LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Projekti i Lulzim Bashës, projekt i një dështaku!

9 Shtator 2022, 19:59, Opinione Ermal Mulosmani
Projekti i Lulzim Bashës, projekt i një dështaku!
Lulzim Basha

Si sot një vit më parë Lulzim Basha mori të vetmin vendim të fortë të jetës së tij politike, ndarjen e Partisë Demokratike nga Sali Berisha. Të gjitha vendimet e tjera të forta si dalja nga Parlamenti dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale gjithmonë u lanë të kuptoheshin se ishin një vendim kolektiv apo një shtytje e Berishës.

Por, a ishte vendimi i tij  9 Shtatorit të kaluar i duhuri?

*****

Lulzim Basha trashëgoi nga Berisha një kolltuk të stërmadh. Me firmën e tij ai mund të bënte deputet 40-50 deputetë, mund të  shkatërronte karriera të konsoliduara, mund të ndërtonte shumë shpejt klanin e tij të servilëve përmes premtimeve, shpesh të pambajtura. Të gjitha këto i erdhën në sajë të ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës që e kthenin partinë në pronë të Kryetarit. Nuk kishte asnjë mekanizëm politik për ta shkarkuar Kryetarin. Humbja e mundshme e zgjedhjeve thjesht e çonte në një votëbesim formal që e kontrollonin instrumentet e Kryetarit. Me pak fjalë  ishte një formalitet.

Në Parlamentin e 2013-ës mungonte Kryetari dhe politikën e bënin kundërshtarët e tij më të mëdhenj brenda partisë.  Megjithatë, arritjet më të mëdha politike të Lulzim Bashës i përkasin atyre viteve. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit largoi një numër të konsiderueshëm pushtetarësh socialistë nga Parlamenti apo Pushteti Lokal.

Por, fitorja më e madhe ishte krijimi i perceptimit se Rilindja e Edi Ramës është e mbushur plot me persona të inkriminuar që ushtrojnë ndikimin e tyre të paligjshëm për të përfituar pushtet politik. Kjo, padyshim ka qenë  merita e Lulzim Bashës. Është e vetmja meritë e madhe që unë i njoh atij në 9 vjet Kryetar të PD-së.

Në vitin 2017 ishte ballafaqimi i parë politik, zgjedhjet e përgjithshme. Lulzim Basha dhe PD instaluan një Çadër që u quajt “Çadra e Lirisë”, një formë proteste që kërkonte largimin e Kryeministrit Rama dhe krijimin e një Qeverie Teknike për zgjedhjet. Çadra ka qenë fiasko e parë publike e Bashës. Data e zgjedhjeve po vinte e Rama tallej publikisht me Kryetarin e PD-së dhe nuk i jepte asgjë. Një ditë i tha që do i japë Drejtorin e Muzeut Kombëtar. Ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk ishin të zotë të sillnin rezultate…

Basha mbërriti një ditë në Çadër në kufinjtë e dëshpërimit dhe po ndiqte i përhumbur një ndeshje shahu mes Aldo Bumçit dhe një grevisti. Ajo foto ishte foto simbol e paaftësisë së tij. Ai njeri po e çonte opozitën në qorrsokak, kishte tendencën të merrte vendime që e çonin drejt humnerës politike. Kur u arrit marrëveshja e 17 Majit u duk sikur i fituari ishte Basha, aq në pikë të vdekur dukej situata. Në marrëveshjen e asaj nate Basha ra dakort të merrte pjesë në zgjedhje me vetëm një javë shtyrje – pa koalicion të përbërë.

Kjo ishte një humbje e madhe duke ditur se PD ishte minorancë në vend dhe mund të vinte në pushtet vetëm përmes koalicioneve të gjera politike, siç kishte bërë Berisha gjithmonë.

Basha po i shihte ato zgjedhje si një formë e pastrimit të Partisë nga figurat e vjetra të konsoliduara si Topalli, Bode, Imami, Patozi etj etj. Atij nuk i bëhej vonë për fitoren. Fundja ajo do të vinte radhën tjetër, pas 4 vitesh, siç ka ndodhur gjithmonë....

Anëtarësia e votoi vetëm një muaj pas humbjes katastrofike sikur të mos kishte ndodhur asgjë….

Basha i largoi të gjithë por mbajti Berishën. Jo nga dëshira por sepse e dinte shumë mirë që Berisha ishte ajo Parti. Ai kujdesej që të krijohej perceptimi se vendimet në atë Parti merreshin nga konsultimi i tij me Berishën. Çka ia mbante anëtarësinë kompakte edhe pas gafave politike. Kështu erdhëm te djegia patetiko-idiote e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale! Një nga vendimet më të palogjikshme dhe të paanalizuara politike që ka marrë ndonjëherë ndonjë politikan! Kostoja politike që mori opozita ishte katastrofale; dorëzoi gjithë pushtetin lokal, i dha shumicën e cilësuar Ramës për të ndryshuar Kushtetutën (çka ai e bëri pa iu dridhur aspak dora), projektoi humbjen e zgjedhjeve të ardhshme kombëtare dhe diskreditoi Presidentin e Republikës duke e detyruar të dekretonte ndryshimin e datës së zgjedhjeve- një vendim absurd i detyruar nga ajo lëvizje absurde.

