LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ja si varkat e improvizuara marrin jetën e mijëra emigrantëve në Mesdhe

2023-04-30 17:57:00, Blog CNA

Ja si varkat e improvizuara marrin jetën e mijëra emigrantëve

Që nga fillimi i këtij viti, më shumë se 600 emigrantë vlerësohet të kenë vdekur në Mesdheun Qendror në përpjekje për të zbarkuar në Itali. Këto janë shifra shumë të larta, të cilat nuk janë parë prej vitesh. Ato mund të shpjegohen me shtimin e nisjeve nga Tunizia dhe Libia, dhe me faktin se anijet e OJQ-ve janë gjithnjë e më pak të pranishme në Mesdheun Qendror.

Por edhe me përkeqësimin e cilësisë së varkave me të cilat udhëtojnë emigrantët. Këto varka mund të jenë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra:kjo varet nga organizata kriminale që organizon kalimin e paligjshëm, porti nga nisen,apo shuma që emigrantët janë të gatshëm të shpenzojnë për të tentuar arritjen në Itali.

E përbashkëta e tyre është pamundësia për të transportuar dhjetëra apo qindra njerëz për ditë të tëra, në një zonë detare ku kushtet e motit ndryshojnë shumë shpejt. Për të kuptuar më mirë se si t’i shpëtojnë, njerëzit e përfshirë në kërkimin dhe shpëtimin e emigrantëve në Mesdhe, kanë ndërtuar një lloj klasifikimi të varkave më të përdorura.

Janë 4-5 lloje:varka peshkimi të vjetra prej druri, varka të vogla, gomone, varka të sheshta prej plastike të përforcuar me xhama. Nga Turqia nisen kryesisht varkat me vela. Për më pak se 1 vit në zonën detare midis Tunizisë dhe brigjeve të Siçilisë, është përhapur një lloj mjeti që nga shumëkush konsiderohet shumë i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm.

Janë varka të vogla prej hekuri disa metra të gjata. Në plazhet e Lampeduzës, ishulli italian më afër me Tunizinë sesa me Siçilinë, shumë prej tyre gjenden të braktisura pas zbarkimit të suksesshëm. Ato ndryshojnë në gjatësi, zakonisht rreth 7-8 metra, dhe sipas vlerësimeve të ndryshme mund të mbajnë deri në 50-60 njerëz.

Ato janë varka njëpërdorimshe, të ndërtuara nga trafikantët e qenieve njerëzore në Sfax, një qytet bregdetar në Tunizi. Gazetari Francesko Batistini i ”Corriere della Sera” vizitoi së fundmi një nga këto punishte. Varkat e vogla ndërtohen enkas për të përshkuar rreth 150 kilometrat që ndajnë plazhet e qytetit tunizian nga Lampeduza. Por shpeshherë ato nuk arrijnë të mbërrijnë atje. Këto varka prej hekuri janë më të ulëta se sa të tjerat, dhe për këtë arsye janë më të ekspozuara ndaj dallgëve.

“Edhe në det të qetë, ato nisin të lëkunden dhe të marrin ujë, gjë që e rrit peshën mjetit”- shpjegon Emanuele Nanini, kreu i misionit të anijes së kërkim-shpëtimit “Life Support”. “Duke pasur motorë të vegjël jashtë, ato nuk kanë as pompa për të shkarkuar ujin që hyn në bord, që për këtë arsye duhet të largohet me dorë”- thekson Nanini. Pllakat e hekurit ngjiten së bashku. Pesha e ujit dhe e njerëzve në bord i vendos nën një presion të madh cepat e ngjitura të pllakave.

Kur çahen apo marrin shumë ujë, ato fundosen pothuajse menjëherë, sepse janë prej metali.
Shumë gazeta citojnë një përshkrim të zëvendësprokurorit të Agrixhentos, Salvatore Vela, që i quan “arkivole lundruese”. Edhe nëse nuk shpërbëhen, shpëtimi i tyre është shumë i ndërlikuar.

Në disa vende, skajet e mprehta të barkës janë shumë të rrezikshme për anijet e shpëtimit të OJQ-ve. “Ne po studiojmë mënyrën se si t’u afrohemi atyre për të parandaluar të çarat në anijet tona”- thotë Luka Mareli nga OJQ-ja “Sea-Watch”.

Ai ndodhet prej disa ditësh në Lampeduza, dhe thotë se deri më tani shumica e kalimeve në ishull janë kryer me varka të vogla prej hekuri. Jo të gjitha mbërrijnë në destinacion. Në shumë raste personat në bord shpëtohen nga mjetet italiane të Rojës Bregdetare apo Guardia di Finanza, të cilat më pas i zbresin në portin ushtarake të ishullit.

Megjithatë edhe kur zbresin në tokë, mund të kuptohet nëse një grup njerëzish ndodheshin në një varkë prej hekuri. “Në këtë rast rrobat e tyre janë të njollosura me ndryshk”-shpjegon Mareli. Sipas informacioneve të mbledhura nga disa OJQ që punojnë në Lampeduza, varka e parë prej hekuri u shfaq në shtator 2022.

Që nga ajo kohë deri në mars të këtij viti, OJQ-të kanë identifikuan 165 prej, të zbuluara nga autoritetet tuniziane ose të mbytura. Ky është një vlerësim minimalist, por që tregon se mesatarisht ka të paktën një nisje në ditë. Në të gjitha rastet e zbuluara në bordin e varkave të vogla hekuri ka pasur njerëz nga Afrika Sub-Sahariane, përfshirë familje të tëra.

Muajt e fundit, presidenti tunizian Kais Saied i ka përdorur emigrantët nën-Saharianë tashmë të pranishëm në vend si “koka turku”, duke i fajësuar ata për krizën e rëndë ekonomike që po vazhdon prej vitesh, dhe kjo ka nxitur në mënyrë indirekte sulme raciste kundër tyre.

Shumë prej tyre nuk prisnin që të iknin për në Evropë dhe kishin pak para. Trafikantët i janë përshtatur kësaj kërkese duke prodhuar varkat e vogla prej hekuri, të cilat janë shumë më të lira për t’u prodhuar sesa kostoja e blerjes së një varke të vërtetë.

Për të hipur në bord, trafikantët i kërkojnë çdo personi më pak 1 mijë euro, krahasuar me mijëra euro që nevojiten përgjithësisht për të nisur nga Libia drejt Evropës. Megjithatë, tarifat ndryshojnë sipas grupit që organizon kalimin dhe faktorëve të ndryshëm kontingjent.

Bepe Kaçia, një nga menaxherët e OJQ-së “Mediterranea”, thotë se të ardhurit e fundit tregojnë se “njerëzit largohen me çdo mjet të disponueshëm, për t'i shpëtuar valës së dhunës raciste në Tunizinë e Saied, kampeve të paraburgimit dhe tmerreve që kanë kaluar në Libi”.

Disa vite më parë, më të përdorura ishin gomonet. Në një artikull të Associated Press të vitit 2015 , thuhej se ato ishin rreth 12 metra të gjata, dhe në to mund të qëndronin normalisht 20 persona. Por ndonjëherë hipnin më shumë se 100. Është një dinamikë që vërehet sistematikisht:sa më shumë njerëz arrijnë të hipin në bord, aq më shumë para fitojnë trafikantët nga çdo udhëtim.

Sipas burimeve të inteligjencës nga Frontex, agjencia e rojes bregdetare të BE-së, këto gomone janë prodhuar në Kinë dhe Tajvan. Ato mund të blihen edhe sot me çmim të ulët në faqen e njohur kineze të tregtisë elektronike Alibaba. Sot vërehen ende disa gomone që largohen nga Libia, sidomos nga qytetet e bregut perëndimor, ku trafikimi i qenieve njerëzore është më intensiv, si Zauija dhe Zuara.

“Rreziku më i madh është dështimi strukturor. Pesha e njerëzve në bord ushtron presion mbi dërrasën e mesit që mban të ndarë dy tubat e fryrë anash. Nëse ajo, çahet tubat mbeten në det, por gjithçka tjetër shpërbëhet”- thotë Nanini. Për të gjitha varkat më të vogla, ekziston një rrezik tjetër më se i zakonshëm.

Kur karburanti për motorin derdhet dhe përzihet me ujin e detit, ai formon një lëndë toksike që e djeg lëkurën. Rezultati është se ata që janë më afër motorit, pësojnë plagë të dhimbshme nga të ashtuquajturat “djegie të karburantit”.

Ndërkohë, janë edhe varkat prej druri të përmasave të ndryshme, të cilat nisen thuajse gjithmonë nga Libia.Më të mëdhatë janë shpesh varkat e vjetra të peshkimit në gjendje të keqe, të përdorura për një udhëtim të fundit. Këto janë varkat më të mëdha të përdorura nga kontrabandistët, por edhe këto mbushen me njerëz shumë përtej niveleve të sigurta. Në fillim të prillit, Geo Barents, anija e Mjekëve pa Kufij, shpëtoi një anije peshkimi prej disa metrash, e cila kishte 440 persona në bord, përfshirë 8 gra dhe 30 fëmijë.

Në pamje të parë këto varka mund të duken në gjendje të mirë. Megjithatë, shpesh ato janë varka të vjetra dhe të rrënuara që peshkatarët i kanë ri-shitur për pak para, me disa copa druri të kalbur ose me një motor të vjetër. Dhe megjithëse janë më të qëndrueshme se varkat e vogla prej hekuri dhe gomonet, ato ende paraqesin rreziqe.
Në përgjithësi, varkat me vela përdoren për emigrantët më të pasur, të cilët mund të përballojnë një udhëtim më të sigurt dhe në kushte më të mira. Ata nisen nga Turqia, përpiqen të shkojnë në Pulja ose Kalabri, dhe kanë shpesh në bord një kapiten që drejton varkën, të paguar nga trafikantët.

Por edhe këto varka, megjithëse janë ndoshta më të qëndrueshmet nga të gjitha të tjerat, mund ta gjejnë veten në vështirësi. Të mërkurën në mëngjes, roja bregdetare italiane dërgoi në portin e Krotones një varkë me vela mjaft të dëmtuar. Ajo u zbulua rreth 40 kilometra larg bregdetit italian, pas 5 ditë lundrimi të vështirë në det. Në bord ndodheshin 40 persona:35 afganë, 2 iranianë dhe 3 pakistanezë./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga