web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse disa njerëz bëhen pjesë të sekteve dhe kulteve të rrezikshme?

28 Gusht 2022, 21:00, Blog Cari Shane

Pse disa njerëz bëhen pjesë të sekteve dhe kulteve të

Pasi u transferua në dhomën e konviktit të vajzës së tij në shkollën “Sarah Lawrence College” në vitin 2010, Lorenc V.Rej e kaloi dekadën e ardhshme duke e izoluar, duke i shpërlarë trurin, dhe duke kontrolluar jetën e miqve dhe shokëve të klasës së vajzës së tij.

I akuzuar për krijimin e një kulti në shkollën periferike të Nju Jorkut, Rej u shpall në fillim të këtij viti fajtor për 15 akuza, përfshirë zhvatjen, trafikimin seksual, shantazhin dhe punën e detyruar. Vendimi për dënimin e tij do të shpallet muajin e ardhshëm.

I quajtur “Sarah Lawrence Cult Trial”, sipas Zyrës së Prokurorit të SHBA-së për Distriktin Jugor në Nju Jork, çështja është përqendruar rreth Lorenc Rej, që manipulonte dhe abuzonte me viktimat e tij. Taktikat e tij përfshinin privimin nga gjumi, poshtërimin psikologjik dhe seksual, abuzimin verbal, kërcënimet me dhunë fizike dhe largimin e viktimave nga familjet e tyre.

Po ashtu prokurorët e çështjes theksuan se si Rej shfrytëzonte problemet e shëndetit mendor të viktimave. Ishte në fillim një artikull investigativ me titull “Fëmijët e vjedhur të Sarah Lawrence”, botuar në revistën “NewYork Magazine” në vitin 2019, ai që çoi në fillimin e hetimeve.

Pavarësisht shpalljes fajtor nga gjykata, disa nga ndjekësit e tij mbetën të përkushtuar ndaj kreut të kultit. Si shpjegohet kjo gjë? Ekspertët që studiojnë kultet sugjerojnë se nevoja njerëzore për rehati i shtyn njerëzit të kërkojnë njerëz të tjerë apo gjëra për të reduktuar frikën dhe ankthet e tyre.

Hulumtimet sugjerojnë se ky element por dhe të tjerë, kanë bërë që qindra mijëra njerëz të angazhohen në mijëra kulte dhe sekte që veprojnë në mbarë botën.

“Këto grupime kulte ofrojnë kuptim dhe qëllim në këtë jetë si dhe ndjenjën e përkatësi”- thotë Xhosh Hart,  profesor i psikologjisë në Kolegjin Union, që studion psikologjinë e personalitetit dhe sociale, pikëpamjet e botës dhe sistemet e besimit.

“Ata ofrojnë një vizion të qartë, të sigurt dhe pohojnë vazhdimisht epërsinë e grupit”- shton ai.

Sa i përket vetë udhëheqësve, ata e paraqesin zakonisht veten si të pagabueshëm, të sigurt dhe madhështorë. Karizma e tyre i tërheq njerëzit, thotë Hart. Dhe ndjekësit që dëshirojnë paqen, përkatësinë dhe sigurinë, mund të fitojnë një ndjenjë të këtyre gjërave si dhe besimin përmes pjesëmarrjes në këtë grup.

Përmbajtja apo ideologjia që qëndron në thelbin e një kulti mund të jetë fetare, por mund të shkojë përtej saj. Në një fjalim në platformën TED-Ed mbi kultet, Janja Laliç, eksperte mbi këtë çështje dhe profesoreshë e sociologjisë në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë, thotë se disa kulte janë politike, ndërsa të tjerët bazohen tek terapitë, dhe disa fokusohen në vetë-përmirësimin.

Në përgjithësi, ajo sheh disa elementë kyç që e përcaktojnë një kult.

“Një kult është një grupim apo lëvizje me një angazhim të përbashkët ndaj një ideologjie zakonisht ekstreme, e cila mishërohet zakonisht tek një udhëheqës karizmatik”- thotë Laliç.

Ju mund të keni dëgjuar për emrat e tre kulteve të njohura amerikane apo udhëheqësit e tyre. Kështu kulti “Tempulli i Popujve” u themelua nga Xhim Xhons në Indiana në vitin 1955. Fillesat i pati si një organizatë progresive që mbronte të drejtat civile. Xhons donte të krijonte një komunitet utopik ku të gjithë të ishin të barabartë.

