LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Edhe një luftë e kufizuar bërthamore do të shkaktonte uri masive në mbarë botën

21 Nëntor 2022, 08:57, Blog CNA

Edhe një luftë e kufizuar bërthamore do të shkaktonte uri

Skenari më i keq i klimës së këtij shekulli nuk është ngrohja globale me 4 apo 5 gradë Celsius. Është një dimër bërthamor që do të shkaktonte ftohje globale me deri 12 ose 13 gradë Celcius. Ai do të ndodhte brenda disa javësh nga fillimi i një lufte bërthamore, kur tymi nga qytetet e djegura të mbulonte Diellin.

Rezultati do të ishte një uri masive, pasi zinxhiri ushqimor i oqeanit do të prishej dhe të korrat globale do të shkatërroheshin. Në shumicën e skenarëve, uria do të përhapej në pjesën më të madhe të globit dhe do të vriste qindra miliona njerëz, thotë Alan Robok, klimatolog në Universitetin Ratxhers, bashkautor i dy studimeve të reja mbi kolapsin e bujqësisë dhe shkatërrimin e faunës në oqeane.

Sesa e keqe do të ishte situata, kjo do të varet nga madhësia e luftës bërthamore. Por edhe një luftë bërthamore “më e vogël” - për shembull midis Indisë dhe Pakistanit - do të shkaktonte një ftohje globale që do të mjaftonte për të vrarë qindra miliona njerëz.

Ndërkohë nëse ndodh një luftë bërthamore që përfshin Rusinë dhe SHBA-në, të cilat kanë armë më të fuqishme dhe rezerva më të mëdha, numri i të vdekurve ka të ngjarë të kalojë gjysmën e popullsisë së botës. Robok thotë se çdo vend që dëshiron të nisë një sulm të parë, është i gatshëm të jetë një vrasës në masë , dhe kushdo që dëshiron të nisë një sulm hakmarrës e pranon të jetë një kamikaz.

Ai është në mesin e një numri ekspertësh që mendojnë se një qëndrim agresiv në kundërpërgjigje të kërcënimeve bërthamore të presidentit rus Vladimir Putin nuk është një pengesë, por vetëm sa e vendos botën në një rrezik akoma edhe më të madh.

Daniel Elsberg, sinjalizuesi i famshëm që vodhi qindra faqe sekretesh bërthamore së bashku me Dokumentet e Pentagonit, argumenton të njëjtën gjë në librin e tij të vitit 2017 “Makineria e Apokalipsit”. Ekspertët me të cilët bisedova thonë se modeli i parandalimit dhe i “shkatërrimit të garantuar reciprokisht”, bazohet në një tablo të vjetruar që nuk merr sa duhet parasysh rrezikun e një alarmi të rremë, që do të shkaktonte një sulm të parë, të pasuar nga përshkallëzimi, apo nga katastrofa klimatike që do të shkaktohej, dhe që do t’i merrte jetën miliarda njerëzve.

Teksa modelimi i përmirësuar i klimës, i ka mprehur njohuritë tona për ngrohjen globale, ai i jep mundësinë studiuesve të kuptojnë më mirë kostot katastrofike të një dimri bërthamor.

Të folurit për asgjësimin në përmasa të tilla, mund t’i bëjë njerëzit të ndihen të pafuqishëm.

Por nuk duhet të jetë kështu. Ndryshimet e politikave mund të zvogëlojnë në mënyrë drastike rrezikun e një apokalipsi bërthamor. Një grup masash duhet të synojë ngrohjen globale.

Kjo sepse ndryshimet klimatike të shkaktuara nga emetimet, mund të rrisin rrezikun e luftës bërthamore përmes rritjes së destabilitetit politik.

Edhe një luftë e kufizuar bërthamore do të shkaktonte uri

“I nxehti ekstrem, thatësirat e shumta, fatkeqësitë e tmerrshme dhe rritja e nivelit të deteve, po krijojnë një varg sfidash për shoqëritë në mbarë botën … duke ndikuar kështu në gjendjet sociale, ekonomike dhe politike të kombeve por edhe në marrëdhëniet midis kombeve”- shkroi Kristin Partmor, drejtuese e Këshillit për Rreziqet Strategjike, në një fjalim për samitin e klimës të vitit të kaluar të Kombeve të Bashkuara, COP26.