Viti 2019 duhej të mjaftonte për shkarkimin e Kryetarit të PD-së pa asnjë ekuivok. Por mekanizmi i Partisë së Kryetarit të gjithpushtetshëm e mbrojti. U tha nën zë që vendimet ishin marrë nga Berisha ose nën ndikimin e tij. Në fakt kjo duhej të ishte një arsye madhore për dorëheqjen e Bashës – ai nuk qenka Kryetar i saj por klloun. Aso kohe kam shkruar shkrimin: “Lulzim Basha, fundi i një shprese të kotë”. Servilët e panë si shkrim të paguar, m’i kanë treguar thashethemet e asaj kohe në PD.

Lulzim Basha meritonte të futej në burg për dëmet që i ka bërë në 2019-ën Opozitës. Përkundrazi, asgjë nuk ndodhi. PD ishte tredhur, nuk kishte kundërshtarë në oborr, ata ishin flakur. Ata ishin tredhur në 2008-ën në fakt, kur Kryetari u bë pronar i Partisë. Fajtorë ishin kritikuesit e Bashës jo Kryetari ????.

Përkundrazi, ai filloi të gjallërohet, të flasë për Reformë Zgjedhore me Damianin, hajdutin e deklaruar të zgjedhjeve të 2015-ës. Berisha nuk fliste, bënte sikur nuk ka ndodhur asgjë. Asnjë fjalë për gafat politike të kryetarit. “Hë se ja, pas një vit e gjysmë po vijnë zgjedhjet” – ishte një lloj ngushëllimi…

Pastaj erdhi marrëveshja patetike në Ambasadën Amerikane për të ruajtur çdo gjë siç ishte për zgjedhjet. Basha del i lehtësuar dhe duket sikur ka fituar nga ajo marrëveshje. Por shumë shpejt u kuptua se Rama po tallej me të. Ai nënshkrim nuk kishte kurrfarë rëndësie, Rama ndryshon Kushtetutën me surrogatët që Basha kishte dërguar në Parlament! Aty morën fund edhe zgjedhjet e 2021-shit!

Humbi zgjedhjet, prapë avazi; në bashkëpunim me Berishën rikonfirmohet Kryetar. Nga të tre a katër kandidatët, vetëm Basha nuk shkon në Ambasadë Amerikane por u kërkon këtyre të fundit prova për non gratan. Dukej se vetëm ai nuk e lë në baltë Doktorin. Anëtarësia e shpërblen, fiton 80% të anëtarësisë, për turpin e çdo demokrati!

Si mundet një njeri kaq i paaftë, që në çdo vendim që ka marrë ka prodhuar dështim spektakolar, të rizgjidhet për herë të tretë Kryetar i PD-së? Mbështetësit e tij hodhën tezën se ai ka qenë në hijen e Berishës prandaj nuk ka ndritur. Po kjo në vetvete është një tezë dështake! Pse do rrijë në hijen e Berishës? Nëse nuk ishte Kryetar me kompetenca të plota pse nuk jep dorëheqje për këtë arsye? Unë nëse do isha në vend të tij do i thosha: “Doktor ose ma lër Partinë ose merre. Nuk mundet të rrimë të dy Kryetar. Unë do e marr kur ti të ikësh nga politika”. Ja kjo është kurajo politike. Kjo do e ekspozonte Berishën përpara vendimmarrjeve të gabuara dhe do i jepte Bashës një profil lideri. Nuk ka lidership me skuthllëk, me intrigë e qëndrime ambige, i pavendosur e pa mendim politik.

Ai është një njeri i vdekur politikisht po aq sa Berisha. Çdo shpresë e ngritur për një projekt politik me lider Bashën është një fiasko e lajmëruar. Partia Demokratike duhet të dalë nga qerthulli i figurave të vdekura politikisht. Lideri i së ardhmes duhet të jetë 35-40 vjeç dhe i papërlyer me mëkate të së shkuarës.

Tani të dalim te pyetja që ngrita në fillim: A ishte vendimi i duhur ai i 09 Shtatorit të kaluar?

Edhe vendimi për largimin e Berishës nga Grupi Parlamentar ka qenë taktikisht i gabuar. Makar si të gjitha vendimet e Lulit. Ai duhej ta diskutonte privatisht me Berishën dhe t’ia komunikonte mendimin e tij. Siç edhe e ka bërë. Kur Berisha të mos e pranonte (siç edhe ndodhi) atëherë Basha të deklaronte bashkë me largimin e Berishës edhe dorëheqjen e vet. Si një akt moral për të ruajtur PD-në nga furia e Berishës në sulm ndaj Bashës. Në rast se Basha do të ikte, e gjithë lëvizja e Berishës do të ishte pa motiv. Basha do të dukej jo si djali plangprishës por si politikani largpamës që nuk merr peng Partinë për ta kthyer në një kështjellë amerikane kundër Berishës. Berisha ndoshta do të bënte të njëjtën lëvizje  por efekti nuk do të ishte i njëjtë.

Por Basha gjithmonë merr vendimin e gabuar. Me datën 09 Shtator e dija përfundimin e tij. Jo se po bënte vendimin e gabuar por ngaqë është dështak. Ai nuk mund të ishte fitues. Fitues atë e kishte bërë Berisha brenda Partisë, në 2013, në 2017 apo 2021. Çdo projekt që ka në qendër Bashën është e paracaktuar të dështojë.

Lajmet e fundit nga