web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Heqja e “non-grata”-s për serbët e Bosnjës, çfarë po ndryshon në Ballkan?

30 Tetor 2025, 14:12, Opinione Mentor Kikia

Heqja e “non-grata”-s për serbët e Bosnjës,

Nga Mentor Kikia 

(Një ftesë për diplomatët për të kuptuar qasjet e reja të politikës amerikane në rajon)

Vendimi i SHBA-së për t'i hequr “non grata”-n dhe rehabilituar politikisht ish-liderin e serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, dhe një sërë politikanësh dhe sipërmarrësish serbë (47 në total, individë e kompani), nuk mori vëmendje. Këtu u trajtua më së shumti si një shenjë që kjo mund të ndodhë edhe me kryetarin e demokratëve shqiptarë, z.Berisha.

Sanksionimi i Dodik-ut dhe klanit të tij politiko-ekonomik erdhi në mars 2025, kur ata shkuan gati në një shkëputje të Republikës Serbe(Serbska) nga federata e Bosnjë & Hercegovinës. Ata miratuan ligje dhe refuzonin të njihnin autoritetin kushtetues dhe ligjor të federatës.

Ja njoftimi i Ambasadës së SHBA-së në Sarajevë, atë kohë:

“Shtetet e Bashkuara janë të vendosura në çuarjen përpara të interesave tona në Bosnjë dhe Hercegovinë. Për 30 vjet, angazhimi ynë ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe një Bosnje dhe Hercegovine të qëndrueshme dhe të sigurt, ka qenë i palëkundur. Le të jemi të qartë – ky është një provokim i qëllimshëm ndaj rendit kushtetues të BiH dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe sigurinë e BiH-së dhe për objektivat strategjikë të SHBA-së”.

Çfarë ndodhi 7 muaj më vonë, kur këta njerëz u rehabilituan?

Vendimi nuk ra nga qielli. Në 23 maj 2025, Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, mbajti një fjalim në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, pikërisht në Dejton, Ohajo.

“Jemi këtu në një kohë të veçantë, 30 vjet pas negocimit të Marrëveshjeve të Paqes për Bosnjën, pikërisht në këtë qytet. Për individët ose për kombet, nuk ka përpjekje më fisnike sesa kërkimi i paqes për veten ose të tjerët, dhe padyshim kërkimi dhe promovimi i paqes është thelbi i diplomacisë, që është edhe puna ime. Prandaj, i nderojmë të gjithë ata që 30 vjet më parë u mblodhën në këtë vend për të arritur marrëveshjet e paqes. A nënkupton kjo që ato marrëveshje të paqes janë të përsosura? Sigurisht që jo”.

Çfarë kishte ndodhur që fjalimi i numrit dy të diplomacisë amerikane, në Asamblenë e NATO-s, i adresohej pikërisht Bosnjë & Hercegovinës?

Pak më poshtë ai tha: “Presidenti Trump e trajtoi këtë temë javën e kaluar në fjalimin e tij të rëndësishëm për politikën e jashtme në Riad. Ai pranoi katastrofën e përpjekjeve të SHBA-së për ndërtimin e kombeve anembanë botës në dekadat e fundit dhe kritikoi arrogancën e atyre që zbresin nga aeroplanët në vende të huaja dhe mendojnë se i kanë të gjitha përgjigjet. Çfarë do të thotë kjo për Bosnjë-Hercegovinën? Do të thotë se ne jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe të punojmë me të gjitha palët e prekura. Marrëveshjet duhet të jenë të forta për të qenë të qëndrueshme; por ju duhet të jeni fleksibël për t’u përshtatur me kohërat që ndryshojnë”.

Ajo që bie fort në sy është një qëndrim kritik i presidentit Trump ndaj SHBA-së “për ndërtimin e kombeve anembanë botës me arrogancë” dhe se “marrëveshjet e paqes duhet të jenë fleksibël për t’u përshtatur me kohët që ndryshojnë”.

Çfarë ka ndryshuar? A po paralajmëron SHBA-ja një qasje të re për “ndërtimin e kombeve”, dhe me këtë rast një rishpërndarje të territoreve në Ballkan? Çfarë mund të sjellë në Kosovë, nëse rihapet loja në Bosnjë?

A mund të kuptohet si një hap i parë në këtë drejtim rehabilitimi politik i Dodik-ut dhe kastës së tij politike dhe ekonomike?

“Nuk jam këtu për t’ju mbajtur ligjërata, por për të dëgjuar nga ata që vijnë nga Bosnja dhe rajoni. Ne, në Administratën e Presidentit Trump jemi të gatshëm të ofrojmë shërbimet tona të mira për të përmirësuar kushtet, por vetëm nëse përfshirja jonë është e dëshiruar dhe e pranuar. E di që kjo nuk ka qenë gjithmonë fryma me të cilën zyrtarët amerikanë i janë qasur politikës së jashtme. Por, edhe në këtë aspekt, ashtu si në shumë të tjera, Administrata e Presidentit Trump është e gatshme të provojë një qasje të ndryshme dhe jam krenar që përfaqësoj këtë mënyrë të re të të menduarit” – theksoi në fjalimin e tij zv.sekretari Christopher Landau në maj 2025.

Diplomatët duhet të mendojnë më thellë rreth këtyre qasjeve të reja të politikës amerikane në Ballkan./ CNA





22:55 Opinione Lutfi Dervishi

Ditar i Diellës

Kina kërcënon Shqipërinë! Sot në mëngjes, ndërsa po bëja ...

Lajmet e fundit nga