web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ndryshimet klimatike do të godasin si fermerët më të pasur, edhe ata më të varfër

13 Korrik 2025, 09:08, Ekonomi CNA

Ndryshimet klimatike do të godasin si fermerët më të pasur,

Që nga momenti kur ndryshimet klimatike u njohën gjerësisht si problem në vitet ‘80, ndikimi i tyre në bujqësi ka qenë një fushë aktive studimi.

Një studim i ri, i publikuar në revistën Nature, ofron një pamje veçanërisht gjithëpërfshirëse, por edhe zhgënjyese.

Në përpjekjen e parë për të parashikuar se si fermerët do t’iu përshtaten klimës së re, duke u bazuar në mënyrën si po veprojnë aktualisht, autorët arrijnë në përfundimin se prodhimi ushqimor në zonat më pjellore të botës do të jetë ndër më të goditurit, megjithëse disa rajone më veriore dhe aktualisht më pak produktive, si Kanadaja, Kina dhe Rusia, mund të përfitojnë disi.

Dhe megjithëse përshtatja do të zbusë disi humbjet globale, ajo nuk do të mjaftojë për t’i shmangur ato.

Projekti është rezultat i tetë viteve punë nga Climate Impact Lab, një grup studiuesish kryesisht amerikanë.

Ai është përqendruar te gjashtë kulturat kryesore bujqësore, që përbëjnë dy të tretat e kalorive të konsumit global: kasava, misri, orizi, melekuqja, soja dhe gruri.

Me përjashtim të orizit – që pritet të përfitojë nga rritja e reshjeve në rajonet ku kultivohet dhe që reagon më mirë ndaj masave të përshtatjes – studimi konstaton se temperaturat më të larta dhe moti ekstrem gjithnjë e më i shpeshtë, do të çojnë në ulje të rendimentit për të gjitha kulturat kryesore deri në fund të këtij shekulli.

Autorët arrijnë në përfundimin se për çdo gradë shtesë në temperaturën mesatare globale, sasia e ushqimit në dispozicion për konsum do të ulet me 120 kalori për person në ditë (rreth 4.4% e nevojës ditore të rekomanduar).

“Këto gjëra janë të vështira për t’u llogaritur”, thotë Timothy Searchinger, ekspert për bujqësinë dhe ekonominë në Universitetin Princeton, i cili nuk ka marrë pjesë në studim.

Ai e vlerëson analizën e ekipit, por thekson se ende ka pasiguri të mëdha.

Studimi përfaqëson një përmirësim ndaj përpjekjeve të mëparshme, të cilat zakonisht supozonin se fermerët ose nuk do të përshtateshin aspak, ose do të përshtateshin në mënyrë të përkryer, duke zbatuar teknologji dhe strategji të reja pa vështirësi, pavarësisht kostove apo aksesit në to.

Asnjëri prej këtyre skenarëve nuk është realist.

Në praktikë, fermerët bëjnë më të mirën që mundin me burimet që kanë, duke ndërruar varietete kulturash apo duke shtuar vaditjen artificiale kur është e mundur.

 

Projeksioni

Studiuesit e Climate Impact Lab janë përpjekur ta përfshijnë këtë realitet. Duke qenë se kufizimet me të cilat përballen fermerët ndryshojnë shumë sipas vendndodhjes dhe nivelit ekonomik, modelimi i përgjigjeve individuale do të ishte “thuajse i pamundur”, thotë Andrew Hultgren, autori kryesor i studimit dhe ekonomist në Universitetin e Illinois në Urbana-Champaign.

Ata ndërtuan një model statistikor të përshtatjes aktuale, bazuar në mënyrën se si rendimenti në më shumë se 12,000 rajone në 54 vende ka ndryshuar tashmë për shkak të rritjes së temperaturave. Më pas, këtë model e shtrinë në projeksione për një klimë edhe më të ngrohtë.

Ata vlerësojnë se, në një skenar ku bota redukton emetimet pak më shpejt se sa trajektorja aktuale, përpjekjet për përshtatje do të zbusin vetëm në mënyrë të lehtë uljen e rendimentit.

Në një të ardhme pa përshtatje, rendimenti do të binte me 8.3% deri në vitin 2050 dhe me 12.7% deri në vitin 2098, krahasuar me një skenar hipotetik ku klima nuk ndryshon. Me përshtatje, këto shifra bëhen përkatësisht 7.8% dhe 11.2%.

Autorët parashikojnë se pasojat do të ndihen më fort në ekstremet e spektrit të të ardhurave.

Për 10% të rajoneve më të varfra (të matur sipas PBB-së për frymë), reduktimi i përgjithshëm i kapacitetit për prodhim ushqimor deri në fund të shekullit, parashikohet të jetë rreth 13% në një skenar me ulje emetimesh dhe deri në 28% në një skenar me emetime të larta.

Ndërkohë, 10% e rajoneve më të pasura parashikohet të përballen me reduktime përkatësisht mbi 19% dhe 41%.

Rënia në rajonet më të varfra mund të shpjegohet me faktin se atje fermerët kultivojnë kultura me rendiment të ulët dhe nuk kanë mundësi të përshtaten në mënyrë efektive.

Autorët vlerësojnë se përshtatja mund të jetë edhe më e vështirë në rajonet e pasura. Bujqësia në zonat e SHBA-së ku dominojnë plantacionet e misrit (corn belt), mbështetet në sipërfaqe të mëdha të mbjella vetëm me një kulturë.

Kjo e bën përshtatjen shumë të vështirë dhe humbjet mund të jenë jashtëzakonisht të mëdha. (Policat e shtrenjta të sigurimit, të cilat kanë ndihmuar në mbrojtjen e këtyre fermerëve nga probleme të papritura si thatësira apo valë të nxehti, mund të bëhen të papërballueshme me përparimin e ngrohjes globale.)

Edhe pse fermerët në të dy skajet e spektrit të të ardhurave do të pësojnë humbje, do të jenë më të varfrit ata që do të mbeten të uritur.

Mënyra më e mirë për të zbutur këtë problem është që tregtia e ushqimit të jetë sa më e hapur që të jetë e mundur, thotë Solomon Hsiang, drejtor i Global Policy Lab në Doerr School of Sustainability në Universitetin Stanford (dhe një nga autorët kryesorë të studimit).

“Numri i rasteve të urisë ka rënë ndjeshëm krahasuar me të shkuarën dhe shpesh kjo i atribuohet globalizimit të tregtisë ushqimore dhe heqjes së shumë barrierave politike”, – thotë ai. “Rritja e liberalizimit të tregtisë është një nga strategjitë më të mira për përshtatje.”/ Monitor.al





Lajmet e fundit nga