web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Festivali i Filmit Ballkanik në Pogradec/ Traditë, risi dhe inteligjencë artificiale në edicionin e 15-të

17 Shtator 2025, 10:33, Kulturë CNA

Festivali i Filmit Ballkanik në Pogradec/ Traditë, risi dhe

Në qytetin turistik të Pogradecit ka nisur edicioni i 15-të i Festivalit të Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë. Ky është një prej aktiviteteve më të qëndrueshme kulturore në rajon, i cili prej një dekade e gjysmë sjell bashkë kinemanë, artin, traditat dhe shijet ballkanike, duke e kthyer qytetin buzë liqenit në një pikë takimi për artistë, regjisorë, producentë dhe publikun e gjerë.

Festivali i Filmit Ballkanik në Pogradec/ Traditë, risi dhe

Producentja Gerta Qurku thotë se festivali ka arritur të ruajë freskinë dhe interesin, falë filmave më të rinj që çdo vit vijnë nga vendet e Ballkanit. Në këtë edicion marrin pjesë produksione të shumta me filma të shkurtër, të gjatë, por edhe dokumentarë, që janë bërë gjithnjë e më të pranishëm në program.

 

"Këtë vit jemi në vitin e 15-të. Jemi shumë të lumtur që jemi në këtë edicion dhe si çdo vit kemi prodhimet më të reja nga shtetet e Ballkanit që janë prezent me filma të shkurtër, të gjatë dhe me dokumentarë”, tha producentja Qurku.

 

Organizatori dhe regjisori Eno Milkani tregon se këtë vit dokumentarët kanë spikatur më shumë se herët e tjera. Sipas tij, ky zhanër po fiton terren, pasi është më i thjeshtë për t’u realizuar, kërkon më pak financa, ndërsa temat që trajton janë shpeshherë më të afërta me publikun. Kjo e bën festivalin edhe më të larmishëm, duke sjellë perspektiva të reja mbi realitetin ballkanik.

 

"Kur vjen puna te përzgjedhja e filmave automatikisht këtë vit ka pasur një prurje më të mirë dokumentarësh. Dokumentarët mesa duket janë bërë shumë në trend për faktin se bëhen më kollaj se filmi i gjatë, kërkojnë më pak para për t'u realizuar dhe temat që propozojnë janë shumë interesante,” tha organizatori dhe regjisori Eno Milkani.

Festivali i Filmit Ballkanik në Pogradec/ Traditë, risi dhe

Por risia më e veçantë e këtij edicioni lidhet me teknologjinë. Për herë të parë, festivali ka rezervuar një ditë të plotë për inteligjencën artificiale. Nëpërmjet një seminari të posaçëm, do të diskutohet se si AI ka filluar të ndikojë në industrinë e filmit dhe çfarë mundësish ofron ajo për regjisorët dhe producentët e së ardhmes. Mbrëmja e së nesërmes do të sjellë edhe një shfaqje muzikore, ku ritmet tradicionale ballkanike do të ndërthuren me eksperimente të krijuara nga inteligjenca artificiale, duke krijuar një përzierje të pazakontë mes Balkan Rock-ut, Balkan Jazz-it dhe tingujve modernë.

 

"Më e reja që është edhe botërore, lidhet me inteligjencën artificiale. Dita e nesërme pothuajse i dedikohet AI, se si ajo ka filluar të ndërhyjë edhe në kinema e për këtë do të kemi një seminar, për të parë një formë të re të përfshirjes së inteligjencës artificiale në bërjen e filmit. Në darkë do të kemi një orë muzikë me ritme ballkanike të kombinuara nga AI me zhanre të ndryshme, si Balkan Rock, Balkan Jazz."

 

Megjithatë, festivali nuk e harron as trashëgiminë. Organizatorët kanë menduar edhe për publikun që e vlerëson kinemanë e së kaluarës. Në program është përfshirë edhe një film i vjetër shqiptar i restauruar, duke i dhënë një tjetër dimension aktivitetit dhe duke i kujtuar publikut rrënjët e kinematografisë sonë.

 

"Megjithatë kjo s'do të thotë të heqim dorë nga e shkuara. Do të kemi prezent filmin e vjetër shqiptar të restauruar, kështu që do të ketë gjëra për të gjitha dëshirat e njerëzve, për ata që janë në Pogradec, për ata që do na bashkohen nga Ballkani dhe për ata që do të vijnë nga Tirana."

Festivali i Filmit Ballkanik në Pogradec/ Traditë, risi dhe

Përveç kinemasë, festivalit i jep gjallëri edhe muzika. Ceremonia e hapjes u shoqërua nga performanca e këngëtarit Niki Zaimi. Për të, kjo është një nga eksperiencat më të bukura të sezonit, sepse Pogradeci e bën të ndihet si në shtëpi. Zaimi, i njohur për muzikën rock, këtë herë solli tinguj shqiptarë të ndërthurur me stilin e tij, duke e konsideruar koncertin edhe si një mënyrë për t’u afruar më shumë me publikun e festivalit. Ai rrëfeu gjithashtu se një nga pasionet e tij është muzika e filmit dhe se e sheh këtë bashkëpunim si një lidhje të natyrshme mes artit të tingullit dhe atij të kinemasë.

 

"Është nderi më i madh që unë të jem pjesë e hapjes së ceremonisë së Festivalit Ballkanik të Filmit. Është kënaqësi të luajmë në Pogradec sepse gjithmonë ndihemi si në shtëpinë tonë dhe besoj se është një përmbyllje e mirë e sezonit veror për ne. Ne zakonisht luajmë rock, por duke parë publikun dhe dashurinë e vet, do të përpiqemi të luajmë sa më shumë muzikë shqiptare, sigurisht pa dalë nga rock-u. Një nga pasionet e mia është muzika e filmit, ku kam filluar të mësoj produksionin. Nga tematikat e para që kam mësuar është si të krijojmë muzikë filmi, e duke pasur një lidhje të tillë, ndihem si në brendësi të filmit dhe për mua është qejf."

 

Për disa ditë me radhë, qyteti i Pogradecit do të mbetet në qendër të vëmendjes kulturore, ku vizitorët do të kenë mundësi të ndjekin shfaqje filmash, të marrin pjesë në seminare, të shijojnë kuzhinën ballkanike dhe të përjetojnë atmosferën festive të muzikës. Festivali i Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë është kthyer kështu në një traditë që jo vetëm promovon artin dhe kulturën, por edhe e forcon rolin e Pogradecit si një destinacion turistik kulturor me peshë në hartën e Ballkanit./CNA

 

 

 

 

 





12:34 Kulturë Agim Xhafka

LADI YNË…

Ndodhi para ca vitesh, m’u kujtua sot nuk di për ç'shk...

Lajmet e fundit nga