web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kishat dhe ikonografia në krahinën e Lunxhërisë

1 Shtator 2025, 15:49, Kulturë Ilirjan Gjika

Kishat dhe ikonografia në krahinën e Lunxhërisë

Lunxhëria është një krahinë etnografike që shtrihet në pjesën perëndimore të malit me të njëjtin emër, e cila zbret nga shpatet e kodrave drejt fushës.

Kufizohet në veri me Rrëzën, në lindje me Zagorinë dhe Pogonin, në jug me përroin e Suhës, ndërsa në perëndim me luginën e lumit Drino. Ndër përrenjtë e shumtë që e përshkojnë mund të përmendim ata të Dhoksatit, Qestoratit dhe Nimicës, ndërkohë që kushtet e përshtatshme të mjedisit kanë bërë që Lunxhëria të banohet qysh herët. Dikur në antikitet, në këtë krahinë jetonte bashkësia fisnore e Kaonëve, ku nga gërmimet arkeologjike kanë dalë një sërë të dhënash, duke përfshirë edhe rrënojat e qytetit të Antigonesë. Po kështu, përgjatë kësaj zone dikur kalonte edhe rruga e vjetër që lidhte luginën e Drinos me atë të Vjosës, Gjirokastrën me Përmetin, e më tej me Greqinë. Sipas studimeve në këtë zonë bëjnë pjesë fshatrat: Erind, Nokovë, Mingul, Këllëz, Dhoksat, Qestorat, Saraqinishtë, Tranoshishtë, Stegopull dhe Selckë.

Përveç fshatit Erind që është i përzier në besimin fetar të gjitha fshatrat e tjera të Lunxhërisë i përkasin besimit ortodoks. Ndërsa sot, Njësia Administrative Lunxhëri, pjesë e Bashkisë Gjirokastër, përbëhet nga fshatrat Qestorat, Dhoksat, Këllëz, Mingul, Nokovë, Erind, Gjat, Kakoz, Karjan dhe Valare. Po kështu, sipas etnografëve, në këtë krahinë ruhen akoma edhe disa ndikime të kulturës bizantine, gjë që shihen te ndërtimet e kultit ortodoks dhe veshjet tradicionale lunxhiote. Por Lunxhëria shquhet edhe për traditat, ndërtimet, etnografinë, folklorin, kostumografinë dhe njerëzit e shquar që ka nxjerrë. Mjafton të përmendim vetëm emrat e disa prej pionierëve të arsimit kombëtar, si: Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri apo Urani Rumbo. Ndërkohë që krishtërimi në këtë krahinë ka rrënjë të hershme, dëshmi të të cilave janë rrënojat e bazilikës paleokristiane të Antigonesë.

E ndërtuar në shek. V-VI në dyshemenë e kësaj kishe trekonkëshe u gjet edhe një mozaik i rrallë me katër mbishkrime. Motivin qendror të tij e përbën figura e "Shën Kristoforit", paraqitur me trup njeriu dhe kokë qeni, e cila konsiderohet si një nga modelet më të hershme të tij në ikonografi.

Kishat dhe ikonografia në krahinën e Lunxhërisë
Kisha, fshati Labovë e Kryqit

Më pas, do të ndërtoheshin me dhjetëra objekte të tjera kishtare, trashëgimnia e të cilave deri në shek. XX do të ishte shumë e pasur.

Kështu, deri në vitin 1967 nga studimet e monumenteve, mbishkrimeve dhe afreskeve, rezultojnë këto kisha dhe manastire. Të tilla kanë qenë kisha e manastirit të "Shën Thanasit" në Erind, ndërtuar në shek. XVI; kisha e "Shën Mërtirit" në Tranoshishtë, ndërtuar në vitin 1617; kisha e manastirit të "Profetit Ilia" në Stegopull, ndërtuar në vitin 1624; kisha e "Shën Kollit" në Saraqinisht, ndërtuar në vitin 1630; kisha e manastirit të "Shën Mërisë" në Saraqinisht, ndërtuar në vitin 1634; kisha e manastirit të "Shpërfytyrimit" në Mingul (Drenovë), ndërtuar në vitin 1666; kisha e "Shën Mëhillit" në Mingul, ndërtuar në fillim të shek XVIII; kisha e "Shën e Premtes" në Dhoksat, ndërtuar në vitin 1761; kisha e "Shën Gjergjit" në Nokovë, ndërtuar në vitin 1772; paraklisi i "Profetit Ilia" në Nokovë, ndërtuar në vitin 1775; kisha e "Shën Kollit" në Selckë, ndërtuar në vitin 1775; kisha e "Burimit Jetëdhënës" në Këllëz, ndërtuar në vitin 1790; kisha e "Shën Mërisë" në Këllëz, ndërtuar më 1793; kisha e "Kryeëngjëjve" në Qestorat, ndërtuar në vitin 1802; kisha e "Shën Kollit" Tranoshishtë, ndërtuar më 1805; kisha e "Shën Mëhillit" në Qestorat, ndërtuar më 1817; kisha e "Shën Kollit" në Selckë, ndërtuar në vitin 1820; kisha e "Shën Kollit" në Erind, ndërtuar më 1859; kisha e "Shën Spiridhonit" në Stegopull, ndërtuar më 1871; kisha e "Shën Kollit" në Këllëz, ndërtuar në vitin 1873; kisha e "Shën Mërisë" në Qestorat, ndërtuar më 1876 dhe kisha e "Shën Mërisë" në Mingul, ndërtuar diku më vonë.

