web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

ZHGËNJIM NË TORONTO...

29 Dhjetor 2024, 12:20, Kulturë CNA

ZHGËNJIM NË TORONTO...

-Zgjohu, Sandër! Zgjohu, o burrë!

I fliste Ollga butë afër veshit.

-Çohu dhe paguaja qiranë çunit. -vazhdonte ajo.

Sandri e dëgjonte, por nuk donte t’i jepte përgjigje. Madje as sytë nuk donte t’i hapte. Bënte sikur dremiste te kolltuku në dhomën e ndenjes. E kishte zakon drekave që ashtu flinte ca minuta. Me tv ndezur dhe me zhurmat që bënte e shoqja nga kuzhina. Por sot po shihte ashtu përgjumur filmin e njëzet viteve të fundit. Qysh atë ditë kur i biri nga Kanadaja i tha në cel:

-O ba, u bëre gjysh. Të na rrojë çuni dhe nipi yt!

U gëzua sa më s’ka, ishte në kantier atë ditë. Gati mbaroi pallati i tetë që ai po ndërtonte. Jo si pronar, por si inxhinier. Ndaj mblodhi punëtorët e i qirasi me drekë. Të gjithë pinë dhe u bënë tapë. Çakërqejf shkoi në shtëpi e ia nisi sërish dollisë me Ollgën. Djalin e kishin të vetëm. U shkollua për inxhinier dhe sa mbaroi shkollën kërkoi të fitonte një green card kanadez. Ia doli nuk thuhet. I eci fati. E fat dyfish se llotaria përfshiu edhe të dashurën e tij. Fluturuan larg e atje nisën mbarë e mirë. Ajo në një shtëpi të moshuarish si infermiere, djali, Nesti, si inxhinier në një fabrikë pajisjesh mjekësore. Flisnin çdo javë ato vitet e para se nuk kishte celular e whatsapp atëhere. Dhe Sandrit punët i ecnin mbroth. Pallatet shiteshin sa hapeshin themelet e jeta nisi të ishte bujare. Paguhej mirë, por edhe  kursente. Ashtu qe mësuar në jetë. Modest në ushqim, në luks dhe shpenzime. Kësaj mirësie iu shtua dhe nipi. E përhapën lajmin ngado. Mburreshin se kur ke çun gjysh bëhesh me vonesë. Fat që Sandri dhe Ollga e morën këtë titull kur sapo mbushën 50 vjeç. Një mbasditë, ishte e djelë, i merr Nesti në telefon.

-O ba, pse nuk vini një muaj në Kanada? Do na gjendeni dhe ne se prindër të rinj e s’kemi përvojë?

Sandri nuk dha pérgjigje. Ia tregoi Ollgës.

-Të ikim sa më parë, -tha ajo.

U duk se nënë e bir i kishin thurrur planet. Sandri la porositë te inxhinierët e tjerë dhe një ditë maji fluturuan drejt e në Kanada, në Toronto. Ai vitet e fundit kishte bërë udhëtime turistike e pune, por ai vend e mahniti. Në aeroport i priti Nesti dhe drejt e te shtëpia. Ata banonin në një pallat e apartamenti qe i vogël. Dy dhoma e një kuzhinë. Sa u shmallën me nipin dhe nusen, Nesti si me gjysëm zëri u tha se do flinin në kuzhinë, nga që djali flinte te njëra nga dhomat.

-Të mësohet të flerë vetëm, -shpjegoi ai.

Por siç qe i lodhur Sandri e Ollga nuk folën. Miratuan dhe fjetën si në pallat mbretëror. Të nesërmen u morën me nipin. Kështu dhe në ditët në vazhdim. Nusja ua la në dorë gjithçka. Edhe pazarin, edhe gatimin, pastrimin e pas një jave Ollgës i ngjeshi në dorë një biberon me qumësht e i tha ta ushqente natën nipin. Nuk u lodhën Sandri me Ollgën. Ndjeheshin të dobishëm dhe të rinj. Një mëngjes, kur Nesti po ikte për në punë, i tha të atit:

-Ke gërhitur mbrëmë kaq shumë sa jam pa gjumë. Futeni atë dyshekun prej gome, (se mbi të flinin Sandri me Ollgën), aty te lavamani. Është i gjerë vendi atje dhe u nxe.

Sandri e mori si shaka. Qeshi dhe bëri punët e ditës. Në darkë kur do flinin e pa dyshekun futur poshtë lavamanit. E kishte çuar Nesti. Sa do fliste e pickoi Ollga.

-Mos bëj fjalë. Dhe një javë e ikim në Tiranë.

Ec ta zinte gjumin Sandrin. Fat që nuk çohej natën për në banjë. Por Ollga e gërvishti ballin dy herë kur ngrihej të ushqente nipin. Kthimi në Tiranë qe gëzim i madh. Sa hynë te shtëpia Sandri puthi parketin. Iu kthye punës e mbeti pas saj deri sa Ollga i tha se djali kishte bërë bashkim familje.

-Do jetojmë në Kanada tani, -i tha ajo.

Sandri e kundërshtoi prerë, por Ollga ia nisi me lutje, me qarje, méëzitje dhe një ditë burri u dorëzua.

-Ato para që kemi në bankë të blemë një apartament të mirë te pallati që ndërtova se do na duhet qiraja e saj për ditë të veshtira.

Ashtu bënë. Pjesën që mbeti e çuan në një bankë në Kanada dhe fluturuan. Me dhimbje dhe gëzim. Nipi qe rritur, por u bë dhe me motër. Sandri majë makinës për pazar dhe çuarjen e nipit në kopësht.

-Bli një makinë, o ba, -i tha çuni. -Se të duhet. Mos jesh i varur nga imja apo e nuses.

Ollga e miratoi. E blenë një makinë të vogël. Më pas e paguan vetë sigurimin shëndetësor, e...ua plasi çuni një mbrëmje:

-O ba shtoje pak pagesën për ushqim. Se janë rritur shpenzimet. Ti e kupton vetë.

Sandrit iu errën sytë. Nuk foli. Të nesërmen mori në telefon Mozën e agjencisë së biletave dhe i kërkoi të afronte kthimin.

-Për tre ditë të jem në Tiranë, -i tha.

-Jemi në qershor, ti do vije në dhjetor, -e kujtoi ajo.

Po Sandri nuk u tërhoq.

-Pasnesër do ikim -i tha  çunit.-Kam një punë me rëndësi.

Dhe nuk priti përgjigje. U shtri me kokën poshtë lavamanit. Pranë iu ngjit e shoqja. E shtrëngoi si atëhere.

-Qenkemi në një mendje, -u lehtësua.

Ditët e kthimit si fëmijët kur mbarojnë shkollën. Plot gaz e hare. Të lumtur e të çliruar nga mazgalla e lavamanit. Por për fat të keq Sandrin nuk e morën më në punë, kishin plot të rinj rreth e rrotull. Ai nuk u mérzit. Iu afrua mosha e pensionit dhe bashkë me Ollgën e shtynin disi. Qiraja a apartamentit që blenë qe siguria e tyre. Që u plotësonte ndonjë ilaç, ndonjë vizitë te mjeku a ndonjë javë pushime diku. E kështu kaluan vite. Deri sa erdhi lajmi se djali do kthehej në Tiranë.

-I ka falimentuar fabrika, -tha Ollga. -Me asistencë dhe punën e nuses nuk i mbajnë dot tre fëmijë.

Se kishte lindur dhe një nip tjetér. E kështu mbërritën në Tiranë . Nuk erdhën te shtëpia e Sandrit. Kishin gjetur një me qira, pak larg se qe më lirë. Erdhën për vizitë dhe Ollga qante nga gëzimi. E pranonte dhe Sandri, fëmijët janë jetë, eliksir. Pastaj nisi djali kërkimet për punë. Mbase do kishte kapur gjë, por pandemia, bllokimi...përfundoi kamarier te një shoku i vet. Ngushtë sa më s’ka. Ollga u çonte ndonjëherë ushqim dhe kalamajve ëmbëlsira. Nusja gjeti punë te një ambulancë. Por aq të ardhura nuk bënin fajde.

-T’ua paguajmë ne qiranë, -tha Ollga muajin që shkoi.

Sandri heshti. Por nuk tha jo. Ia dha lekët.

-Jepja nuses, -e porositi.

Tani po dëgjonte te veshi:

-Sandri, çohu. Jepu qiranë se janë në hall.

Zëri i dukej sikur i vinte nga poshtë lavamanit. Hapi sytë dhe i la gruas në dorë një çelës.

-Ç’është ky?

-Çelësi i apartamentit tonë. I largova ata që banonin. Thuaji Nestit të shkojë atje. Pa qira e ka.

-Po ne do rrimë vetëm me pension? Do na dalin?

-Po mos na dalin, do na teprojnë, -tha Sandri dhe mbylli sërish sytë.

I mbajti ashtu deri sa u përplas dera e jashtme.

-Iku gruaja te çuni, si flutur, -tha. -Eh,gjaku s’bëhet ujë, -psherëtiu e hodhi sytë te televizori. Fat që në ekran kishte futboll./ CNA





08:57 Kulturë

DJALI ME BIÇIKLETË

Kur hapa derën para m’u shfaq goca. Herë pas here ajo sa d...

08:25 Kulturë Agim Xhafka

NË PESHKIM

Gjithë të moshuarit e pallatit në Korçë i kishim të lezets...

08:35 Kulturë Agim Xhafka

ÇANTA PE LECKE

Sot e kujtoj me buzagaz, por ka qenë shumë dramatike vajtj...

Lajmet e fundit nga