web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ra kjo protestë e u pamë!

3 Korrik 2026, 23:06, Opinione Lutfi Dervishi

Ra kjo protestë e u pamë!

Një protestë nuk është thjesht një listë akuzash ndaj pushtetit. Kur zgjat më shumë se një muaj, kur mbledh njerëz përtej rreshtimeve tradicionale dhe kur refuzon të bëhet pronë e një partie, ajo kthehet në diçka tjetër: në një test për të gjithë. Jo vetëm për atë që kundërshton, por edhe për ata që pretendojnë se janë alternativa e tij.

Kjo protestë nuk po u jep aktorëve publikë thjesht një “shans”, por po i vendos para pasqyrës.

1. Qeverisë po i tregon kufijtë e arrogancës.

Vota e marrë vitin e kaluar nuk është leje gjuetie për katër vjet. Shumica parlamentare nuk e zëvendëson legjitimitetin shoqëror dhe as e bën të panevojshëm dëgjimin e qytetarëve.
Kur mijëra njerëz dalin çdo mbrëmje, pa parti, pa autobusë dhe pa pagesë, sistemi nuk mund t’ia faturojë pakënaqësinë as sondazheve, as algoritmeve dhe as agjentëve të huaj, edhe pse i ka provuar të gjitha.

2. Opozitës tradicionale po i tregon diçka që deri dje dukej e pamendueshme: sheshi nuk është pronë e saj.

Protestuesit nuk kërkuan kartë anëtarësie dhe as leje nga selitë opozitare. Madje, në shumë raste, u distancuan prej tyre.
Nëse opozita nuk kupton pse u refuzua, do ta ketë edhe më të vështirë të bindë qytetarët se alternativa që ofron do të jetë diçka tjetër nga pushteti që kërkon të zëvendësojë.

3. Mediave po u dërgon ndoshta paralajmërimin e fundit të mundshëm.

Edhe kjo protestë u raportua kryesisht përmes prizmit partiak, pro ose kundër, shpesh sipas atij që paguan faturën. Qytetarët e vunë re.
Besueshmëria nuk rikthehet duke kthyer pllakën për një ditë. Mjafton një lajm për ta humbur dhe lipsen vite për të fituar. Duhet kuptuar se sheshi nuk është kundër gazetarëve, por kundër "produktit mediatik"
Ky 34-ditësh ishte një provë për median. Sa media e kaluan atë, do ta tregojë audienca pas gjashtë muajsh.

4. Biznesit të madh po i tregon se kapitalizmi pa përgjegjësi shoqërore është, vetëshkatërrues.

Nuk mund të ndërtohet një ekonomi e qëndrueshme mbi një shoqëri të varfëruar dhe të pakënaqur.
Biznesi që është rritur mbi monopole, koncesione, favore dhe kapje të shtetit nuk ka ndërtuar kapital të qëndrueshëm, por varësi. Dhe varësia nga favoret bëhet veçanërisht e rrezikshme pikërisht kur shteti fillon të ketë frikë nga qytetarët e vet.

5. Shoqërisë civile po i kujton distancën midis projektit dhe problemit.

Organizata që kanë punuar prej vitesh për demokracinë, transparencën, llogaridhënien dhe qeverisjen e mirë, shpesh u gjendën jashtë një lëvizjeje që kërkonte pikërisht këto gjëra.
Ndoshta sepse një gjë është gjuha e projekteve dhe një tjetër gjuha e problemeve. Një gjë është të flasësh për pjesëmarrjen qytetare në sallën e një hoteli dhe një tjetër ta njohësh atë kur të shfaqet, e paftuar, në shesh.

6. Policisë po i kujton se uniforma nuk është garanci imuniteti.

Mënyra si menaxhohet një protestë paqësore, komunikimi, proporcionaliteti, vetëpërmbajtja dhe respekti për qytetarin, bëhen pjesë e kujtesës kolektive.
Një polici që mbron shtetin duke respektuar qytetarin fiton autoritet. Një polici që përdoret si instrument i presionit politik mund të fitojë një përplasje në rrugë, por humbet diçka shumë më të vështirë për t’u rikthyer: besimin.

7. Drejtësisë po i bën pyetjen që nuk mund ta shmangë pafundësisht.

Kur do të jenë gati dosjet për çështjet e njohura publikisht, për kontratat e dyshimta, për vendimet e marra jashtë procedurave dhe për shkeljet flagrante të ligjit dhe logjikës?
SPAK-u nuk i detyrohet sheshit dhe nuk duhet të nxitohet nga presioni i rrugës. Drejtësia e diktuar nga turma nuk është drejtësi, por edhe hetimi i ngadalshëm, në dritën e qiriut, për gjëma janë bërë në dritën e diellit, e bën gjithnjë e më legjitime pyetjen: kush përfiton nga zvarritja?

8. Partive të reja po u ofron provën më të vështirë: të mos bëhen si të vjetrat.

Shenjat e para nuk janë gjithmonë inkurajuese; edhe mes zërave të rinj shfaqen reflekse të vjetra: kërkimi i liderit shpëtimtar, retorikë emocionale pa program, personalizimi i lëvizjes dhe tundimi i kultit të kryetarit.
Ndryshimi nuk dëshmohet me një logo të re dhe as me moshën e re të drejtuesit. Dëshmohet kur figura numër dy e një lëvizjeje, nëse ekziston një e tillë, mund ta kundërshtojë figurën numër një dhe të mbijetojë politikisht.

9. Vetë protestuesve, ky 34-ditësh po u tregon se zemërimi mund të kthehet në qëndresë.

Por qëndresa pa organizim dhe pa strukturë negociuese ka një datë skadimi. Kërkesat ekzistojnë. Mënyra për t’i imponuar ato ende nuk është e qartë. Sheshi mund të prodhojë presion, por presioni që nuk arrin rezultate konkrete, me kalimin e kohës, prodhon lodhje e konsumim.
Pas guximit për të dalë në shesh, vjen një guxim tjetër, ndoshta edhe më i vështirë: organizimi.

10. Dhe gjithë sistemit, pa përjashtim, po i tregon se kostoja e indiferencës është rritur.

Jo çdo protestë rrëzon një qeveri. Historia e tranzicionit shqiptar është dëshmitare e kësaj. Por suksesi i një proteste nuk matet vetëm me rrëzimin mekanik të një qeverie, sidomos nëse ajo zëvendësohet me një tjetër që qeveris njësoj.
Suksesi matet edhe me rritjen e kostos së arrogancës dhe të mungesës së llogaridhënies.
Matet me faktin se, herën tjetër, kushdo që merr një vendim në emër të qytetarëve duhet të dijë se çmimi i arrogancës nuk është më zero.

P.S.

Çfarëdo rruge të ndjekë kjo lëvizje, reformë e pjesshme, ndryshim qeverie apo konsumim i heshtur, një gjë tashmë ka ndodhur dhe vështirë të kthehet mbrapsht: ka ndryshuar pritshmëria kolektive.
Jo ende institucionet, jo ende mënyra e qeverisjes, por pritshmëria.

Njerëzit që dolën në shesh për 34 net radhazi kanë mësuar diçka për veten që sistemi nuk mund t’ua çmësojë lehtë: se mund të dalin, mund të qëndrojnë dhe mund të mos binden kur u thuhet se gjithçka do të bëhet mirë. Protesta mund të mbyllet, mund të zvogëlohet, por e sigurte është se ajo mund të rikthehet në forma të tjera, për çështje të tjera dhe me një kosto më të lartë për ata që zgjedhin ta shpërfillin.





13:05 Opinione Dr.Arben Ramkaj

Nga Nili në Ballkan

Po të ulesh një pasdite buzë brigjeve të Nilit dhe ta lejo...

14:50 Opinione Besim Ndregjoni

GABOVE ALI AHMETI

Po bëj një imitim të një letre historike të titulluar: “Ga...

Lajmet e fundit nga