web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Nili në Ballkan

3 Korrik 2026, 13:05, Opinione Dr.Arben Ramkaj

Nga Nili në Ballkan

Po të ulesh një pasdite buzë brigjeve të Nilit dhe ta lejosh rrjedhën e tij të qetë të udhëheqë mendimet e tua, do të kuptosh se uji nuk mban mend vetëm vendet që përshkon, por edhe njerëzit që kanë formësuar historinë e tij. Shekuj më parë, një djalosh nga Ballkani solli me vete frymën e maleve shqiptare dhe horizontin e detit për të rishkruar fatin e kësaj toke të lashtë. Mehmet Ali Pasha nuk ndryshoi vetëm rrjedhën e historisë së Egjiptit; ai mbolli farat e një miqësie të qëndrueshme, e cila sot, në një botë të trazuar nga ndryshime të thella gjeopolitike, po lulëzon sërish si një urë jetike mes Europës dhe Afrikës.

Çdo reflektim mbi Egjiptin modern duhet të nisë me vizionin shtetformues të kësaj figure të shquar me origjinë shqiptare. I lindur në Kavallë, në një familje me rrënjë të dokumentuara në Zëmblak të Korçës, ai mbërriti në brigjet e Nilit për të shkruar një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së Egjiptit modern. Duke thyer prangat e stagnimit, Mehmet Aliu dhe dinastia e tij udhëhoqën Egjiptin për afro 150 vjet. Ata ndërtuan një ushtri moderne, konsoliduan administratën shtetërore dhe i dhanë vendit vetëdijen e një fuqie rajonale. Ky trashëgim, i dokumentuar gjerësisht në historiografinë arabe dhe europiane, mbetet një urë e fortë shpirtërore ndërmjet popullit shqiptar dhe atij egjiptian.
Egjipti i sotëm, nën udhëheqjen e Presidentit Abdel Fattah El?Sisi, po konsolidon pozitën e tij si fuqi rajonale dhe aktor strategjik në kontinentin afrikan. Përmes projekteve gjigante infrastrukturore, nga Kryeqyteti i Ri Administrativ deri te zgjerimi i korridoreve ndërkontinentale si aksi Egjipt–Libi–Çad, vendi po investon në arteriet e reja të integrimit ekonomik. Duke mbështetur Zonën Kontinentale Afrikane të Tregtisë së Lirë dhe bashkëpunimin Jug–Jug, Egjipti po shfaqet si një motor i rëndësishëm i stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të Afrikës.

Ky rol kontinental reflektohet natyrshëm edhe në marrëdhëniet me Ballkanin dhe Shqipërinë, të cilat kanë hyrë në një fazë të re zhvillimi. Riaktivizimi i Komisionit të Përbashkët Ekonomik ka hapur mundësi të reja për investime në tregti, shkencë dhe teknologji. Marrëveshjet ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Autoritetit të Përgjithshëm për Investime dhe Zonat e Lira të Egjiptit dëshmojnë interes konkret ekonomik, ndërsa nismat për lëvizjen e fuqisë punëtore dhe angazhimin e profesionistëve egjiptianë në Shqipëri tregojnë se bashkëpunimi po shndërrohet në ndërvarësi reale ekonomike.
Inovacioni nuk njeh kufij gjeografikë. Një nga nismat më ambicioze është koncepti i një kablloje nëndetare me fibra optike që do të lidhte Shqipërinë me Egjiptin. Ky projekt synon ta shndërrojë Shqipërinë në një nyje digjitale për Europën, ndërsa Egjiptin në portën kryesore të transmetimit të të dhënave drejt Afrikës dhe Azisë. Edhe pse ende në fazë konceptuale, kjo nismë dëshmon se të dyja vendet ndajnë jo vetëm me një trashëgimi historike, por edhe ambicien për të ndërtuar së bashku infrastrukturën strategjike të shekullit XXI.

Ky vizion përputhet me peshën diplomatike dhe gjeopolitike që Egjipti ka ushtruar historikisht si një nga zërat kryesorë të botës arabe. Presidenti Anwar Sadat mbetet simbol i guximit politik në kërkim të paqes, ndërsa sot Egjipti luan një rol vendimtar në ndërmjetësimin e armëpushimeve në konfliktin izraelito?palestinez dhe në menaxhimin e krizave në Libi, Sudan dhe Somali. Krahas këtij ndikimi politik, Egjipti vazhdon të ushtrojë një fuqi të madhe kulturore dhe fetare përmes Universitetit Al?Azhar, institucioni më prestigjioz i Islamit sunit.
Në përmbyllje të këtij rrugëtimi të përbashkët, ka ardhur koha të hidhet një hap i ri. Me rastin e 70?vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Egjiptit, propozoj krijimin e Qendrës 'Mehmet Ali Pasha' për Qytetërimin Global, me seli në Shqipëri dhe Egjipt. Kjo qendër mund të shërbejë si urë institucionale ndërmjet Europës dhe Afrikës, platformë dialogu ndërkontinental, inkubator shkencor për teknologjinë dhe qendër ekselence për sfidat globale, nga ndryshimet klimatike deri te siguria ushqimore. Duke u mbështetur në modelin shqiptar të harmonisë ndërfetare dhe traditën e moderuar të Al?Azharit, ajo do të kontribuojë në promovimin e tolerancës, dialogut dhe bashkëjetesës paqësore.
Mehmet Ali Pasha pa tek Egjipti mundësinë për të ndërtuar një shtet modern. Sot, përmes partneritetit strategjik ndërmjet Kajros dhe Tiranës, kjo frymë mund të marrë një dimension të ri. Duke bashkuar potencialin ekonomik, teknologjik, kulturor dhe njerëzor, Shqipëria dhe Egjipti nuk po forcojnë vetëm marrëdhëniet dypalëshe; ato kanë mundësinë historike të ndërtojnë një urë të re bashkëpunimi ndërmjet Europës dhe Afrikës për dekadat që vijnë.

Dr. Arben Ramkaj
Kryetar i Institutit për Dialog Kulturor dhe Ndërfetar në Shqipëri
Drejtor i Departamentit të Lindjes së Mesme dhe Botës Myslimane
Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS)





14:50 Opinione Besim Ndregjoni

GABOVE ALI AHMETI

Po bëj një imitim të një letre historike të titulluar: “Ga...

14:43 Opinione Sonila Meço

Boja e oktapodit

Edi Rama nuk po rreket të fitojë ndaj protestës, por ndaj ...

Lajmet e fundit nga