web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Udhëtim në Zagori/ Gurra shpirtërore dhe thesar i trashëgimisë së Besimit Orthodhoks

30 Gusht 2025, 18:08, Kulturë Atë Grigor Pelushi

Udhëtim në Zagori/ Gurra shpirtërore dhe thesar i

Në Jug të Shqipërisë, në rrëzë të malit Dhëmbel, e fshehur mes maleve, shtrihet krahina e Zagorisë – një truall që ka qenë dhe mbetet vatër e besimit të Krishterë Orthodhoks, dijes, dhe identitetit shpirtëror.

Zagoria nuk është thjesht një krahinë gjeografike; ajo është një hapsirë e shenjtë ku Besimi dhe Historia bashkëjetojnë në praninë e Kishave, Ikonostaseve, Afreskeve dhe Manastireve që ngrihen si dëshmi e pashlyeshme e përkushtimit, prej shekujsh, të brezave.
Është hera e parë që Radio Ngjallja udhëton në Zagori për të realizuar ciklin e emisioneve 'Udhëtim në Kishat e hershme të Shqipërisë'. Kështu, bashkë me Dhjakon Aleksandrin dhe Marinin vendosëm të shkojmë në një zonë ku banorët e saj ndjehen kaq krenarë për identitetin e tyre zagoriot.

Udhëtim në Zagori/ Gurra shpirtërore dhe thesar i

Kisha dëgjuar për këtë krahinë nga disa besimtarë që jetojnë në Tiranë por edhe prej miqve të Radio Ngjallja që na shkruajnë dhe na kërkonin që të vizitonim këtë zonë.

Na shoqëronte në këtë udhëtim Ikonom Stavrofor Atë Emiliano Lito, prift në Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës, ndër klerikët më të nderuar të Kishës sonë. Prej kohësh donim të grumbullonim dhe identifikonim pasuritë kishtare që bart kjo zonë por për shkak të rrugës së vështirë kjo gjë ishte e pamundur të realizohej kohë më parë. Tani ka filluar ndërtimi i rrugës deri në fushën e Çajupit dhe pak më tej deri në fshatin Ndëran dhe është hedhur shtresë me çakull të imët në pjesën e mbetur të rrugës deri në Hoshtevë. Sipas tabelave që janë vendosur në rrugë mësuam se po ndërtohej nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Për shkak se ende rruga për të shkuar në disa tempuj të krishterë Orthodhoksë është e paaksesueshme me makinë të vogël u pa e nevojshme që të sigurohej një mjet me qera tip fuoristradë që të mund të arrinim në destinacionet që kishim planifikuar.

Udhëtim në Zagori/ Gurra shpirtërore dhe thesar i

Ndalesa e parë që bëmë ishte në hyrje të Zagorisë, aty ku gjendej dikur Kisha e Shën e Premtes (Shën Parashqevisë) që u rrënua nga regjimi ateist në vitin e errët të pjesës së dytë të shek XX (1967). Besimtarët e Zagorisë kishin ngritur një Paraklis të vogël dedikuar shenjtores për të kujtuar të gjithë ata që udhëtojnë drejt kësaj krahine se toka ku po shkelin është tokë e shenjtë. Atë Emiliano ndau një gëzim shumë të madh me ne duke na treguar se vetëm para disa ditësh besimtarët e Zagorisë e kishin vënë në dijeni se ata kanë vendosur të ndërtojnë dhe të rikthejnë lavdinë dhe hijeshinë e dikurshme të Kishës së Shën e Premtes ashtu siç stërgjyshërit e tyre kishin vepruar shekuj më parë.

Udhëtim në Zagori/ Gurra shpirtërore dhe thesar i
Në këtë vend, Atë Emiliano na tregoi se përveç kishave në Zagori gjenden edhe shumë manastire si për burra dhe për gra gjë që tregon se besimi i këtyre banorëve është shumë i thellë.
Mbërritëm në fshatin e parë që quhet Topovë, në qendër të cilit ngrihet një kambanore e ndërtuar nga banorët pas viteve 90-të në vendin ku ngrihej kisha qendrore e fshatit.

Në hyrje të tij, fshehur mes pemëve, gjendej Manastiri i Shën Marisë që ishte një manastir grash na tregoi Atë Emiliano. Manastiri ishte në këmbë por në degradim e sipër. Pjesë të ikonostasit kishin rënë përdhe. Çatia ishte rrëzuar në disa pjesë. Nëpër mure ende dukeshin mbetje të afreskeve që tregonte se kisha ishte e zbukuruar e gjitha me afreske. U lutëm të katërt që ky manastir të rindërtohet nga banorët e Topovës sepse është në nderin dhe krenarinë e të gjithë atyre që jetojnë sot brenda dhe jashtë vendit (të shpresojmë...).

Udhëtim në Zagori/ Gurra shpirtërore dhe thesar i

Udhëtimi ynë vazhdon drejt fshatit Ndëran. Në qendër të këtij fshati gjendet Kisha e Shën Nikollës, një kishë e ndërtuar nga Kryepiskopi i lumur i Shqipërisë Imzot Anastasi (1929 - 2025) si dhuratë për besimtarët e këtij fshati, në vendin ku gjendej kisha e hershme e këtij shenjtori, që ishte shkatërruar sërish në vitin 1967. Mësuam se Kryepiskopi Anastas kishte ndërtuar edhe ujësjellësin për banorët duke u siguruar ujin e pijshëm që u mungonte prej dekadash.