Një grup tjetër reformash duhet ta bëjë më pak kërcënuese politikën aktuale bërthamore. Një mënyrë për t’ia filluar do të ishte që më shumë vende, përfshirë SHBA-në, të miratonin një politikë “pa përdorimin i pari të armëve” - pra premtimi për të mos përdorur kurrë armë bërthamore, përveçse si hakmarrje ndaj një sulmi të tillë.

Muajin e kaluar, SHBA-ja dështoi ta miratonte një politikë të tillë në versionin e fundit të Rishikimit të Qasjes Bërthamore, një raport i lëshuar nga çdo president i ri që nga administrata e Bill Klintonit. Ajo duket jo vetëm e rrezikshme, por edhe imorale.

Putini dukej se po kërcënonte me përdorimin i pari të armëve bërthamore gjatë pushtimit të Ukrainës, një kërcënim që bota e konsideroi me të drejtë si të përbindshëm. Atëherë, pse SHBA do të rezervonte të drejtën për të nisur luftën bërthamore?

E pyeta për këtë çështje Frenk Von Hipel nga departamenti i shkencës dhe sigurisë globale në Universitetit e Prinstonit, dhe ai më tha se megjithëse presidenti Xho Bajden ka shprehur një preferencë për një politikë të mos-përdorimi i parë të këtyre armëve, ai po merr reagime nga Pentagoni dhe nga disa prej aleatëve tanë.

“Ata mendojnë që ne nuk duhet të heqim asnjë opsion nga tavolina”- thotë ai. Problemi është se Pentagoni dhe disa nga udhëheqësit tanë aleatë, mund të mos mendojnë mjaftueshëm për shkencën e ndryshimeve klimatike post-bërthamore. Sipas Von Hipel, Pentagoni e cilëson këtë të fundit jo si një kërcënim real.

Edhe një luftë e kufizuar bërthamore do të shkaktonte uri

Edhe në mungesë të një politike të tillë, SHBA duhet të heqë raketat e saj balistike ndërkontinentale nga gjendja e gatishmërisë. Aktualisht, nëse ka një paralajmërim për një sulm bërthamor rus, presidenti ka rreth 10 minuta kohë për të vendosur nëse do të kundërpërgjigjet apo jo, dhe në këtë mënyrë t’i japë fund botës siç e njohim deri sot.

Kjo e lë botën të pambrojtur ndaj një të ashtuquajture luftë bërthamore aksidentale. Një mënyrë absurde, por krejtësisht e besueshme për t’i dhënë fund qytetërimit nëpërmjet një sërë keqkuptimesh. Ne i jemi afruar edhe më parë këtij pragu, dhe rreziku rritet ndjeshëm kur tensionet ndërkombëtare janë të larta.

Është një gabim të barazosh një qëndrim agresiv me gatishmërinë për të përdorur armë bërthamore, thotë Pavel Podvig, studiues i pavarur në Gjenevë, që ka lindur në Rusi dhe ka studiuar çështjet e sigurisë bërthamore në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, Universitetin Stenford dhe Prinston.

Sipas tij, parimi i parandalimit ka të bëjë me tregimin e aftësisë për të vrarë më shumë njerëz sesa kundërshtari. Por nëse Perëndimi përpiqet ta pengojë Rusinë në këtë mënyrë, ai duhet të tregojë se pasojat e një katastrofe globale do të ishin më të këqija për Rusinë, por kjo nuk ka gjasa të jetë kështu.

“Unë nuk mendoj se ka ndonjë arsye të besohet se shkatërrimi i siguruar reciprokisht, e pengon përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia. Çdo përdorim do të konsiderohej pothuajse universalisht plotësisht i papranueshëm”- thotë ai.

Ai tha se nuk mendon se Putin do të përdorë të ashtuquajturat armë bërthamore taktike në Ukrainë, sepse ato ishin konceptuar për të sulmuar përqendrime të mëdha trupash, ndërsa lufta aktuale është e një lloji tjetër. Por ai shqetësohet se edhe vetëm duke folur për këtë, po normalizohet përdorimi i armëve bërthamore.

“Mesazhi duhet të jetë se nëse përdorni armë bërthamore, jeni në pragun e kryerjes së një krimi. Bota duhet të mbajë ende një qëndrim agresiv, por në një mënyrë tjetër në dënimin universal të përdorimit të armëve bërthamore”- thekson Podvig.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga