web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Lufta në Ukrainë, marrëveshja e Prespës dhe Samiti i Selanikut/ Rrëfimi i pazakontë i Nikos Kotzias me Bushatin

14 Prill 2023, 18:52, Politikë CNA
Lufta në Ukrainë, marrëveshja e Prespës dhe Samiti i
Ish-ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias

Dy ish-ministra të jashtëm, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati, tashmë që të dy në pozicione më të relaksuara, kanë folur në një podcast. 

Në podcastin e Ditmir Bushatit “Public Square” vjen një rrëfim i pazakontë i Nikos Kotzias për vendet tona, për intriga perëndimorësh, mistere diplomatike, gjithçka për çastin se ku vlon bota që jetojmë. 

Kotzias flet “pa dorashka” për luftën asimetrike në Ukrainë dhe dyzimin e fuqive të mëdha.

“Që pas Luftës së Dytë Botërore, është hera e parë në Europë që një Fuqi e Madhe përpiqet të aneksojë një pjesë të një shteti tjetër në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, në kundërshtim me atë që është pranuar në Helsinki gjatë Luftës së Ftohtë, si dhe në kundërshtim me të drejtën e një kombi për të ekzistuar. Ukraina ka bërë atë që kanë bërë nganjëherë vendet e vogla apo të mesme gjatë Luftës së Ftohtë. Ukrainasit rezistuan përkundrejt mendimeve dhe planeve të Perëndimit dhe përkundrejt shpresave të rusëve që për katër a pesë ditë do t’ia dilinin të pushtonin Kievin”, pohon ai.

Lufta në Ukrainë, marrëveshja e Prespës dhe Samiti i

Për Kotzias, shovinizmi dhe nacionalizmi janë në rritje në rajonin tonë.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, të ruajmë paqen në të gjithë kontinentin dhe të mos lejojmë që paqëndrueshmëria në Ukrainë të zbresë drejt jugut tek ne, sepse e kujtojmë shumë mirë se çfarë ndodhi me luftërat në Jugosllavi. Është shumë e vështirë t’i mbash këto luftëra jashtë kufijve tanë, që të mbrojmë popullsinë. Mendoj se kjo luftë është një histori shumë e keqe. Ndaj, na duhet të mbrojmë vlerat e të drejtës ndërkombëtare dhe të njerëzimit, në mënyrë që asnjë Fuqie të mos i shkojë në mendje që të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë”, thotë Kotzias.  

Duke folur për negociatat që çuan në Marrëveshjen e Prespës, Kotzias zbulon detaje interesante duke vlerësuar rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Dy ish-ministrat që ngritën mekanizmin e dialogut mes Shqipërisë dhe Greqisë për zgjidhjen e çështjeve me interes të ndërsjellë mes të dy vendeve, thonë se besimi dhe vështrimi nga e ardhmja janë element kyç për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Lufta në Ukrainë, marrëveshja e Prespës dhe Samiti i

Kotzias nuk kurseu edhe një kritikë për qeverinë greke, e cila sipas tij “nuk ka interes të vërtetë për politikë të vërtetë, por kujdeset vetëm për dukjen e komunikimin, duke ushtruar një politikë të jashtme brenda partisë së tyre, as brenda vendit jo”.

Kotzias dhe Bushati diskutuan edhe për raportin e BE-së me Ballkanin Perëndimor, 20 vjet nga Samiti i Selanikut. Kotzias mendon se BE është në një faqe krejt të re. 

“BE-ja jo vetëm nuk po i mban premtimet e bëra në Selanik, por fakti është se BE-ja nuk është e njëjta si ajo e kohës së Samitit të Selanikut”, thotë ai, ndërsa i referohet interesave të ndryshme të Gjermanisë dhe Francës në raport me të ardhmen e Europës. 

Në këtë kontekst, Kotizas parashtron tri detyra për vendet e rajonit. Të punojnë për një sistem sigurie të vetë rajonit. Të shpjegojnë domosdoshmërinë e rrugëtimit për në Bashkimin Europian. Të përmirësojnë situatën përsa i takon korrupsionit, institucioneve, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Dhe në fund të bisedës, Kotzias bën një parashikim të fortë.

“Perëndimi është në rënie. Brenda Perëndimit, ajo pjesë e Perëndimit që ka shumicën e problemeve dhe është shumë e mundur që është në rënie, më shpejt sesa pjesa tjetër e Perëndimit, është Bashkimi Europian. Dhe brenda Bashkimit Europian, në Europë, si kandidatë dhe anëtarë, gjithashtu rajoni ynë ka problemin më të madh brenda kontinentit Europian, që ka në vetvete problemin më të madh brenda botës perëndimore. Pra, nëse nuk bëjmë gjë, nëse nuk ndryshojmë planin që kemi për të ardhmen, nëse nuk ëndërrojmë për këtë të ardhme, nëse nuk kemi asnjë vizion, dhe nëse nuk kemi fuqinë dhe shpirtin për të luftuar për këtë të ardhme e këtë vizion, do të jemi në grup humbësit e mëdhenj të shekullit të njëzet e një.”/ CNA.al





Lajmet e fundit nga