LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Prej disa vitesh me pronë, por i shfaqet blerësi tjetër me polici

10 Maj 2023, 21:11, Denoncim CNA

Prej disa vitesh me pronë, por i shfaqet blerësi tjetër me polici

Emisioni “Stop” ishte në rrugën “Todi Shkurti” në Tiranë. Loli Beqiraj tregoi se në vitin 2012 i ka blerë një ambient firmës “2Al sh.p.k”, me administrator Artan Sherifin.

Zonja thotë se ka një kontratë shitblerje, një deklaratë noteriale dhe hartat treguese. Gjithë këto vite e ka pasur në përdorim pronën, pasi ka zhvilluar edhe biznes aty, bilardo dhe më pas eurolloto.

Ajo thotë, se gabimi vetëm që ka bërë ka qenë që nuk e ka regjistruar këtë kontratë në Kadastër.

“Që në vitin 2012 e deri sot unë e përdor këtë pronë. Të them të drejtën, injoranca jonë, se nuk kemi qenë të informuar për ligjet ngaqë jetojmë jashtë shtetit, punojmë atje. Di që bleva një pronë në vitin 2012”, tha denoncuesja.

Në vitin 2017, policia ka ardhur në ambientet e llotos dhe ka shoqëruar punonjësin, pasi kishte dalë edhe një zotëri tjetër, që pretendonte pronën. Zonja shkoi bëri denoncim për shitësin tek Krimi Ekonomik.

Shitësi u shpall në kërkim dhe më pas u kap, pasi kishte bërë shumë shitje nga dy herë. Zonja shtron pyetjen, se pse ai person me certifikatë pronësie nuk është paraqitur asnjëherë në ambientin që supozohet të ketë blerë.

“Punëtori ishte në dyqan, ma merr plicia dhe e çon në komisariat. Kur pashë që ishin dy blerës, unë iu drejtova krimit Ekonomik dhe denoncova ndërtuesin e objektit. Me pronarin nuk arrita të komunikoj sepse ai u vu në kërkim sepse mashtroi plot njerëz që i kishte shitur pronat nga dy tre herë. Dua të di, ky person që paska këtë certifikatë pronësie që nga 2017, përse më ka lejuar që të punoj deri në 2023? Përse nuk është prezantuar ndonjëherë para meje”, tha denoncuesja.

Prej këtij problemi, që prej muajit Prill, zonja është shqetësuar çdo ditë nga punonjës të policisë.

“Ka qenë djali në dyqan, po e rregullonte, po e lyente. I hyn oficeri i OPGJ-së dhe dikush tjetër dhe i thotë që rri aty se ke zaptuar pronën”, tha denoncuesja.

Djali: Dua të dal pak jashtë! Dyqani im! Dua të dal jashtë ambientit! Hapu, të dal pak jashtë ambientit!

OPGJ: Më jep dokumentet! Duhet të vish këtu!

Djali: Nuk të jap asnjë dokument, sepse nuk i kam me vete.

OPGJ: Po, Policia e Shtetit, o shoku!

OPGJ: S’është nevoja të filmosh!

“Merr patrullën dhe hipën djalin lart. I tha të shkoj të marr dokumentet dhe t’ua tregoj. E mbajtën çunin 5-6 orë pa shpjegime, pa gjë. Kur djali e deklaroi që jam në pronë time. Erdhi IKMT-ja që e verifikuan këtë pronë dhe deklaruan që nuk ka ndërtim pa leje. Më lajmërojnë që i plotfuqishmi ka qenë para dyqanit tim dhe të ka thyer bravën. Ka futur persona të paautorizuar dhe persona që nuk i njoh dhe më ka ndryshuar bravën sepse policit, të plotfuqishmit, i është paraqitur një certifikatë pronësie nga këta persona ku i deklarojnë që ne kemi humbur çelësat e kësaj prone dhe prandaj do ndërrojmë bravën. Nga emisioni “Stop” kërkoj që policia të më lerë rehat dhe me këtë çështje të merret gjykata, të merret prokuroria. Unë si shtetase shqiptare e këtij vendi nuk kam faj që një pronar që ka bërë një objekt të madh, ka shitur pronat dy tre herë, është e pamundur që ta zgjidh. Tani e mora vesh dhe është e pamundur. Unë kam dhënë lekët për këtë pronë dhe kjo pronë është e imja”, tha denoncuesja.

