web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Olaf Sholc: Përpjekje për të thyer kodin e kancelarit enigmatik të Gjermanisë

13 Dhjetor 2022, 08:40, Blog CNA

Olaf Sholc: Përpjekje për të thyer kodin e kancelarit enigmatik

Kur i thashë bashkëshortes sime se po planifikoja të shkruaja një artikull mbi vitin e parë të Sholc në krye të Gjermani, ajo tha: “Kush është ky?”. Të them të drejtën, ajo më keqkuptoi, pasi gjatë 12 muajve të fundit, kancelari gjerman është përmendur kryesisht me emrin e tij të parë, Olaf.

E megjithatë, ajo mbetet një pyetje e arsyeshme. Kush është në fakt Olaf Sholc? Apo ndoshta duhet të pyesim: Sa versione të Olaf Sholc ekzistojnë? Një vit pas marrjes së detyrës nga Angela Merkel, ne ende nuk e dimë këtë. Kancelarët nga Partia Socialdemokrate (SPD) e Gjermanisë kanë qenë gjithmonë të lehtë për t’u përshkruar.

Në fillim ishte Vili Brand - ai vuante nga depresioni dhe që kishte një jetë private shumë intriguese. Stili i tij tejet empatik i të folurit në publik, është ende standardi i artë për cilindo që dëshiron të ecë përpara në partinë e qendrës së majtë. Pastaj erdhi Helmut Shmid. Ai pati  reputacionin e tij për trajtimin e çdo krize, pinte shumë duhan dhe në fund fitoi mbështetjen e gjerë të publikut.

Së fundmi ishte Gerhard Shrëder, i zgjedhur me premtimin për garantimin e një rritjeje, e cila shumë shpejt u zvogëlua. Ai vishte kostume të markës “Brioni”, pinte puro, kishte më shumë gra nga sa mund të numëroni më gishtat e dorës, dhe u kritikua shumë për nxitjen e rritjes ekonomike me çdo kusht, madje edhe pasi u largua nga detyra.

Por si ta përmbledhim Olaf Sholcin në disa fjali? Është e pamundur. Nga njëra anë, ai duket aq i papërshkrueshëm sa do të mjaftonte një fjali e vetme (ai është nga Osnabryku, dhe jo nga Hamburgu, siç mendojnë shumë njerëz”). Nga ana tjetër është aq i ndryshueshëm në çdo aspekt - nga stili i tij i komunikimit, bindjeve politike dhe qasjen e tij ndaj lidershipit - sa që është e vështirë ta dish se nga t`ia fillosh analizën.

Olaf Sholc: Përpjekje për të thyer kodin e kancelarit enigmatik

Ndoshta duhet t’ia nisim nga një foto e Sholc në samitin e G20-ës, i rrethuar nga udhëheqës të tjerë kombëtarë. Sholc është i pozicionuar në cep. Megjithatë, në pamje të parë duket sikur ai është në fokusin kryesor. Sytë e të gjithëve janë thuajse tek ai. Edhe ata që nuk e shohin, shohin të tjerët duke e parë atë.

Ai qëndron me krahët e mbledhura dhe kokën e ulur poshtë. Kohë të vështira. Kancelari gjerman duket i zhytur në mendime. Të gjithë presin që ai të flasë. A do të lëshojë ndonjë deklaratë bombastike që do të tronditë samitin? Jo. Fotografia është një mashtrim i perspektivës.

Nga të gjitha pikat e tjera të favorshme, ne mund të shohim se të gjithë janë të përqendruar tek Bajden, Trudo ose Sunak. Ka edhe foto të tjera të kancelarit në një pozicionim më të mirë: Sholc duke bërë një telefonatë të rëndësishme në bordin e një avioni, i veshur me një këmishë dhe një kravatë, me një filxhan kafeje të filtruar mbi tavolinë.

Duket si një imazh nga seriali i famshëm amerikan “The West Wing”. Ose Olaf Sholc i veshur sportiv, me xhinse dhe një bluzë. Këto janë përpjekjet të stafit të tij për të ndryshuar disi imazhin e një burokrati të mërzitshëm, imazh të cilin e ka fituar që nga koha kur ishte Ministër i Financave, si krahu i djathtë i Merkel.

Stili i tij i të folurit publik është zakonisht tepër monoton. Ai i bashkon fjalët së bashku pa asnjë lloj theksi. Ato kanë gjithmonë një lloj kuptimi, por arrin rrallëherë në një përfundim të sigurt. Kur ai pretendoi se ata që kërkonin një udhëheqje të fortë prej tij do ta merrnin atë, përgjigja ishte e dyshimtë.

Sepse në fillim të vjeshtës, gati 9 muaj pasi u bë kancelar, ai ndërmori çdo lloj veprimi, që të paktën për një vëzhgues të jashtëm synonte të befasonte partnerët e tij të koalicionit. Ai shpalli vendimin e tij për të ndaluar mbylljen e gjithë termocentraleve bërthamorë, duke i dhënë papritur fund mosmarrëveshjes midis të Gjelbërve dhe partisë liberale FDP.