Kishat dhe ikonografia në krahinën e Lunxhërisë

Prej tyre janë shpallur si monumente kulture në vitin 1963: kisha e manastirit të "Shpërfytyrimit" në Mingul, paraklisi i "Profetit Ilia" në Stegopull, kisha e "Shën Mëhillit" në Mingul, kisha e "Shën Kollit" në Saraqinisht, kishat e "Shën Gjergjit" dhe "Profetit Ilia" në Nokovë, "Shën Mërtirit" në Tranoshishtë, etj. Ndërkohë, në vitin 1973 me këtë status u përfshi edhe kisha e manastirit të "Shën Mërisë" të Spilesë në Saraqinisht. Por le të shohim disa veçanti të këtyre objekteve të kultit në krahinën e Lunxhërisë. Kështu, fshati Saraqinisht ka pasur dikur 11 kisha dhe manastire të marra së bashku, ndërsa sot prej tyre kanë mbetur në gjendje funksionale vetëm kishat e "Shën Kollit", të "Shën Mërisë" dhe manastirit të "Shën Mërisë" në Spile. Ndërsa në fshatin Selckë ruhen toponimet "Shën Gjergj", "Shën Vasil" dhe "Shën Mëri", të cilat kanë qenë edhe tri lagjet e vjetra dhe të dikurshme të tij.

Kishat dhe ikonografia në krahinën e Lunxhërisë
Kisha e Shën Parashqevisë, Selckë

Po kështu, në Saraqinisht, kisha e manastirit të "Shën Mërisë" në Spile, është pothuajse e ngjashme me atë të "Shën Kollit", fakt që i ka nxitur studiuesit të pohojnë se këto objekte duhet të jenë ndërtuar në të njëjtën kohë dhe nga të njëjtët mjeshtër. Një fakt të tillë e vërtetojnë edhe mbishkrimet ktitoriale në muret e tyre. Sipas mbishkrimit që ndodhet mbi portën jugore të kishës së "Shën Kollit", ajo është ndërtuar dhe pikturuar në vitin 1630, prej Mihalit nga Linotopi, së bashku me të birin, Kostandinin dhe nxënësin e tij, Nikollën. “U ndërtua që nga themeli dhe u pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithnderuar i atit tonë ndër shenjtorë, Nikollës, çudibërësit me kontributin, përpjekjet dhe shpenzimet e priftërinjve të shumënderuar dhe pleqve të Saraqinishtës për shpëtimin e shpirtit në kohën e peshkopimit të shumëperëndidashësit, peshkopit të Drinopojës, zotit Kalist, me dorën e Mihal Zografit me të birin e tij, Kostandinin dhe Nikollën-katundi Linotopi në vitin 1630”, lexohet në të.

Por, një mbishkrim i ngjashëm që ndodhet mbi portën jugore të kishës së manastirit të "Shën Mërisë" në Spille, dëshmon se edhe këtu kanë punuar të njëjtët mjeshtër. "U ndërtua dhe u pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithnderuar i së mbishenjtës, zonjës sonë Hyjlindëses dhe gjithmonë virgjëreshës Mari dhe në kohën e peshkopatit të shumë perëndidashës peshkopit, Zotit Kalist dhe me kontributin, përpjekjet dhe shpenzimet e të fortshënuarve ndër jeromonakët, Kostandinit dhe Joasafit dhe të shumënderuarve e shumëfisnikëve arkondëve … u përfundua në muajin gusht 3, me dorën e Mihalit, në vitin 1634”, shkruhet në të. Ndërkohë që këta mjeshtra të kësaj familjeje nga Linotopi i Kosturit, kanë pikturuar edhe afresket e kishës së manastirit të "Profetit Ilia" në Stegopull. “U pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar i profetit të shenjtë të lavdëruar dhe perëndidashës, Ilia Thesbiti, me përpjekjet, mundimet dhe shpenzimet e të shumënderuarit, zotit Joakim dhe bashkë me mua vëllezërit, jeromonakët Danieli, Grigori, Kalisti. Kontribuan arkondët shumë fisnikë, zoti Gjergji i Nanit, Jan Dragoja nga katundi Saraqinishta dhe u pikturua me dorën time, të Kostandinit, birit të Mihalit nga katundi Linotopi dhe nxënësit të tij, Nikollës. Përfundoi në muajin qershor 19, prej Krishtit 1653, prej Adamit 7161", shkruhet në mbishkrimin që ndodhet mbi portën perëndimore brenda naosit të kësaj kishe.

Kishat dhe ikonografia në krahinën e Lunxhërisë

Duhet theksuar se mjeshtri Mihal ishte një prej piktorëve më në zë të ateliesë së Linotopit, e cila do të ushtronte aktivitetin e saj në një pjesë të territoreve të jugut të Ballkanit, gjatë periudhës nga fundi i shek. XVI-fillimi i shek. XVIII. Nga tetë objekte kulti që ndodhen në territorin e Shqipërisë ku kanë ushtruar veprimtarinë e tyre mjeshtrit e Linotopit, tri të tilla ndodhen në krahinën e Lunxhërisë. Të përmendur edhe më sipër ato janë kishat e "Shën Kollit" dhe manastirit të "Shën Mërisë" në Saraqinisht, si dhe kisha e manastirit të "Profetit Ilia" në Stegopull. Për t'u veçuar është edhe kisha e "Shën Kollit" në Saraqinisht që dallohet për afresket e veçanta, në të cilat është paraqitur edhe cikli i plotë ikonografik i jetës së "Shën Kollit". Në interierin e saj, piktor Mihali, së bashku me ndihmësit, e tij Kostandinin dhe Nikollën, përveç afreskut të shenjtorit si mbrojtës i kishës, kanë pikturuar edhe 16 skena të tjera nga jeta e tij. Të tilla janë ato që kanë të bëjnë me lindjen, shkollimin, betimit klerikal të Shën Nikollës, moshën madhore, shugurimin si peshkop, mrekullitë e tij, shpëtimin nga mbytja, kthimit nga Jeruzalemi, burgosjen, shkatërrimin e idhujve, Sinodin e Parë Ekumenik, shpëtimin e qytetit të Mirës, çlirimin e të burgosurve, historinë me gjeneralët, fjetjen dhe gjithë episodet e jetës së tij.

Kishat dhe ikonografia në krahinën e Lunxhërisë

Ndërkohë në librin, "Mbishkrime të kishave në Shqipëri", studiuesi Theofan Popa, na dëshmon edhe për veprimtarinë e një piktori ikonograf nga krahina e Lunxhërisë. I tillë është rasti i piktorit të quajtur Jani, nga Qestorati, emrin e të cilit e ndeshim si autor të afreskeve në kishën e manastirit të Vanistës, në Dropull. Sipas mbishkrimit përkatës, ai e ka pikturuar këtë objekt në vitin 1758. Ndërkohë që në kishat e Lunxhërisë kanë punuar edhe të tjerë mjeshtra të huaj. Këtu mund të përmendim piktorin Alivizi Fokas nga Qefalonia, i cili në vitin 1617 do të pikturonte afresket e kishës së "Shën Mërtirit" në Tranoshishtë. Ndërkohë mund të theksojmë se kishat e kësaj krahine kanë qenë të pajisura edhe me ikonostase dhe ikona të rralla dhe me vlera. Një pjesë e këtyre veprave të artit ruhen dhe ekspozohen në Muzeun Historik Kombëtar dhe muzetë e tjerë të vendit. Ikonat janë punuar nga piktorë të ndryshëm midis të cilëve edhe Theodhor Linatopi. Ai është autor i ikonës të quajtur "Speleotisa" (e Spilesë), të kishës së "Shën Mërisë" në manastirin e Spilesë në Saraqinisht.

Po kështu, mund të veçojmë edhe ikonostasin e kësaj kishe, e veçanta e të cilit qëndron se është punuar me motivin e guackave të detit. Po kështu, kemi edhe dyert e bukura të kishës së "Shën Mërisë" në Tranoshisht. Të gdhendura me motive në formë gërsheti ku nuk mungon edhe dekoracioni i stilizuar floreal, ato janë ekspozuar në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. E tillë është Lunxhëria që ka mbajtur në hapësirën e saj objekte dhe thesare të tilla, të cilat duhen ruajtur dhe restauruar, për t'ua trasmetuar brezave të ardhshëm si vlera të patjetërsueshme të kulturës sonë.





12:34 Kulturë Agim Xhafka

LADI YNË…

Ndodhi para ca vitesh, m’u kujtua sot nuk di për ç'shk...

Lajmet e fundit nga