LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Studimi: 8 orë vetmi, mund të jenë po aq të lodhshme për disa njerëz sa edhe të qëndruarit pa ushqim

23 Prill 2023, 15:15, Kuriozitete CNA
Studimi: 8 orë vetmi, mund të jenë po aq të lodhshme
Foto ilustruese

Si kafshë sociale që janë, njerëzit kanë nevojë për shoqërinë e të tjerëve, pothuajse po aq sa kanë nevojë për ujë, ajër dhe ushqim. Studimet e mëhershme kanë treguar se izolimi i vazhdueshëm na dëmton shëndetin në disa mënyra.

Tani një studim i ri nga hulumtuesit nga Universiteti i Vjenës në Austri dhe Universiteti i Kembrixhit në Britaninë e Madhe ka zbuluar se te disa njerëz 8 orë vetmi mund të ulin energjinë dhe të rrisin lodhjen po aq sa qëndrimi 8 orë pa ngrënë.

Testi laboratorik i ekipit dhe eksperimenti në terren, treguan se njerëzit që jetojnë vetëm apo që kanë pak ndërveprime sociale çdo ditë, kanë më shumë gjasa që të dëmtohen nga mungesa e shoqërisë. Për më tepër, duket sikur reduktimi i energjisë është rezultat i ndryshimeve në reagimin homeostatik të trupit.

Pra, një lloj akti balancues, ku mungesa e lidhjes sociale shkakton një reagim biologjik. “Në studimin laboratorik, ne zbuluam ngjashmëri të habitshme midis izolimit social dhe mungesës së ushqimit. Të dyja gjendjet shkaktuan rënie të energjisë dhe lodhje të shtuar, gjë që është befasuese duke pasur parasysh se privimi i ushqimit na bën të humbasim energjinë, ndërsa izolimi social jo”- thonë autorët kryesorë të studimit, psikologët Ana Stijoviç dhe Pol Forbes nga Universiteti i Vjenës në Austri.

Për studimin laboratorik, 30 femra vullnetare u ekzaminuan në 3 ditë të ndara nga 8 orë secila: një ditë pa kontakt social, një ditë pa ushqim dhe një ditë pa kontakt shoqëror ose ushqim. Pjesëmarrëset bënë komente për stresin, gjendjen shpirtërore dhe lodhjen e tyre, ndërsa iu matën edhe rrahjet e zemrës dhe nivelet e kortizolit në pështymë (treguesit standardë të stresit).

Ndërkohë eksperimenti në terren përfshiu 87 pjesëmarrës që jetonin në Austri, Itali dhe Gjermani, dhe që mbuloi periudhën e masave të bllokimit për shkak të COVID-19 midis prillit dhe majit 2020. Pjesëmarrësit kishin kaluar të paktën 8 orë në izolim.

Atyre iu kërkua t’u përgjigjen pyetjeve përmes një aplikacioni në smartfon, të ngjashëm me ato të kërkuara në testin laboratorik: për stresin, për humorin dhe për lodhjen. Ndërsa eksperimenti në terren nuk përfshinte ushqimin, rezultatet e tij - nivele më të ulëta të energjisë pas izolimit - përputhen me testin në laborator, gjë që sugjeron se krahasimi midis qëndrimit pa ndërveprim social dhe pa ushqim shkakton të njëjtat simptoma.

Testi i botës reale tregoi se më të prekur ishin ata që jetonin vetëm dhe më të shoqërueshmit. Nivelet e tyre të raportuara të energjisë, ranë në ditët kur ata nuk ndërvepruan me askënd në krahasim me ditët kur patën disa ndërveprime të shkurtra sociale, një efekt që nuk shihet te pjesëmarrësit më pak të shoqërueshëm.

“Fakti që ne e shohim këtë efekt edhe pas një periudhe të shkurtër izolimi social, tregon se niveli i ulët i energjisë mund të jetë një përgjigje adaptive ‘homeostatike sociale’, e cila në një periudhë afatgjatë mund të bëhet joadaptive”- thotë psikologia Xhorgia Silani nga Universiteti i Vjenës.

Pra, ndërsa zgjatet koha e izolimit, dëmi ka të ngjarë të thellohet. Studimet e mëparshme e kanë krahasuar vetminë me problemet e shëndetit publik si obeziteti, duke sugjeruar se ekziston një rrezik i konsiderueshëm i vdekjes së parakohshme për shkak të izolimit social.

Po ashtu, hulumtimet e mëparshme kanë gjetur gjithashtu prova të një reagim ciklik, ku mungesa e angazhimit social na bën më pak të prirur të dëshirojmë të dalim jashtë dhe të krijojmë lidhje. Një lloj spiraleje vetmie nga e cila është gjithnjë e më e vështirë të dalësh. Ndërkaq, ne e dimë se kalimi i kohës vetëm mund të jetë i dobishëm për disa njerëz sa i përket mirëqenies së tyre.

Hulumtimet e ardhshme mbi grupe më të mëdha dhe më të ndryshme pjesëmarrësish, do të jenë në gjendje t'i shqyrtojnë më tej këto shoqata. “Është një fakt i njohur që vetmia afatgjatë dhe lodhja janë të lidhura midis tyre. Por ne dimë pak për mekanizmat e menjëhershëm që qëndrojnë në themelin e kësaj lidhjeje”- thotë Silani. Hulumtimi është publikuar në “Psychological Science”./ Përshtatur nga CNA.al 

 

07:59 Kuriozitete sara novak

Si evoluuan njerëzit?

Rreth 6-8 milionë vjet më parë, në thellësi të pyjeve ...

Lajmet e fundit nga