LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Al-Kaeda dhe ISIS gati të rinisin sulmet terroriste/ Administrata Bajden minimizon kërcënimin

1 Tetor 2023, 18:46, Blog CNA

Al-Kaeda dhe ISIS gati të rinisin sulmet terroriste/ Administrata

Në një seri intervistash të dhëna në fillim të këtij muaji në kuadër të 22-vjetorit të sulmeve të 11 Shtatorit 2001, zyrtarë të lartë amerikanë të anti-terrorit bënë sipas kolumnistit të Washington Post, Dejvid Injatus atë që ishte “një nekrologji” e Al Kaedës.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Kristi Abizaid ui shpreh se Al-Kaeda “është tashmë pjesë e historisë... dhe se ringjallja e saj nuk ka gjasa që të ndodhë, pasi nuk ka më qasjen në objektiva, i mungon lidershipi i duhur, kohezioni në grup, misioni i radhës dhe një mjedis lokal i përshtatshëm”.

Një tjetër zyrtar i lartë i përshkroi forcat e mbetura si “një azil për të moshuarit e Al Kaedës”. Pra u duk si një shpallje fitoreje, madje në një rast talebanët u konsideruan si “partnerë” të pandashëm në këtë arritje. Megjithatë ashtu si me shumë gjëra, realiteti është edhe më kompleks dhe shumë më pak inkurajues.

Edhe pse nënvlerësimi i sfidës aktuale të terrorizmit, në raport me konkurrencën e sotme midis fuqive të mëdha ka një domethënie politike, për shkak të një theksi gjithnjë e më të madh që po vihet mbi sigurinë, tabloja e plotë e këtij viti mbetet shqetësuese.

Sepse sot ekzistojnë më shumë grupe terroriste, në më shumë vende anembanë botës dhe me më shumë territor nën kontrollin e tyre se kurrë më parë. Ndërsa vëmendja e SHBA-së dhe aleatëve është distancuar nga lufta ndaj kërcënimeve të terrorizmit jashtë vendit, nuk janë vetëm Kina dhe Rusia, ato që po synojnë të plotësojnë boshllëqet, po edhe Al Kaeda dhe Shteti Islamik (ISIS).

Në Afganistan, Al Kaeda është padyshim një hije e asaj që ishte dikur. Por kjo ka qenë e vërtetë për shumë vite. Ndërsa zyrtarët amerikanë pohojnë se grupi ka “më pak se një duzinë” operativësh sot në Afganistan, Kombet e Bashkuara e vlerësojnë në 400 numrin e luftëtarëve.

Dhe anëtarët e saj janë pjesë e qeverisë talebane dhe drejtojnë kampe të reja trajnimi dhe objekte logjistike të krijuara 2 vitet e fundit në 9 provinca të vendit. Larg nga të qenit  partnerë të SHBA-së, marrëdhënia e talebanëve me Al-Kaedën përshkruhet nga OKB-ja si “e ngushtë dhe simbiotike”, ku talebanët i ofrojnë Al Kaedës mbulesën që i nevojitet për t’u ri-ngritur si dikur.

Por përtej Al Kaedës, është i rëndësishëm kërcënimi terrorist që buron në përgjithësi nga Afganistani i sotëm. Të paktën 20 grupe terroriste veprojnë tani atje, dhe me një liri shumë më të madhe manovrimi sesa përpara tërheqjes së ushtrisë amerikane. Ndërkohë shumica e tyre kanë degët e tyre në Kinë, Pakistan, Indi, Uzbekistan, Kirgistan, Kazakistan apo Siri.

Në krye të tyre është Provinca e Shtetit Islamik-Khorasan (IS-K), për të cilën komandanti i Komandës Qendrore të SHBA (Centcom), tha në mars të këtij viti se do të jetë në gjendje brenda 6 muajve të kryejë sulme në vende të huaja.