Prania jonë në fshat nuk mbeti pa u vënë re. Zhurma e dronit që filmonte fshatin dhe kishën ngacmoi qetësinë e drekës dhe një burrë i moshuar doli nga shtëpia dhe mbante një bidon uji të ftohtë sikur ta dinte se sa etje kishim për të pirë pak ujë. Ai ishte Xha Janaqi, i cili vetëm pak kohë më parë kishte përjetuar një fatkeqësi, bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë tragjikisht. Ai na tregoi për fshatin, besimin, Kishën. Xha Janaqi ishte i bindur se sërish Zagoriotët kudo ku janë dhe jetojnë do të kthehen në vendin e tyre dhe se Kishat dhe fshati do të mbushet plot e për plot (dashtë Zoti)!

Udhëtim në Zagori/ Gurra shpirtërore dhe thesar i
Një tjetër manastir ishte përzgjedhur nga Atë Emiliano për tu vizituar - Manastiri i Kryeëngjëjve në Nivan ndërtuar në një pozicion strategjik mes gjelbërimit dhe qetësisë së natyrës, ky manastir është vend i tërheqjes shpirtërore dhe i meditimit të thellë. Historia e tij lidhet ngushtësisht me jetën monakale të shekujve të kaluar, ku murgjit e përkushtuar i jepnin kuptim lutjes, shkrimit të dorëshkrimeve dhe përhapjes së besimit orthodhoks. Ata fuqizonin besimtarët në kohët e vështira të pushtimit osman dhe ndihmonin banorët nga ato pak të mira që kishin. Murgjit katekizonin fëmijët dhe u mësonin atyre shkrim dhe këndim. Ky manastir është restauruar para disa vitesh nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë me fondet e siguruara nga Kryepiskopi i lumur Anastasi.

Manastiri i Kryeëngjëjve Mihail dhe Gavrii mbetet edhe sot simbol i përballjes së njeriut me përkohshmërinë dhe i thirrjes drejt përjetësisë. Ai është i hapur çdo ditë dhe frekuentohet nga besimtarët të cilët gjejnë prehje dhe çlodhje tek ky vend por edhe nga vizitorët vendas dhe të huaj. Ai është aty, si dëshmi e gjallë e përjetimit të thellë Orthodhoks, vendi i ngushëllimit, i paqes shpirtërore dhe liman shpëtimi për shpirtrat e trazuar.

Koha po kalonte shumë shpejt. Destinacioni ynë i fundit ishte Hoshteva aty ku gjendet Kisha e Protokorifejve Pjetër dhe Pavël. Një kishë për të cilën flitet kaq shumë.
Ndër thesaret shpirtërore që stolisin këtë krahinë, Kisha e Apostujve Pjetër dhe Pavël në fshatin Hoshtevë është një kryevepër e arkitekturës dhe përkushtimit të Besimit Orthodhoks. E ndërtuar në fillimet e shekullit XIX në një kohë kur besimi dhe rezistenca kulturore ndërthureshin në heshtje ndaj vështirësive të kohës, kjo kishë është një gur themeli i identitetit fetar të zonës.
Me një strukturë harmonike prej guri, me afreske të ruajtura dhe ikonografi që pasqyron mjeshtërinë e agjiografëve të shekujve të kaluar, kjo kishë është jo vetëm një vend adhurimi, por edhe një qendër shpirtërore e gjithë Zagorisë.

Udhëtim në Zagori/ Gurra shpirtërore dhe thesar i

Krahas këtyre kishave që përmendëm, e gjithë krahina e Zagorisë është e mbushur me kisha të hershme, shumë prej të cilave ndodhen në fshatra si Nivan, Sheper, Lliar, dhe Konckë. Ikonostaset me dru të gdhendur, mbishkrimet, afresket janë dëshmi e fuqishme të një qytetërimi që bashkoi besimin me dijen, devocionin me kulturën dhe artin.

Zagoria është një krahinë ku çdo hap të çon drejt një kishe, dhe çdo kishë të çon më afër kuptimit të thellë të ekzistencës.

Në një botë që shpesh harrohet në vorbullën e përditshmërisë, ky vend na kujton rrënjët tona të shenjta dhe nevojën për të ruajtur me përulësi thesaret e besimit, që na kanë mbajtur gjallë në momentet më të vështira që vendi ynë ka kaluar.
Zagoria nuk është thjesht histori e së shkuarës, ajo është një realitet i pamohueshëm i besimit, bukurisë dhe dashurisë. Ajo vazhdon të mëkojë bijtë dhe bijat e saj për dashurinë për Perëndinë dhe për vendin e tyre.

Ne lutemi që bijtë e Zagorisë jo vetëm që do të restaurojnë dhe mirëmbajnë kishat dhe manastiret e tyre por edhe do të shërbejnë si priftërinj duke e vazhduar përjetimin e besimit të tyre të krishterë Orthodhoks ashtu si duhet dhe në mënyrë të plotë.





Lajmet e fundit nga