LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Lodhja kronike: Çfarë e shkakton dhe si ta shmangim?

7 Maj 2023, 16:00, Kuriozitete CNA
Lodhja kronike: Çfarë e shkakton dhe si ta shmangim?
Foto ilustruese

Organizata Botërore e Shëndetësisë e përshkruan lodhjen kronike si dukuri profesionale. Jo si komplikim shëndetësor.

Ajo përshkruhet si sindromë, që shkaktohet nga stresi i tepërt i punës, i cili nuk është menaxhuar mirë.

Si fenomen, kjo lloj lodhjeje – që në gjuhën angleze njihet si "burnout" - është përmendur më së shumti në kohën e pandemisë së koronavirusit.

Atëherë, kur njerëzit është dashur të mbajnë punën, por edhe të përshtaten me mënyrën e re të të punuarit. Besa edhe të të jetuarit.

Ka ekzistuar edhe presioni për ruajtjen e shëndetit, për veten, për familjarët, një ngarkesë e jashtëzakonshme.

Në një anketë të realizuar nga Instituti amerikan "FutureForum", në shkurt të këtij viti, prej më shumë se 10.200 respodentëve, të cilët kanë qenë punëtorë në gjithë botën, 42 për qind kanë thënë se përballen me lodhjen kronike.

Fiona Muhaxheri, psikologe në klinikën "Empatia", ka treguar në episodin më të ri të podkastit "Të flasim", se pse shkaktohet lodhje kronike, cilat janë simptomat, dhe si ta shmangim, nëse mundemi.

Lodhja kronike: Çfarë e shkakton dhe si ta shmangim?

Radio "Evropa e Lirë": Fiona, Organizata Botërore e Shëndetësisë, thotë se lodhja kronike rezulton prej stresit të madh të punës, i cili nuk është i menaxhuar mirë. Çfarë do të thotë mosmenaxhim i mirë i stresit?

Fiona Muhaxheri: Lodhja kronike nuk ka të bëjë vetëm me keqmenaxhim të stresit, por ka të bëjë me faktorë tjerë, që janë jashtë kontrollit tonë, që njihen ndryshe edhe si faktorë rrezikues.

Ndër ta bëjnë pjesë: orët e gjata të punës, përgjegjësitë e mëdha, pritjet joreale, një kulturë toksike në punë, ndjenjë e frikës në vendin e punës, pritje për të ofruar një performancë të lartë kur burimet janë të pamjaftueshme, dekurajimi i shfrytëzimit të përfitimeve, shembull përdorimi i pushimeve me pagesë, pritja e perfeksionizmit, apo edhe kompensimi i ulët. Këta janë faktorët e jashtëm, të cilët dalin jashtë kontrollit tonë, që çojnë në lodhje kronike, dhe jo domosdo keqmenaxhimi ynë.

Radio "Evropa e Lirë": Nëse nuk është sëmundje, a shkakton probleme në shëndet një lodhje e tillë për kohë të gjatë?

Lodhja kronike: Çfarë e shkakton dhe si ta shmangim?

Fiona Muhaxheri: Po, është shumë e rëndësishme që të trajtohet nëse ne e vërejmë që po përjetojmë lodhje kronike, sepse mund të shkaktohen dëme afatgjata, si në shëndetin mendor, ashtu edhe në atë fizik. Te shëndeti mendor hyjnë: depresioni, ankthi apo çrregullimet tjera të shëndetit mendor, ndërsa sa i përket shëndetit fizik, mund të përjetojmë çrregullime me gjumin, përdorim të substancave narkotike, alkool, duhan, të përballemi me diabet, sterilitet mashkullor, kolesterol të lartë, sëmundje të zemrës, obezitet dhe të ngjashme.

Radio "Evropa e Lirë": Si mund ta identifikojë dikush veten që po e përjeton lodhjen kronike?

