LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Andi Bushati/ Boomerangu i qokës që Rama i bëri Melonit

18 Nëntor 2023, 17:33, Opinione Andi Bushati
Nga Andi Bushati/ Boomerangu i qokës që Rama i bëri Melonit
Analisti Andi Bushati

Një nga emisionet me peshë të aktualitetit në bregun përballë, “Piazza Pulita”, në televizionin La7, kishte sjellë kamerat në Shëngjin, Gjadër dhe Tiranë, në një reportazh që i kushtohej marrëveshjes Rama-Meloni. Ndonëse në politikat editorale të këtij televizioni, që anon nga qendra e majtë, ze një vend të madh kritika ndaj ideologjisë ekstremiste të “vëllezërve” të Georgia Melonit, ajo që të binte, në sy, në materialin e përgatitur, qe një gjë në kufijtë e mungesës se profesionalizmit elementar gazetaresk.

Aty nuk dëgjohej askush që ishte pro protokollit të nënshkruar mes dy kryeministrave. Në të kundërt, kori i zërave “anti” nuk kishte të sosur. Një peshkatar nga Shëngjini dhe një qytetare nga Lezha, deklaronin se nuk e pëlqenin ardhjen e refugjatëve afrikanë. Madje si rrallëherë në këto kohë, një vend i konsiderueshëm i jepej liderit non grata të opozitës, për të shprehur rezervat e tij për ligjshmërinë e paktit.

Pra, thënë shkurt, “Migranti, accordo Meloni-Rama: il reportage dall’Albania”, ishte një vështrim kritik. Dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh. Prej datës 6 nëntor mediat përtej Adriatikut janë mbushur me tituj të ngjashëm: “Një Guantanamo në Shqipëri”. “Një shkelje e ligjeve të BE për emigracionin”. “Kontratë për importimin e qënieve njerëzore”. Edi Rama është përshkruar si një sharlatan i së majtës që për interesat e veta personale arrin deri aty sa të bëhet bashkëpuntor me të djathtën ekstreme.

Aleatët italianë, në Partitë Socialiste Evropiane, imagjinuan deri dhe kërkesën për përjashtimin e partisë së kryesuar prej tij. Ndërsa organizatat e mbrojtjes të të drejtave të njeriut kanë ngritur pikpyetje lidhur me garancitë që jep Shqipëria, si një vend i sigurtë për të drejtën e azilit.

Pra, po të bëhet një bilanc paraprak, i jehonës që ka pasur, këto dy javë, protokolli që Edi Rama e nënshkroi thjeshtë për të përfituar më tepër mbështetje ndërkombëtare për vete, ajo rezulton më shumë negative. Rama donte ti bënte një qokë të paharueshme Melonit, por bashkë me të hodhi mbi vete dhe regjimin e tij prozhektorët e kundërshtarëve të kësaj marrëveshje.

Madje, si për ironi të fatit edhe ata personalitete të së djathtës italiane, që janë pro sjelljes së emigrantëve klandestinë këtu te ne, kanë si argument kryesor një gjë që nuk na bën aspak nder: faktin se kjo bëhet për të dekurajuar ata që janë të gatshëm për të kapërcyer Mesdheun: “Ju po vini kokën në rrezik për të përfunduar në Shqipëri’- përsërisin mbështetësit e Melonit në mediat Italiane.

Ky këndvështrim i ndryshëm i të parit të Shqipërisë, kjo qasje kritike ndaj qeverisë Rama dhe mënyrës se si sillet ajo, mund të bëhen shumë më të forta, nëse vërtet kampet e refugjatëve do të ngrihen një ditë në Gjadër. Nëse kjo lëvizje propogandistike anti emigracion, arrin ti kalojë filtrat e institucioneve dhe drejtësisë së përtej detit, pra nëse ajo sendërzohet, në Shëngjin, bashkë me azilkërkuesit e parë afrikanë, do të zbarkojnë në brigjet tona edhe një mori organizatash për të drejtat e njeriut, militantë të së majtës, politikanë të reshtuar kundër qasjeve ekstremiste dhe ksenofobe.

Natyrisht ata do ta bëjnë atë për të vënë në jetë bindjet e tyre, për të mbrojtur emigrantët dhe vlerat tek të cilat besojnë. Por bashkë me këtë, ata do të jenë vigjilentë edhe ndaj vendit që e bëri të mundur marëveshjen, duke i dhuruar një pjesë të sovranitetit të vet Italisë. Ata do të vërejnë një shtet piramidal, të drejtuar në mënyrë autokratike, institucione që i binden urdhërit dhe jo ligjit, policë bashibozukë që bashkëpunojnë me trafikantët etj.

Lobet e tyre janë të forta dhe penetrimi në media i fuqishëm, ndaj nuk do të jetë çudi, që vala kritike që u ngrit pas nënshkrimit të marrëveshjes në Palazzo Chigi, të shumëfishohet.

Pa u treguar naivë apo idealistë, qëllimi i tyre do të jetë mbrojtja e kauzave tek të cilat janë të angazhuar dhe jo denoncimi i realitetit shqiptar. Por kjo e dyta mund të rrjedhë lehtësisht si një efekt kolateral i së parës. E kështu mund të ndodhë që ata që do të zbresin në portin e Shëngjinit, si mbrojtës të emigrantëve do të bëhen edhe thyerësit e heshtjes konsensuale që mbretëron në perëndim, për regjimin e Tiranës.

Prandaj dhe qoka e Ramës për Melonin mund t'i kthehet, së pari atij vetë, në boomerang. Ai vërtet e nisi si një lëvizje për të bërë për vete kryeministren e një shteti të madh, por bashkë me të ai shndërroi në kundërshtarë edhe të gjithë kritikët, rivalët dhe armiqtë e filozofisë post fashiste të Melonit. Prandaj nëse një ditë do të ketë kampe refugjatësh në Shqipëri, sado problematike që kjo të jetë, ajo me gjasë do të zgjojë automatikisht edhe një interes më të shtuar për demokracinë e çalë shqiptare.

Lajmet e fundit nga