web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Tregimi i së dielës/ Të gjeta gjysh

9 Prill 2023, 11:19, Opinione Agim Xhafka
Tregimi i së dielës/ Të gjeta gjysh
Agim Xhafka

TË GJETA,GJYSH...

Qysh kur isha fëmijë një gjysh më dilte mangët. Atëherë ishin gjallë dy gjyshet dhe gjyshi nga nëna. Ndërsa gjyshi nga babai nuk më thoshte kush ku gjendej.

-Ka humbur diku, - sikur fliste me vete gjyshja, aneja ime e dashur. Ane e quajta gjyshen sa linda e derisa ajo ndërroi jetë.

-Eh, histori e gjatë, - psherëtinte babai e në sy i shihja një trishtim, hall a mall.

Pyesja nënën:

-Ti je fare, o bir, - thoshte ajo, - po ku di unë gjë për babain e tit eti!

Vit pas viti doja të zbuloja diçka,por nuk ia dola. Gjithsesi gëzohesha që kisha tre të tjerët rreth meje. Që më ngrohnin dhe që rritesha si veshka mes dhjamit.

Kur shkova në klasën e tetë, ngaqë pér babain quhesha pakëz i rritur, një mbasdite më mori mënjanë te dhoma e tij e gjumit e ashtu shpejt e shpejt më tha:

-Kur ka ndërruar jetë babai im dhe gjyshi yt unë isha as gjashtë vjeç. Motra, halla jote pra, ishte katër dhe vëllai im, xhaxhai yt, qe motak. Në dimrin e atij viti na u tha se do ndërroheshin varrezat e qytetit ngaqë do çoheshin diku nga rruga pér Drenovë dhe kërkohej të ishim prezentë në çgroposje. Nëna, aneja jote pra, shkoi në kohë atje, bashkë me ne të vegjlit.

Por ngaqë ishte shumë rrëmujë e ngaqë qe ftohtë e madhe nuk mundëm të duronim. Na mblodhi në krahë të tre e na solli te shtëpia, ngjitur me doktor Babaliun. I tha gruas së tij të kujdesej pak pér ne e vrapoi te varret. Por qe vonë.

Varri i gjyshit ishte hapur, trupi ishte nxjerrë, nuk dihej nga kush e nuk dihej ku qe çuar. E tronditur ajo pyeti këdo, po nuk mori pérgjigje. Ashtu e lemerisur iku te varret e reja dhe po shihte brenda gropave që ende nuk qenë mbuluar.

Dukej si pyetje e një të çmendure, a e keni parë trupin e burrit tim apo mos gabimisht te kjo gropë po varrosni burrin tim? Nga darka u kthye në banesë, në qoftë se quhet banesë një dhomë e vetme 3x3 me banjën në oborr. Mbaj mend që qau atë natë e netët rresht.

Shkonte thuajse çdo ditë te varret e reja, shpresonte që dikush do e pranonte gabimin që kishte varrosur dikë për dikë tjetër. Po shpresat u venitën dhe u mësuam me idenë që babai nuk u varros në tokë, po ama ngeli nëpër ajér. Na sheh dhe na dëgjon.

Ky shpjegim më tronditi. M’u duk makabre se si një i vdekur mund të fluturojë mbi kokat tona. Po u mësova. Më mirë të endet në re sesa brenda mes dheut dhe lagështirës, i dhashë shpjegim.

Pas një viti të kësaj bisede vdiq gjyshi nga nëna. I qëndrova te koka se mos na ndodhte e njëjta histori. Hapa mirë sytë kur e vendosën në makinën funerale, kur e varrosën, kur i vendosën emrin te kreu dhe pashë majtas emrin e fqinjit.

E ngulita në kokë. Qoftë larg mos i ndërrojnë vend, kam pika orientimi mendova të keqen. Nga frika shkoja çdo javë derisa u sigurova që atë nuk e lëvizi kush.

Shumë vite më pas iku gjyshja nga nëna. E varrosën bashkë me gjyshin. Kësaj nuk ia pata merakun se e dija që sa u fut atje brenda e mbértheu gjyshi e s’kish polic që e nxirrte. Mbeta mes dashurisë së gjyshes, mes përkëdheljeve të anesë sime që e doja ku e ku më shumë se mamanë. E dinte dhe ajo e shpesh qeshte:

-Ty sikur të ka pjellë jot gjyshe, jo unë, - më thosh.

Kur isha në vit të parë student më la dhe aneja. Vdiq në një dasmë. U emocionua nga largimi i nuses për te shtëpia e dhëndérit e atë çast pésoi hemoragji. Dhimbja ime ishte m’u në zemér. Nuk besoja se do jetoja një ditë pa të.

Qaja e ulërija sa nëna e babai më shtrëngonin fort te gjokset e tyre ngaqë po shihnin se mund t’u ikja dhe unë. Deri te varri nuk pushoja. Kur i hodha dheun e fundit pashë një akacje majtas. Në degët e saj një trumcak. Ishte maj dhe ai nuk fshihej. Këcente nga dega në degë.

-Ky është gjyshi, - i thashë vetes.

Gati po ia thosha babait, por hezitova. Ama dhe të nesérmen trumcaku qe atje. I thashë vëllait. Më pa me habi e tha:

-Ke ikur nga mendja vëlla. Si mund të jetë gjyshi kaq i vogël?!

Unë e besoja. Zvogëlohet njeriu, tretet, bëhet hi kur ka vite që nuk jeton, kisha lexuar.

I shpeshtova vajtjet te gjyshërit. Te ata të mamasë rrija pak. Janë të dy këta e nuk mérziten. Te aneja ime më gjatë. Murga ishte vetëm e donte muhabet. Paçka se nuk më fliste, unë nuk pushoja. Flisja dhe për të. Kështu rrodhën kohët e një ditë trokita te menaxheri i varrezave.

-E di që gjyshin nuk ma gjeni, por po e solla unë a e varrosni ju? - e pyeta.

-Nëse ke certifikatë vdekje bujrum, - tha ai.

Kaq doja dhe lajmërova krejt fisin pér një foto të gjyshit. Ma nisi Vera. E çova te foto Porcelani. Hajde bukurosh, hajde. Certifikatën me ditën e lindjes dhe të vdekjes ma dérgoi kushérira, Rajmonda. Uau, në moshën 63 vjeç ishte kur lindi xhaxhai i vogël. Bravo, gjysh, bértita.

Shkova te mjeshtrit e mermerit, hoqën pllakën e gjyshes, shtuan atje foton e gjyshit, emrin, mbiemrin, lindjen dhe vdekjen dhe e rivunë. Një dyshe artistësh. Sikur pashë që anesë i ndrisnin sytë, i qeshte fytyra. I përkëdhela e i putha të dy.

Të nesérmen shkova sérish, t’i shihja si e kishin kaluar natën bashkë pas 45 vjetësh. Dukej bukur se mustaqet e gjyshit qenë ngritur pérpjetë sikur i kishte bërë me xhel. Ndenjëm e folëm të tre. Goxha kohë. Mbi ne bënte hije akacja e madhe. Lëviznin gjethet.

Ua, po trumcak hiç nuk pashë. Edhe pas një ore. Se trumcaku qenkej gjyshi, nuk e thashë kot. Gjyshi i rigjetur dhe i porsabashkuar me zemrën e tij, anenë, dukej sikur tundte kokën, sikur pohonte metaforën time. Unë, unë jam ai zogu i humbur flisnin sytë e tij...





18:33 Opinione Hysni Gurra

Po nuk pate turp…

Po nuk pate turp nuk e ke problem të thuash se në Tiranë jan...

13:41 Opinione Lutfi Dervishi

Ka edhe më keq…

Mund të kesh përballë një mijë e një probleme, mund të...

Lajmet e fundit nga