Por edhe kjo lëvizje ishte sa për konsum publik. Nuk ishte në fakt një tregim i muskujve  politikë, por një vendim, bazat e të cilit ishin hedhur me kujdes gjatë negociatave të zhvilluara në fshehtësi. Por të qenit kancelar ka të bëjë me balancimin e kërkesave të ndryshme, veçanërisht për Sholcin që në njërën anë duhet të kënaqë të Gjelbërit, dhe në anën tjetër liberalët.

Deri më tani, kjo ka qenë loja e tij më e mirë. Por edhe vendimi i tij i shpejtë, i qartë për të prerë “kordonin e kërthizës” midis Gjermanisë dhe Nënë Rusisë, gazsjellësin “Nord Stream 2”, një projekt i mbështetur shumë nga Merkel. Por këto vendime nuk e fshehin dot faktin që Sholc është qëllimisht i mjegullt në qëndrimet e tij.

Ai nisi të flasë shumë vonë kundër Rusisë - një vend, të cilin partia e tij e ka trajtuar gjithmonë me përkëdheli - dhe filloi të fliste për “ndryshime epokale” vetëm kur Putini tregoi natyrën e tij të vërtetë dhe pushtoi Ukrainën. Edhe atëherë, fjalët e tij nuk u pasuan nga veprime të shpejta për furnizimin e Kievit me armët që i nevojiteshin aq shumë.

Pse? Kjo nuk është ende e qartë. Kur Putin zhvilloi një takim me të në tryezën e tij të gjatë në Kremlin, a e kërcënoi ai me sulme bërthamore? A besonte ende Scholz se kishte mbetur një fare mirësie tek Putin, kur ai sapo kishte njomur me gjak tokën ukrainase?

Ne nuk e dimë këtë. Sholc i mban zakonisht dokumentet afër gjoksit. A është ky një veprim politik mendjemprehtë për një kancelar, apo një shenjë se ai nuk e di se cilin drejtim të ndjekë? Ai shfaqet shpeshherë si arrogant. Për shembull, kur iu përgjigj një pyetjeje shumë të arsyeshme nga një kolege polake duke thënë se mund t’i përgjigjej asaj, por më pas thjesht nuk e bëri. Në momente të tilla, buzëqeshja e tij mund të shndërrohet në buzëqeshjen e një njeriut të vetëkënaqur.

Ndërsa në kohë më të mira mund të përshkruhet në mënyrë më dashamirëse si babaxhan. Mesazhi që u dërgon të tjerëve është: Mos u shqetësoni, e kam gjithçka nën kontroll. Por demokracia kërkon transparencë, dhe jo negociata të fshehta. A e di Olaf Sholc këtë?

Në fakt: çfarë di Sholc? Çfarë kujton ai? Mandati i tij si kryebashkiak i Hamburgut dhe përfshirja e tij në skandalin financiar të bankës Varburg, nderen që të dyja mbi kancelarinë e Sholc si Shpata e Damokleut. Pasojat ligjore të veprimeve të tij janë një konsideratë, por është gjithashtu shqetësuese që kancelari këmbëngul se nuk mund të mbajë mend detaje kaq të rëndësishme.

Nga afër, ju shihni një Sholc ndryshe. Edhe ata që i pranojnë ato që thotë, duhet të pajtohen më pas me idenë e një kancelari, që qartazi e ka të vështirë të analizojë “hard diskun” e tij të brendshëm. Buzëqeshja e Sholcit përshkruhet shpesh si e përbindëshit Goblin tek “Zoti i Unazave”, por ai ngjan më shumë si një magjistar, misterioz, enigmatik dhe i padepërtueshëm.

Për publikun, kjo e bën atë të duket një personazh çuditërisht i përmbajtur. Sholc nuk është ndryshe nga paraardhësja e tij, Merkel, edhe pse i mungon besueshmëria e saj. Por nga afër sheh një Sholc ndryshe. Kur nuk ka një mikrofon parapara dhe as kamera, ai është një folës i mirë, i qartë, empatik dhe i zgjuar.

Një paralele tjetër me Merkelin. Në një vit të karakterizuar nga lufta, kriza dhe trashëgimia e pandemisë, koalicionit qeveritar i është dashur në mënyrë të pashmangshme të braktisë disa nga politikat që kishte planifikuar. Por çfarë ka arritur ai? SPD ka rritur pagën minimale, e cila ishte një nga premtimet qendrore të Sholc.

Plani i socialdemokratëve për ta riformuar sistemin e mirëqenies sociale, dhe për të vendosur të ardhurat bazë universale, gjë që do të thotë se askush nuk duhet të punojë nëse nuk dëshiron, u bllokua nga opozita, dhe pse kancelari nuk duket shumë i shqetësuar për këtë.

Sholc është mbi të gjitha shumë pragmatist. Siç u shpreh dikur Helmut Shmid, kancelari më popullor i të gjitha kohërave “Njerëzit që kanë vizione duhet të shkojnë tek mjeku”. Por mjeku i kancelarit mund të jetë i qetë në këtë drejtim, pasi ai nuk pritet të përjetojë ndonjë vizion së shpejti.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga