web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Boja e oktapodit

24 Qershor 2026, 14:43, Opinione Sonila Meço

Boja e oktapodit

Edi Rama nuk po rreket të fitojë ndaj protestës, por ndaj kohës.

Çdo ditë që kalon duke folur për gjithçka tjetër, përveç pesë kërkesave të protestës, është një ditë e fituar për të. Çdo debat anësor, çdo diversion, çdo provokim, çdo polemikë e re, ka vetëm një funksion, ta zhvendosë vëmendjen nga çështja më e rrezikshme për të: A do të funksionojnë institucionet apo do të vazhdojmë të jetojmë në republikën e një njeriu të vetëm?

Kjo është arsyeja pse nuk flet për pesë kërkesat e formuluara nga protestuesit. Nuk i përmend, as i kundërshton, nuk i pranon, nuk i debaton. Sillet rreth tyre si një anije e trembur rreth një mine detare.

I druhet fuqisë së tyre, i shmang si djalli temjanin sepse nëse hyn te kërkesat, del nga territori ku ka shirë e korrur 13 vite, narrativa e kontrolluar. Po foli për kërkesat hyn në terrenin ku mund t’i shembet mbrojtja dhe u jep pushtet për herë të parë institucioneve.

Ato institucione që i zhvlerësoi, i shkatërroi, i mori nën hyqëm e i shndërroi në fasada sistemi të kapur kryekëput prej tij. Aty morën fund republika, shteti, kushtetuta.

Dhe për herë të parë po i kërkohet të mos luajë shah me veten dhe jo në gambitin që i do xhani.

Protesta nuk po i kërkon as dialog, as negociatë, as bindje morale. Mençurisht po i dikton kosto politike, kosto ndërkombëtare dhe më në fund kosto institucionale. Protesta nuk i lutet Ramës, por i paraqet kushte sistemit.

Mu bash këtu bëhet interesante deklarata e tij për "Financial Times", madje në një lëvizje të çoroditur e ka kapur shah mat mjeshtrin e diversionit. Rama tha se nuk i takon atij të provojë nëse është apo jo “Godfather”. Atëherë kujt i takon?

Kjo është elementare, u takon atyre institucioneve që u ndërtuan, u financuan dhe u reklamuan për vite me radhë edhe nga Brukseli e Uashingtoni si garancia se askush nuk do të ishte mbi ligjin. Kjo është prova e shtetit ligjor.

Me një përgjigje vërtet gojëndyrë, por të sinqertë në "Financial Times", kryeministri ia lehtësoi punën edhe SPAK-ut.

Kjo është arsyeja pse protesta po arrin qëllimin e nuk varet më nga numri i njerëzve në shesh. Krejt jashtë çdo parashikimi të Ramës, ajo ia doli ta shfaqë drejtësinë pa alibi në justifikimin e mungesës së saj drejt kreut.

Është vetë SPAK-u që po dëshmon se korrupsioni ka organizatë, krimi ka organizatë, pastrimi i parave ka organizatë, kapja e shtetit ka organizatë. Atëherë si do ta amnistojë njeriun që ka qeverisur i vetëm për trembëdhjetë vjet?

Në politikë ekziston një rregull i vjetër që edhe Macron e Meloni e dinë fare mirë: kur kostoja e mosveprimit bëhet më e lartë se kostoja e veprimit, sistemi lëviz.

SPAK-u nuk ka asnjë mundësi tjetër veçse të lëvizë drejt Edi Ramës.

Andaj diversionet e përditshme që sforcueshëm prodhon janë kaq të parëndësishme. Një ditë një video, një ditë një status, një ditë një intervistë, një ditë një armik i ri nga frëngjia e rrjeteve sociale. Kjo është teknika e huazuar nga oktapodi, kur i rrezikohet koka, lëshon bojë që të mos shihet.

Kjo protestë i ka idetë të qarta. Pesë kërkesat e protestës janë ende aty. Të pandryshuara. Të papërgjigjura.

S’po kërkohet një hero a shpëtimtar i ri. Protesta nuk po kërkon vetëm një akt politik, por edhe precedentin që ndan republikën nga sulltanati.

Që për herë të parë, njeriu që ka qeverisur si autor i modelit 13-vjeçar të paraqitet para ligjit si subjekt i saj.

Që për herë të parë në historinë e këtij tranzicioni, institucioni të guxojë të trokasë në derën e pushtetit pa kërkuar leje nga brenda.

Ndaj e do të lodhur e të sfilitur protestën kryeministri, sepse e di se sa më gjatë të vijojë e rezistojë kjo dallgë zemërate, aq më pak do të ketë rëndësi se çfarë thotë Edi Rama, e aq më shumë do të ketë rëndësi se çfarë bën SPAK-u./ CNA





19:21 Opinione Frida Mavriqi

Kuriozitet që më mundon

Në ditën e 22-të të protestës, mes shumë pikëpyetjesh, dilem...

21:21 Opinione Lutfi Dervishi

Republika e ortakëve

Një mik më dërgoi një mesazh që më bëri të mendohem gjatë: ...

Lajmet e fundit nga