës. Këshilli i Qarkut do të vijojë me të tilla aktivitete kushtuar figurave emblematike si Llazar Zai Fundo, e shumë të tjerë që kanë kontribuar në historinë e vendit tonë./ CNA

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by CNA.al (@cna.al)





Lajmet e fundit nga