Fiona Muhaxheri: Disa prej simptomave përfshijnë një lodhje emocionale, një ndjenjë të shterjes, qoftë nga burimet tona emocionale, apo fizike, është një ndjenjë e shkëputjes, e mosangazhimit në punë, apo në aktivitete që dikur na kanë pëlqyer. Mund të përballemi edhe me ndjenjën e zvarritjes dhe nevojën për më shumë kohë për të përfunduar një detyrë. Është një ndjenjë vetëdyshimi, ndjenjë e bllokimit, ndihemi se përpjekjet tona janë të pakta, të panevojshme, të pavlerësuara. Te simptomat fizike përfshihet dhimbja e kokës, e stomakut, probleme me gjumë, pastaj është rënia e produktivitetit, rritja e nervozizmit, negativitetit, por edhe e mbingarkesës. Ndihemi që kemi shumë punë, por pak kohë për t’i përfunduar ato.

Radio "Evropa e Lirë": Thuhet se disa e kanë të vështirë ta bëjnë dallimin në mes të lodhjes kronike dhe depresionit. Cilat simptoma i kanë të ngjashme, e cilat jo?

Fiona Muhaxheri: Është e vërtetë që lodhja kronike dhe depresioni e kanë një mbivendosje të simptomave, të tilla si lodhja, mungesa e motivimit, por edhe ulje e produktivitetit. Çfarë e bën diferencën janë shkaktarët. Te lodhja kronike janë shkaktarët që lidhen me stresin në vendin e punës, ndërsa te depresioni janë edhe shkaktarët që lidhen me aspektet e tjera të jetës. Për ta bërë dallimin, nëse e heqim një burim të stresit në jetën tonë dhe e shohim që ndihemi më mirë, atëherë mundësia që po përballemi me stres kronik dhe jo depresion, është shumë më e madhe.

Lodhja kronike: Çfarë e shkakton dhe si ta shmangim?

Radio "Evropa e Lirë": A mund të ngatërrohet lodhja kronike me gjendje të tjera emocionale, apo edhe të karakterit të një personi?

Fiona Muhaxheri: Është një tendencë që të ngatërrohet lodhja kronike me dembelizmin, apo përtacinë, ndonëse dallimet mes tyre janë të mëdha. Lodhja kronike ka të bëjë me një lodhje kronike, emocionale dhe mendore, por që shkaktohet nga një stres i stërzgjatur, dhe lidhet me punën. Ndërsa kur flasim për dembelinë, zakonisht ka të bëjë me një shprehi, kemi mungesë të motivimit për të realizuar detyrat tona të përditshme. Me raste, lodhja kronike mund të çojë në dembelizëm, prandaj është shumë e rëndësishme të kuptohen shkaktarët e këtyre ndjenjave dhe të trajtohen, në përputhje me rrethanat.

Radio "Evropa e Lirë": Çfarë përshtypje keni Fiona, a është lodhja kronike e mbivlerësuar apo e nënvlerësuar si temë në Kosovë?

Fiona Muhaxheri: Lodhja kronike është një përjetim që mund ta kenë shumica e njerëzve. Fatmirësisht është duke u rritur vetëdija, sepse njerëzit janë duke kërkuar ndihmën e profesionistëve shëndetësorë, për çfarëdo çështjeje që është duke i shqetësuar: punë, familje, apo diçka tjetër. Megjithatë, vetëdija duhet të rritet edhe më shumë, të kuptojnë të gjithë, që jo vetëm çrregullimet e mëdha të shëndetit mendor kërkojnë ndihmë prej profesionistëve shëndetësorë. Ndoshta ndonjëherë mjafton vetëm një stres i vogël në punë, që dikush t’i nënshtrohet një seance psikoterapeutike.

Radio "Evropa e Lirë": A besoni se është zgjidhje ndërrimi i vendit të punës, për t’iu shmangur kësaj lodhjeje?

Fiona Muhaxheri: Për parandalimin e lodhjes kronike duhet të ketë përpjekje reciproke, si prej kompanisë, ashtu edhe prej punëtorit, për të mirëmbajtur një mirëqenie të shëndetit mendor. Nuk do të thotë që vetëm pse e ndërroni vendin e punës nuk do të përjetoni lodhje kronike, por janë disa gjëra që na ndihmojnë në parandalim. Çfarë mund të bëjmë ne? Mund të marrim pushime, qofshin të shkurta brenda ditës, apo edhe disa ditë, ecje deri në dyqan, ushtrime trupore, apo çfarëdo që na ndihmon për të dalë prej rutinës ditore.

