LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Mesazhet e munguara të Presidentit Begaj në Kosovë

2022-08-16 08:53:35, Opinione Enver Bytyçi

Mesazhet e munguara të Presidentit Begaj në Kosovë

Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Bajram Begaj, po qëndron për vizitë dy ditore në Kosovë. Takoi presidenten Osmani dhe po takon me radhë kryetarin e parlamentit, zotin Konjufca, si dhe kryeministrin Kurti.

Presidentja dhe kryeministri mund të kenë folur edhe tet a tet (kopf an kopf), pra kokë më kokë, në katër sy. Nëse po, atëherë së paku nuk ka patur nevojë të kenë përkthyes. Sepse si e ka sjellë punën Edi Rama në marrëdhëniet me Kosovën, mund të shkohet deri te përdorimi i përkthyesit për të dëshmuar largësinë midis palëve.

Por për presidentin Begaj është heret të mendohet kësisoj, edhe pse ai është produkt i autokratit Rama.

Kjo është vizita e parë e presidentit të ri jashtë vendit. Dhe ishte e natyrshme të ndodhte kështu. Megjithatë do të doja të bëja një analizë empirike rreth deklarimeve të presidentit shqiptar në Prishtinë. Në konferencën për shtyp zoti Begaj u zotua për të njëjtat gjëra që zotohet edhe kryeministri Rama. Nuk doli jashtë tyre.

Pra nuk foli për çeshtje të cilat Iikonteston qeveria dhe institucionet e Kosovës ose zoti Rama, sidomos në raportet midis kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë, Open Balkans e tjerë. 

Temat që artikuloi ai kanë të bëjnë me vlerësimin e lartë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke kujtuar se "asnjë raport i trilluar nuk e zbeh dot këtë trashëgimi të lavdishme"! Pra duke risjellë në vëmendje si akt patriotizmi rezolutën e parlamentit të Shqipërisë (në fakt të Edi Ramës) drejtuar Këshillit të Europës. Në këtë rast do të mjaftonin fjalët dhe vlerësimet për UÇK-në, ndërkohë që implikimi në një lloogari personale të Edi Ramës me Hashim Thaçin ishte i panevojshëm. Sepse rezoluta, në kushtet që vetë i akuzuari, zoti Thaçi, nuk e paditi Dick Marttyn në gjykatë, siç kishte premtuar, është me ndikim zero për fatin e të akuzuarve në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë. Shkurt, presidenti i Shqipërisë nuk duhet të bëjë vizita me axhendë të kryeministrit. Nëse vazhdon me këtë stil, atëherë do të konsiderohet si noter i tij.

Presidenti Begaj me të drejtë tha se “Liberalizmi i vizave për Kosovën është premtim i vonuar…" Por ky është thjesht një konstatim. Madje edhe Beogradi nuk e ka kontestuar ndonjëherë liberalizimin e vizave me Kosovën. Sepse kjo nuk cënon "sovranitetin" serb në këtë vend të pretenduar nga kushtetuta e Serbisë.

A je i zoti zoti President t'i thuash Brukselit se "Nëse ju nuk liberalizoni vizat deri në një kohë të dhënë, atëherë unë, kreu i shtetit shqiptar, do t'u jap nënshtetësi qytetarëve të Kosovës së persekutuar"! E bën dot këtë?!

Jo të japësh shtetësinë, por më parë të japësh një afat të arsyeshëm për BE-në. Nuk e bën dot o president "sovran" i një vendi "sovran"!Shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë për t'iu qarë hallin, ata duan t'ua zgjidhim hallin. Kot t'ju them: Të jeni i sigurt zoti Begaj se nëse BE do të kishte vonuar liberalizimin e vizave për Serbinë, siç bëhet me Kosovën, këtë kërcënim ndaj Europës do të kishte bërë Edi Rama! Po Kosova nuk është Serbi edhe në këtë pikëpamje!

Ajo çfarë më ra në sy ka të bëjë me angazhimin e zotit president të Shqipërisë për të promovuar përmes Këshillit të Sigurimit shtetin e pavarur të Kosovës. Kjo është detyrë kushtetuese, të cilën do të duhet që presidenti t'ia kërkojë publikisht kryeministrit dhe ministrit  të Punëve të Jashtme të vendit të tij. Për këtë ai duhet të ketë një axhendë përgjegjësie, kontrolli e informimi.

Nëse zotimi bëhet në emër të zotit Rama, atëherë është diçka tjetër. Por kryeministri nuk do ta pyesë presidentin, nëse në Këshillin e Sigurimit do të promovohet ose jo shteti i pavarur i Kosovës.

Nga ana tjetër ne kemi parë se si kryeministri promovon pa limit shtetin e Serbisë dhe bën avokatinë e tij. Dy kunguj nuk mbahen në një dorë, aq më tepër që këta dy kunguj rrokullisen për t'u përplasur me njëri-tjetrin. Në këtë kuptim edhe kjo deklaratë është propagandë, premtim futurist!

E vetmja deklaratë esenciale politike mbetet ajo për mbështetjen e plotë të së drejtës legjitime të Kosovës për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen sundimit të ligjit në veri të vendit.

Dhe konstatimi se "Realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm". Për mua ky angazhim i presidentit shqiptar, Bajram Begaj, është obligativ. Por edhe kjo do ta vendosë atë në kundërshti me kreun e ekzekutivit! Praktikisht unë kam dyshimet e mia të bazuara dukshëm në prova dhe argumente, nëse kryeministri Rama e konsideron realitetin e Kosovës së pavarur si të pakthyeshëm ose jo.

Unë vazhdoj të besoj se Edi Rama vijon të punojë për ndarjen e saj dhe zhbërjen e këtij shteti. Dua të jem i gabuar, por ama nuk dua që presidenti im të jetë aq naiv, sa të mos e kuptojë intrigën e lojës politike që bëjnë kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë kundër Kosovës. Mjafton të lexojë agresivitetin e arrogancën anti-kosovare të Aleksandër Vuçiq dhe heshtjen ose nganjëherë mbështetjen që atij i jep Edi Rama!

Gjithësesi vizita e presidentit të Shqipërisë në Kosovë është gjithnjë një ogur i mirë dhe një përpjekje së paku për të sqaruar realitetet kundërthënëse midis Tiranës dhe Prishtinës së sotme sa i përket çeshtjeve të përbashkëta. Çeshtje e përbashkët është edhe qëndrimi ndaj Open Balkans. Shpresoj që zoti Begaj ta ketë marrë mesazhin e zonjës Osmani dhe zotit Kurti për këtë lloj inciative që synon pikërisht atë që thashë më lart, zhbërjen e shtetësisë së Kosovës, për të cilën presidenti thotë se është e pakthyeshme! 

Lajmet e fundit nga