LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ia kushtoi jetën zbulimit të vrasësve të vajzës së saj, më pas u vra edhe vetë/ Historia e jashtëzakonshme e Miriam Rodrigez

23 Prill 2023, 09:40, Kuriozitete CNA
Ia kushtoi jetën zbulimit të vrasësve të vajzës së
Foto ilustruese

Miriam Rodrigez ia kushtoi jetën kërkimit të drejtësisë për vajzën e saj, Karen. Vajza e saj 20-vjeçare, u rrëmbye dhe vra nga anëtarët e kartelit meksikan në vitin 2014.

Miriam u betua se do të bënte gjithçka për të zbuluar autorët e krimit. Ajo ndryshoi pamjen e saj, u infiltrua në shtëpitë e anëtarëve të kartelit dhe kaloi orë të tëra duke lundruar nëpër mediat sociale për të kërkuar informacione.

Duke mbajtur një pistoletë me vete, Rodrigez qëllonte vetë mbi rrëmbyesit e vajzës së saj, ndonjëherë duke i ndjekur ata në këmbë derisa të vinte policia.

Përpjekjet e pareshtura për drejtësi nga Miriam Rodrigez - e bënë atë një heroinë në San Fernando të Meksikës. Por kjo gjë i solli edhe shumë armiq. Dhe në Ditën kombëtare të Nënës në vitin 2017, 57-vjeçarja u qëllua për vdekje përpara shtëpisë së saj.

Rrëmbimi i vajzës

Për Miriam, gjithçka ndryshoi më 23 janar 2014. Atë ditë vajza e saj 20-vjeçare Karen po udhëtonte me makinë nëpër San Fernando, kur nisën ta ndiqnin 2 makina. Ato ndaluan dhe disa burra të armatosur hynë me forcë në makinën e saj, duke e rrëmbyer dhe u larguar me shpejtësi.

Rodrigez dhe familja e saj u përpoqën për disa javë që ta gjenin dhe kthenin Karen në shtëpi. Ata e dinin se ajo ishte rrëmbyer nga anëtarët e kartelit Los Zetas, të cilët njiheshin për rrëmbimin e njerëzve të pafajshëm dhe përdorimin e shpërblimeve për lirimin e tyre për të financuar operacionet e kartelit.

Familjarët e Karen u përpoqën të ndiqnin të gjitha udhëzimet e kartelit. Të bombarduar me një mori telefonatash kërcënuese ata morën një hua në bankë për të paguar shpërblimin për lirimin e Karen, dhe lanë një thes me para në një vend që iu kërkua. Megjithatë, Karen nuk u kthye në shtëpi.

Pa pasur asnjë mundësi tjetër, Miriam Rodrigez kërkoi të takohej me një anëtar të kartelit. Për habinë e saj, njëri prej tyre ra dakord. Megjithëse ai i tha asaj se nuk e dinte se ku ishte e bija, iu ofrua ta ndihmonte për ta gjetur atë për shumën e 2.000 dollarëve.

Rodrigez e pagoi tarifën, por as ky veprim nuk i solli ndonjë dobi. Gjithsesi ajo mësoi emrin e të riut:Sama. Ajo i tha vajzës tjetër se besonte se Karen kishte vdekur, por se ajo nuk do të gjente paqe derisa të zbulonte rrëmbyesit e saj.

Kërkimi i drejtësisë nga një nënë e dëshpëruar

Dalëngadalë, Miriam Rodrigez nisi të mblidhte të dhëna për rrëmbyesit e vajzës së saj. Pasi gjeti Sama-n në "Facebook", ajo identifikoi një nga miqtë e tij, veshur me uniformën e dyqanit të akullores dhe kaloi orë të tëra duke pritur jashtë dyqanit derisa ai u shfaq.

Pastaj e ndoqi nga pas, zbuloi se ku jetonte Sama. Megjithatë i nevojitej akoma më shumë informacion. Që të kalonte fshehurazi nëpër lagjen e tij pa u zbuluar, leu flokët e saj në ngjyrë të kuqe, veshi një uniformë të vjetër dhe bisedoi me fqinjët e tij, duke u shtirur sikur po kryente një “sondazh”.