Në mesin e viteve 70, ai e zhvendosi sektin në Guajana. Deri në vitin 1978, popullsia e “Jonestown” ishte rritur me gati 1.000 njerëz. Atë vit, Xhons i urdhëroi ndjekësit e tij të pinin një pije të mbushur me cianid. 909 njerëz vdiqën po atë ditë, përfshirë fëmijë.

Ndërkohë një njeri me emrin David Koresh, që besonte se ishte Mesia, themeloi “Degën e Davidianëve” në vitet 1955-1993. Koresh besonte se të gjitha gratë, përfshirë vajzat, ishin “gratë e tij shpirtërore”. Grupi i tij besonte se fundi i botës ishte i afërt, dhe nga frika e mbërritjes së tij, u mbyllën në një kompleks të madh në Uako, Teksas.

Në vitin 1993, pasi morën informacione se Koresh po grumbullonte armë, Departamenti i Alkoolit, Armëve të Zjarrit dhe Duhanit shkoi të bastisë kompleksin. Por përplasja e ashpër midis FBI-së dhe “Degës së Davidianëve” përfundoi 51 ditë më vonë, duke shkaktuar më shumë se 80 të vdekur.

“Fëmijët e Zotit”, është një tjetër sekt i themeluar në vitin 1968 dhe që ekziston ende sot. Ai vepron në 80 vende. Aktorët e njohur Hoakin Feniks dhe Rouz Mekgouan kanë lindur brenda këtij kulti, por kanë shpëtuar dhe kanë folur kundër tij.

Procesi i indoktrinimit mund të jetë çelësi i suksesit të një kulti, dhe të lërë një përshtypje të fuqishme tek viktimat e tij. Ndërsa çdo kult mund të jetë i ndryshëm, ekspertët thonë se metodat për të tërhequr anëtarët dhe për t’i mbajtur atje, i ngjajnë një manuali parimesh psikologjike.

Një element i përbashkët është disonanca konjitive. Teoria e prezantuar për herë të parë në fundin e viteve 1950, sugjeron që kur njerëzit përballen me fakte të cilat bien ndesh me besimet, vlerat dhe idetë e tyre, ata do të ndjejnë një siklet psikologjik, që me gjasë do të pasohet nga nevoja për të zgjidhur atë kontradiktë dhe për të reduktuar shqetësimin e tyre.

Në një mjedis si ai i një kulti, disonanca konjitive i mban shpesh bllokuar njerëzit “pasi çdo kompromis e bën më të dhimbshme të pranosh se je mashtruar” thotë Laliç. “Lideri i kultit përdor praktika të ligjshme dhe jo të ligjshme të ndikimit dhe kontrollit për t'i mbajtur anëtarët të bindur, duke qenë shumë pak tolerant ndaj mosmarrëveshjeve të brendshme apo vëzhgimit nga persona të jashtëm”- shton ajo.

Faktori i bindjes është një tjetër element kyç. Ai luan me prirjen natyrale të njeriut për të ndjekur urdhrat, dhe për të bërë atë që bëjnë të tjerët rreth tyre. Në mjediset e kultit, të menduarit kritik shpeshherë kundërshtohet, ndërsa shpërblehet besimi absolut. Ndjenjat e fajit, turpit, por edhe frikës përdoren vazhdimisht për të gërryer dalëngadalë identitetin e një individi.

Ekspertët theksojnë se liderët e kulteve, kanë tipare narcisiste dhe autoritare dhe janë të motivuar nga paratë, seksi ose pushteti (ndoshta që të treja). Ndërsa shumë fe filluan si kulte, Laliç shpjegon se disa u integruan në strukturën e shoqërisë më të madhe teksa po zgjeroheshin.

Përveç kësaj, ndërsa fetë mund të ofrojnë udhëzime dhe mbështetje që anëtarët të kenë një jetë më të mirë, një kult i ndan anëtarët e tij nga të tjerët dhe kërkon të kontrollojë drejtpërdrejt asetet financiare dhe rregullimet e jetesës. Rekrutimi mund të zgjasë me muaj dhe mund t'i ngjajë një skeme piramidale.

Kjo do të thotë, që zgjerimi i një kulti mbështetet tek puna e anëtarëve ekzistues për të rekrutuar anëtarë të rinj. Kjo mund të përfshijë zgjerimin e miqësisë dhe lidhjes me një individ që është i ri në një zonë, i vetmuar, që vuan vdekjen e një njeriut të dashur apo që kërkon t`i gjejë një kuptim jetës./ “Discover Magazine” - Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga