web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

GABOVE ALI AHMETI

25 Qershor 2026, 14:50, Opinione Besim Ndregjoni

GABOVE ALI AHMETI

Po bëj një imitim të një letre historike të titulluar: “Gabove, Hile!”.

Qe letra e Patër Gjergj Fishta që i pat drejtuar ministrit të arsimit Hile Mosi i cili aty nga fundi i viteve ’20 mbylli shkollat fetare!

E publikova këtë thënie të Homerit Shqiptar kur lexova dje deklaratën e Ali Ahmetit dhënë mediave për revolucionin demokratik të rinisë shqiptare për një Shqipëri të re. Duke iu bashkuar bandës së urryesve majtistë stalinistë të Tiranës, sikur ky revolucion po dëmton turizmin dhe futjen e Shqipërisë në Europë, përgjigja është: Gabove Ali Ahmeti, Kryetar i përjetshëm i BDI, në Maqedoninë e Veriut!

Sigurisht ky revolucion për një Shqipëri të re ka tronditur jo vetëm politikën sunduese të Tiranës, por dhe politikanët shqiptarë kudo që janë në viset shqiptare të Ballkanit, që me imitimin e politikës së Tiranës duan ta ngrysin jetën si sundues dhe jo si vizionarë për të ndërtuar një Shqipëri demokratike europiane.

I kam shprehur në emër të mijëra shqiptarëve që kaluan diktaturën staliniste të kriminelit Enver Hoxha dhe të bashkëpatriotëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut zotit Ali Ahmeti nderimin tim për kontributin e tij kombëtar në luftën heroike që bëri me shqiptarët për të drejtat e liritë e shqiptarëve ndaj gjenocidit serbo-maqedonas, heroizmin e tij në atë luftë të drejtë dhe kombëtare e kanë vënë në piedestalin e kombit si një hero kombëtar.

Por mos harro i dashur Ali, ideologjia staliniste që sundon Shqipërinë prej 80 vitesh ka pasur ndikim te ju shqiptarët e trojeve etnike, dhe kurrë nuk ju kam bërë fajtor se ishin kushtet e dashurisë ndaj mëmëdheut, por tani kur mëmëdheu Shqipëri po kalon trauma të jashtëzakonshme nga kjo klasë politike ideologjike që ka 35 vite që sundon në Shqipëri si enverizmi, që ka shkatërruar të gjithë parametrat e funksionimit të demokracisë, duke përdorur formalitetin demokratik, por duke mbrojtur krimet makabre të Enver Hoxhës këtij shqiptari të egër që përdhosi identitetin e Shqipërisë, thjesht për të sunduar, ku shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të Kosovës martire së bashku me shqiptarët e Shqipërisë vuajtën 914.000 vite burg politikë si asnjë vend tjetër në Europë dhe që mbahen peng nga kjo klasë politike antikombëtare për tri dekada. Shqipërinë, këta sundues të rinj stalinistë e kanë turpëruar para Europës me korrupsionin e tyre galopant.

Në deklaratën tuaj i quajnë protestuesit e rinj 20-30-vjeçarë sikur këta po dëmtonin atdheun mëmë për të kaluar në Europë. Jo Ali, atë që s'e bënë për tri dekada partitë politike shqiptare sunduese të tipit stalinist për Europën, e bëri kjo rini e mrekullueshme për 25 ditë, ky revolucion na paraqiti para botës me identitetin tonë shekullor, si qytetarë europianë, që dinë të protestojnë, që dinë të kenë kulturë, të mbrojnë mjedisin, të duan atdheun, të duan Amerikën, vendin që na ka përkrahur prej 120 vitesh për të drejtat tona.

Kjo rini protestuesish presin me kënaqësi Ivanka Trampin të financojë në Shqipëri në bazë të ligjeve dhe jo për t'i shtuar pushtetin Edi Ramës, se kjo rini e do më shumë pronën dhe Amerikën se janë trashëgimtarë pronarësh sesa Edi Rama që vjen nga klasa proletare e komunizmit, dhe që i mban peng pronat e shqiptarëve prej 27 vitesh.

Ky revolucion na bën krenarë jo vetëm neve në Tiranë, por Shkupin, Prishtinën, Ulqinin, Preshevën, dhe ju si luftëtar i çlirimit të Maqedonisë së Veriut! Politikanët stalinistë, Edi Rama, Erion Veliaj, ju kanë bërë pis dhe juve, se ata ndjekin rrugën e enverizmit dhe jo rrugën e demokratizimit të vendit të tyre. Kjo parti që sundon sot Shqipërinë është partia trashgimtare komuniste që vrau 6000 shqiptarë dhe sot i ka lënë pa varr në tokën mëmë. Që burgosi 40.000 shqiptarë, që internoi 100.000 familje shqiptare në gulakët e kampeve të përqendrimit, dhe kanë 35 vite që nuk mbajnë një minutë heshtje për korifenjtë e lirisë. Por i përçmuan dhe nderuan xhelatët që i kanë kryer këto krime. Sot në Shqipëri as opozita e ashtuquajtur demokratike, as mazhoranca komuniste nuk flasin dhe nuk nderojnë shqiptarët që përballuan krimet monstruoze të Enver Hoxhës.

Është i vetmi vend në Europë që nuk i dënoi krimet e komunizmit.

Prandaj Gabove Ali Ahmeti që u bëre pis nga Erion Veliaj dhe Edi Rama që të dhanë një certifikatë, kurrë s'e kam besuar se ti luftëtar shqiptar do t'i bashkohesh korit të urrejtjes së stalinistëve shqiptarë që mbajnë peng demokracinë, që e kanë kapur për fyti Shqipërinë me pushtetin e tyre absolut, por që i diskreditoi para botës demokratike Revolucioni i Shqipërisë së re. Krenohu me këtë revolucion shqiptari i mirë Ali Ahmeti.

Shqipëria e re është fundi i tranzicionit komunist në Shqipëri.

Fundi i politikanëve shqiptarë më të korruptuarit në Europë.

Bashkoju protestës së lirisë në Tiranë, siç iu bashkua rinisë studentore të shqiptarëve të Maqedonisë ndaj veprimit shovinist të qeverisë maqedonase që nuk zbatonte ligjin për gjuhën shqipe. Kjo rini erdhi në Shkup, edhe ti hajde në Tiranë se ky revolucion të bën krenar përpara bashkëpatriotëve shqiptarë. Mos imito stalinistët e politikës shqiptare se u bën dëm shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Demokracia, liria, dhe dinjiteti shqiptar na bën europian Ali Ahmeti! 





14:43 Opinione Sonila Meço

Boja e oktapodit

Edi Rama nuk po rreket të fitojë ndaj protestës, por ndaj ...

19:21 Opinione Frida Mavriqi

Kuriozitet që më mundon

Në ditën e 22-të të protestës, mes shumë pikëpyetjesh, dilem...

21:21 Opinione Lutfi Dervishi

Republika e ortakëve

Një mik më dërgoi një mesazh që më bëri të mendohem gjatë: ...

Lajmet e fundit nga