Por, e dimë që jo çdokush e ka mundësinë që të marrë pushime të gjata. Duhet t’ia përkujtojmë vetes që jo çdo gjë e kemi nën kontroll, dhe që ne nuk mund të ofrojmë zgjidhje për gjithçka. Është e rëndësishme që të bëjmë aktivitete që na bëjmë të ndihemi mirë, të identifikojmë njerëz që shqetësohen për mirëqenien tonë, apo edhe mbajtja edhe një ditari të ndjenjave tona. Kjo më vonë na ndihmon që ta kuptojmë se çfarë po na e shkakton atë lloj të lodhjes, dhe ndoshta edhe të mbrohemi prej atij shkaktari.

Lodhja kronike: Çfarë e shkakton dhe si ta shmangim?

Diçka tjetër që ndihmon është vendosja e kufijve në mes të jetës personale dhe profesionale. Të caktojmë një orar kur përfundon puna jonë, të mos kontrollojmë emailet pas orarit të punës, gjatë kohës sa jemi në pushime, apo edhe në fundjavë.

Radio "Evropa e Lirë": Shembuj shumë të mirë për punëtorët, por çfarë duhet të bëjnë institucionet punëdhënëse? Si të kujdesen ata për mirëqenien e punëtorëve të tyre?

Fiona Muhaxheri: Kompanitë e kanë obligim që punëtorët e tyre të jenë të shëndetshëm dhe produktivë. Ata mund të promovojnë balancin në mes të jetës personale dhe asaj profesionale. Mund t’iu ndihmojnë punëtorëve që të menaxhojnë stresin e punës, duke u kujdesuar që ata të mos mbingarkohen me detyra apo përgjegjësi. T’iu ofrojnë mbështetje, t’ua validojnë ndjenjat, sepse diçka mund të jetë më e vështirë për dikë, sesa për dikë tjetër. Diçka tjetër shumë e rëndësishme është inkurajimi i pushimeve, qofshin ato ditore apo javore. Edhe investimet në trajnime për punëtorët janë të rëndësishme, sepse i bëjnë punëtorët të ndihen të vlefshëm në vendet e punës.

Radio "Evropa e Lirë": A besoni se janë të mjaftueshme nismat e disa kompanive që t’ua mundësojnë punëtorëve shkuarjen falas nëpër palestra, t’ua heqin shpenzimet e udhëtimit, apo duhet bërë më shumë në aspektin emocional?

Fiona Muhaxheri: Çdo nismë, sado e vogël që është, duhet të vlerësohet. Çdo përpjekje që ua lehtëson atyre punën, është shumë e mirëseardhur, dhe duhet të vlerësohet.

Radio "Evropa e Lirë": A mund t’i jepet fund lodhjes kronike, apo vetëm duhet të mësohemi ta menaxhojmë?

Fiona Muhaxheri: Është e vështirë, nëse jo e pamundur, që të zhduket plotësisht si dukuri, ndonëse krijimi i mekanizmave mbrojtës ndihmon në parandalim. Nuk mund ta eliminojmë tërësisht, por mund ta zbehim, apo edhe ta menaxhojmë më mirë në të ardhmen, duke vendosur kufij.

Radio "Evropa e Lirë": Duke vendosur kufij? Po pastaj kufijtë janë individualë, varen nga ambiciet, karakteri, e të ngjashme.

Fiona Muhaxheri: Pikërisht. Është shumë e rëndësishme që një person ta dijë se çfarë dëshiron nga jeta e vet, dhe çfarë po përfiton nga puna. A mendon ai person që stresi dhe ngarkesa janë të nevojshme për zhvillimin e tij profesional? Pra, gjithçka varet prej vlerave, parimeve dhe qëllimeve që ka personi./ REL

Lajmet e fundit nga