Pasi u shpërfill nga autoritetet, Rodrigez gjeti më në fund një aleat brenda policisë federale, i cili ishte i gatshëm ta ndihmonte. Edhe pse Sama i shpëtoi arrestimit herën e parë, policia mundi ta ndalonte një ditë. Sama i dha policisë emrat e anëtarëve të tjerë të kartelit, të cilët hodhën edhe më shumë dritë mbi rrëmbimin e Karen. Madje njëri pranoi ta çonte policinë në fermën ku ishte vrarë Karen.

Në fermë, Rodrigez gjeti shallin e Karen dhe njërën nga kockat e eshtrave të saj. Më pas, rinisi kërkimin e saj për të gjetur vrasësit e të bijës. Ajo do të gjurmonte 10 anëtarë të kartelit që kishin luajtur një rol në rrëmbimin e vajzës së saj. Shumë prej tyre ishin larguar nga karteli dhe po përpiqeshin të nisin jetën nga e para si të krishterë të rilindur, apo si shitës lulesh, por Rodrigez nuk kishte pak simpati për ta.

“Ku ishte dhembshuria e tij kur më vranë vajzën?”-ulëriti ajo kur një nga anëtarët e kartelit u arrestua në një kishë, akt që shkaktoi protestat e komunitetit të besimtarëve. Miriam u bë e famshme në San Fernando. Ajo ishte jo vetëm ballë për ballë me një armik të fuqishëm, por po sfidonte gjithashtu një mënyrë jetese.

Ajo dukej se e kuptoi rrezikun e veprimtarisë së saj, dhe tha se nuk kishte frikë nga vdekja. “Nuk më intereson nëse më vrasin. Unë kam vdekur në shpirt që ditën që më vranë vajzën. Dua t’i jap fund kësaj. Unë do të shkatërroj njerëzit që lënduan vajzën time, pastaj le të bëjnë çfarë të duan për mua”- i tha një miku. Tragjikisht fjalët e saj rezultuan të ishin profetike.

Si u vra Miriam Rodrigez nga anëtarët e kartelit

Miriam u shndërrua në një aktiviste për familjet, të dashurit e të cilëve ishin zhdukur në Meksikë. Në marsin e vitit 2017, 29 të burgosur hapën një tunel dhe u arratisën nga një burg në Ciudad Victoria, ku ishin burgosur rrëmbyesit e Karen. Miriam Rodríguez kërkoi mbrojtje nga policia dhe policia lokale ra dakord të dërgonte një patrullë.

Por më 10 maj, ditën kur Meksika feston Ditën e Nënës, 57-vjeçarja ishte duke ecur para shtëpisë së saj me paterica. Ajo kishte thyer së fundmi këmbën duke ndjekur një të dyshuar,  kur një “Nissan” i bardhë i drejtuar nga të burgosurit e arratisur i doli përpara duke e qëlluar disa herë.

Bashkëshorti i saj e gjeti të shtrirë pa jetë, me dorën brenda çantës ku mbante pistoletën. Vdekja e Miriam i zemëroi njerëzit në mbarë shtetin. Guvernatori Francisco de Vaca, shkroi në "Twitter": “Qeveria e Tamaulipas nuk do të lejojë që vdekja e Miriam Rodríguez të kthehet në një tjetër statistikë”.

Qeveria arrestoi 2 nga vrasësit e Rodrigez, dhe një i tretë u vra në një përleshje me armë. "BBC" raporton se rreth 100.000 njerëz janë zhdukur në Meksikë që nga viti 2007, kur presidenti i atëhershëm meksikan shpalli një “luftë kundër drogës” ./ Përshtatur nga CNA.al

07:59 Kuriozitete sara novak

Si evoluuan njerëzit?

Rreth 6-8 milionë vjet më parë, në thellësi të pyjeve ...

Lajmet e fundit nga