Ajo që ngrihet si pikëpyetje është se pse blerësi i dytë është shfaqur kaq vonë. “Stop” publikoi kontratën e shitblerjes e përpiluar nga noterja Edlira Hyseni më 26 Nëntor 2012 ndërmjet Artan Sherifit, shitësit dhe Olaf Beqirajt, bashkëshorti i denoncueses. Shuma totale është 55 mijë Euro.

Në të njëjtën notere është bërë kontrata e shitblerjes ndërmjet të njëjtit shitës por me blerës të ndryshëm, Artur Dadaj dhe Ervin Bistri. Kjo është firmosur me 3 Maj 2012.

Sipas kësaj kontrate janë shitur disa prona me vlerë 510 mijë Euro ku janë likujduar vetëm 500 mijë euro. Kontrata është firmosur disa muaj më parë se kontrata e denoncueses në “Stop”.

Gazetarja e “Stop” komunikoi në telefon me punonjësin e policisë që ka qenë prezent në ambientin e lokalit kur është ndryshuar brava, por nuk e pranoi. Megjithatë një video tregon të kundërtën.

Gazetarja: Kush e ka ndërruar bravën e këtij ambienti?

OPGJ: Nuk e di, kush e ka ndërruar bravën. Në dijeninë time, kanë bërë të dyja palët kallëzim në komisariat.

Gazetarja: Ju keni qenë këtu me tre persona të tjerë.

OPGJ: Unë po të them, nuk e di, kush ka ndërruar bravën.

Gazetarja: Po pra ju për çfarë keni qenë këtu pa patrullë.

OPGJ: Unë shkoj gjithandej. Unë kam qenë aty me patrullën, se na njoftuan për një konflikt edhe pastaj lëvizëm sipas sektorit. Kam për detyrë të kontrolloj territorin, për cfarëdo lloj problematike.

Gazetarja: Kontrolli i territorit çfarë përfshin, që të vini në një ambient? Me çfarë urdhtri vini ju?

OPGJ: Unë nuk kam hap dyer të lutem.

Gazetarja: Çfarë keni bërë ju në këtë ambient?

OPGJ: Çfarë kam bërë unë në atë ambient? Pashë kishte, a s’kishte problem dhe ika.

Denoncuesja: Kemi folur në telefon, kam qenë në Itali dhe më ke thënë, që jam përpara objektit tënd dhe tre persona që unë nuk i njoh më kanë paraqitur certifikatë pronësie dhe të kanë thënë jemi pronarët e këtij objekti, kemi humbur çelësat dhe ne duam ta hapim dhe ti i ke lejuar. Kështu ma ke konfirmuar në telefon.

OPGJ: Po, kemi folur në telefon. Jo, jo, jo!

“Stop” u drejtuam në komisariatin nr. 1 në Tiranë.

Punonjësi: Ai ambient ka certifikatë pronësie dhe ka dy emra të ndryshëm. Janë paraqitur ata shtetasit në komisariat dhe kanë bërë kallëzim, në lidhje me pronën e tyre dhe janë referuar materialet në prokurori.

Gazetarja: Atëherë, pse shkojnë ditë për ditë punonjësit e policisë atje, për t’i nxjerrë dhe për t’i thënë ke zaptuar pronën, ke ndërtuar pa leje etj..?

Gazetarja: Kësaj zonjës i shkojnë tek ambienti.

Punonjësi: I takon tjetërkujt.

Gazetarja: Po pra dhe në momentin, që zonja iu tregon një kontratë shitblerje, çfarë ndodh?

Punonjësi: Prona njihet nga certifikata e pronësisë.

Gazetarja: Këtë problem nuk e zgjidhni ju.

Punonjësi: Dakord! T’i drejtohen gjykatës, ta zgjidhin.

Gazetarja: Nuk e nxirrni ju pa dalë një vendim gjykate, që kjo zonja, duhet të dali.

Punonjësi: Klasifikohet vepra, referohet në prokurori. Se çfarë neni i vë prokurori, kjo është e punë e tyre.

Gazetarja: Po, punonjësit e policisë, nuk kanë më të drejtë të shkojnë atje.

Punonjësi: Punonjësi i policisë nuk ka detyrë  të hapë, të mbylli brava, as të nxjerri njerëz.

Gazetarja: Ok, faleminderit!/ tvklan

Lajmet e fundit nga