Sipas një zyrtari të lartë evropian kundër terrorizmit, që bisedoi me mua në kushte anonimiteti për shkak të informacioneve të ndjeshme, ky lloj kërcënimi është tashmë është “i drejtpërdrejtë”, “aktiv” dhe “emergjent” dhe që po mbërrin sërish në Perëndim.

Dhe sipas të dhënave nga shërbimet sekrete, tërheqja e SHBA-së nga Afganistani nënkupton se asaj dhe Evropës “u mungojnë tani mekanizmat për të parë përmasat e plota të këtij kërcënimi”. Ndërkohë qeveria amerikane po feston arritjet e saj kundër terrorizmit në Siri dhe Irak.

S’ka asnjë dyshim mbi efektivitetin e fushatës së viteve 2014-2019 për të mposhtur të ashtuquajturin kalifat të Shtetit Islamik. Por ndërsa aftësitë e këtij grupi në Irak mbeten kryesisht nën kontroll, ISIS po tregon shenja të qarta rigjallërimi në zonat e Sirisë të kontrolluara formalisht nga regjimi i Bashar al-Asad.

Ndërkohë ai po mban përkohësisht territore, duke u zgjeruar në rajone të reja, duke mposhtur ofensivat ndaj saj dhe duke vrarë qindra njerëz. Ndërsa qeveria amerikane pretendon të reduktojë operacionet e Shtetit Islamik në rajonet siriane të kontrolluara prej saj, ajo e ka injoruar fare anën tjetër të medaljes. Madje më keq akoma:Shteti Islamik ruan avantazhe të konsiderueshme afatgjata.

Së pari, mbetjet e projektit të saj territorial në Siri dhe Irak, janë të paprecedenta në shkallën e tyre. Sot, 53.000 gra dhe fëmijë nga më shumë se 60 vende të botës, të cilët dolën nga territori i Shtetit Islamik, po mbahen në kampet e paraburgimit të menaxhuara nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) në Sirinë Verilindore.

Më shumë se 60 për qind e tyre janë fëmijë, shumë prej të cilëve në kushtet aktuale, janë të destinuar të përfaqësojnë sipas Centcom “brezin e ardhshëm” të Shtetit Islamik. Akoma më keq, të paktën 30.000 luftëtarë të Shtetit Islamik të kalitur nëpër beteja - ose “ushtria e ISIS në paraburgim - po mbahen aktualisht në burg.

Rreth 10.000 në burgjet e SDF-së në Sirinë Verilindore dhe të paktën 20.000 në burgjet e Irakut. Pak kanë gjasa që ata të mbeten atje përgjithmonë. Një kryengritje fisnore e kohëve të fundit dhe e vazhdueshme në Sirinë Lindore, paraqet një sfidë potencialisht ekzistenciale për SDF-në, partnerin e Uashingtonit në terren në Siri, duke vënë kësisoj në rrezik dislokimet e trupave amerikane atje, dhe duke ofruar perspektivën e tmerrshme të zbrazjes së burgjeve dhe kampeve.

Në Irak, dhjetëra komandantë veteranë të Shtetit Islamik, janë planifikuar të lirohen nga burgu në muajt e ardhshëm, pasi kanë qenë në paraburgim për 15-20 vitet e fundit. Shërbimet sekrete perëndimore po e presin me frikë të madhe lirimin e tyre.

Dhe për sa kohë që mbetet e pazgjidhur kriza më e gjerë e Sirisë, Shteti Islamik dhe një duzinë grupimesh të tjera terroriste do të vazhdojnë të përfitojnë. Vetëm një muaj më parë, një i dyshuar për terrorizëm u arrestua në Filadelfia të SHBA-së, pasi dyshohej se po përgatitej të ndërtonte bomba me ndihmën e anëtarëve të Katibat Al-Tauhid Ual Xhihad, një grup me origjinë uzbeke me bazë në Siri, që është i lidhur me Al Kaedën.

Megjithatë, më shumë se kudo tjetër në botë, është kontinenti afrikan ai që duhet të jetë më shqetësues për ekspertët e antiterrorizmit. Grupimet e lidhura me Al Kaedën dhe Shtetin Islamik, vlerësohen të jenë aktive në të paktën 28 ??vende afrikane.

Pas grushteve të njëpasnjëshme në Mali, Nigeri dhe Burkina Faso, xhihadistët janë hedhur në një ofensivë alarmante në Sahel. Në Mali, ku paqeruajtësit e OKB-së janë në mesin e një tërheqjeje të nxituar, të detyruar nga junta ushtarake që ka ardhur së fundmi në pushtet, një kombinim i Al Kaedës, Shtetit Islamik dhe rebelëve etnikë Tuareg, duket se po e çojnë vendin në buzë të humnerës.

Dega e Al Kaedës, Xhamat Nasr Al-Islam Ual Muslimin - që gjithashtu kontrollon afërsisht 40 për qind të Burkina Fasos - i ka përshkallëzuar sulmet e tij me më shumë se 400 për qind këtë verë, duke rrethuar Timbuktunë dhe 7 qytete të tjera nën rrethim, por edhe kryeqytetin Bamako, duke pushtuar bazat ushtarake pothuajse dhe duke vrarë qindra njerëz.

Ndërsa shumica e grupeve mbeten të fokusuara kryesisht në zgjerimin dhe konsolidimin e lokalizuar, Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi mbeten armiku i tyre kryesor. Al Kaeda dhe Shteti Islamik, po mbështeten tek indiferenca aktuale  e Uashingtonit për t’u fuqizuar sot dhe goditur sërish nesër SHBA-në dhe aleatët e tyre.

Kërcënimi për Evropën është aktualisht edhe më i madh se sa për Shtetet e Bashkuara.

Sipas dy zyrtarëve skandinavë, të cilët folën me mua në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së informacioneve, po të mos ishte për shkëmbimin e të dhënave nga inteligjenca amerikane, disa sulme terroriste mund të kishin ndodhur tashmë këtë vit, shumica e tyre lidhur me aktin e djegies publike të Kuranit.

Pavarësisht nga shkaqe të tilla, si dhe kolapsi i shpejtë i rajoneve frankofone të Afrikës në një kaos xhihadist, Franca po përpiqet të përballet me lirimin e 350 personave të dënuar për akuza terrorizmi gjatë 5 viteve të fundit, dhe lirimin e 80 të tjerëve brenda 3 muajve të ardhshëm.

Territori i SHBA-së mund të jetë gjeografikisht më larg nga kriza të tilla, por kërcënimet terroriste janë nga natyra e tyre globale dhe të ndërlidhura. Nuk ka dyshim se duhet t'i jepet përparësi konkurrencës së fuqive të mëdha, por ndërsa rriten sfidat dhe kërcënimet e paraqitura nga terrorizmi, përcaktimi se ku të veprohet apo se çfarë të bëhet në mbarë botën, nuk duhet të jetë një zgjedhje midis 2 alternativave.

Terrorizmi është një taktikë, dhe ai nuk mund të zhduket njëherë e mirë. Por siç kanë provuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Siri dhe Irak, është më se e mundur të arrihet shumë kundër aktorëve terroristë dhe me një kosto relativisht të vogël.

Vetëm me vendosjen e 2000 trupave të mbështetur nga asetet rajonale ekzistuese, Shtetet e Bashkuara mundën ISIS0in në Siri dhe Irak. Ndërsa terroristët po mbushin boshllëqet dhe zgjerojnë terrenet e tyre jashtë vendit, modeli i antiterrorizmit i përqafuar me aq shumë sukses në Siri dhe Irak duhet të jetë modeli për të ecur përpara.  Injorimi ose nënvlerësimi i kërcënimeve terroriste, vetëm sa e nxit dhe dobëson pozicionin e SHBA-së në nivel global. Nga Charles Lister “Foreign Policy”/ Pershtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga