LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse kaq shumë kombe kanë frikë nga disa numra të caktuar?

6 Nëntor 2022, 22:10, Blog Barry Markovsky
Pse kaq shumë kombe kanë frikë nga disa numra të caktuar?
Foto ilustruese

A do t’iu dukej e çuditshme nëse unë do të refuzoja të udhëtoja të dielave që bien në ditën e 22-të të muajit? Po sikur të loboja tek shoqata e pronarëve të shtëpisë që apartamenti im të shmangte numrin 22, duke kaluar nga kati 21 në katin 23?

Është shumë e pazakontë të kesh frikë nga numri 22. Ndaj është logjike që ju të më cilësonin si një njeri pak të çuditshëm. Po sikur t’iu them se në vendin tim, SHBA, më shumë se 40 milionë njerëz ndajnë të njëjtin frikë që në fakt nuk ka asnjë bazë shkencore?

Shumë amerikanë e pranojnë se do të ishin në ankth nëse do të qëndronin në një kat të caktuar në hotelet e larta, dhe konkretisht në katin 13. Sipas kompanisë  së njohur të ashensorëve “Otis Elevator Co”, për çdo godinë me një kat që mban numrin “13”, 6 ndërtesa të tjera pretendojnë se nuk e kanë një të tillë, duke kaluar nga kati 12 në katin 14.

Shumë perëndimorë i ndryshojnë sjelljet e tyre të premten e datës 13. Sigurisht që në këtë datë ndodhin ndonjëherë gjëra të këqija. Por s’ka asnjë provë që kjo ndodhë në një mënyrë disproporcionale. Si një sociolog i specializuar në psikologjinë sociale dhe proceset në grup, unë nuk jam dhe aq i interesuar për frikën dhe obsesionet individuale. Ajo që më magjeps është fakti që miliona njerëz ndajnë të njëjtin keqkuptim në masën, dhe kur kjo ndikon mbi sjelljen e njerëzve në një shkallë të gjerë.

E tillë është fuqia e numrit 13. Burimi i fobisë së madhe ndaj numrit 13 - që njihet edhe si triskaidekafobia” - është i mjegullt  dhe spekulativ. Shpjegimi historik mund të jetë po aq i thjeshtë sa ballafaqimi i tij i rastësishëm me numrin 12 që cilësohet si fatsjellës.

Xho Nikëll merret me shqyrtimin e pretendimeve paranormale në “Committee for Skeptical Inquiry”, një organizatë jofitimprurëse që shqyrton shkencërisht pretendimet e diskutueshme dhe të jashtëzakonshme. Ai thekson se numri 12 shpesh përfaqëson “plotësinë” numrin e muajve në vit, numrin e Zotave në Olimp, shenjat e zodiakut dhe apostujt e Jezusit. Ndërkohë numri 13 bie në kontrast me këtë ndjenjë të mirësisë dhe përsosmërisë.

Ai mund të lidhet me disa miq të famshëm por të padëshirueshëm në darkë. Në mitologjinë norvegjeze, perëndia Loki ishte i 13-ti që mbërriti në një festë në Valhalla, ku mashtroi një pjesëmarrës tjetër për të vrarë perëndinë Baldur. Në Krishterim, Juda, apostulli që tradhtoi Jezusin, ishte i ftuari i 13-të në Darkën e Fundit.

Por e vërteta është se proceset socio-kulturore, mund ta lidhin fatin e keq me çdo numër. Kur kushtet janë të favorshme, një thashethem apo bestytni krijon realitetin e vet shoqëror, duke u përhapur si një legjendë urbane. Në Japoni, numri 9 cilësohet si ndjellës i fatit të keq, ndoshta sepse tingëllon njëlloj me fjalën japoneze “vuajtje”.

Në Itali, një numër i tillë është 17. Në Kinë, 4 tingëllon si fjala “vdekje” dhe shmanget vazhdimisht në jetën e përditshme, madje edhe më shumë  sesa numri 13 në kulturën perëndimore. Këtu përfshihet edhe gatishmëria për të paguar tarifa më të larta, vetëm për ta shmangur 4 në numrat e celularëve.

Ndërkohë ndërsa viti 666 konsiderohet fatsjellës në Kinë, shumë të krishterë në mbarë botën e lidhin atë me një bishë të keqe të përshkruar në librin biblik të Zbulesës. Madje për frikën ndaj numrit 666 ekziston edhe një term specifik:heksakosioiheksekontaheksafobia.

Sot në botë ekzistojnë shumë lloj fobish specifike, dhe njerëzit i ruajnë ato për një sërë arsyesh psikologjike. Ato mund të lindin nga përvoja të drejtpërdrejta negative, si për shembull nga frika e bletëve pas thumbimit nga njëra prej tyre. Faktorë të tjerë rreziku për zhvillimin e një fobie, përfshijnë të qenit shumë i ri, të pasurit e të afërmve me fobi të tilla, të pasurit e një personaliteti më të ndjeshëm, dhe të qenit i ekspozuar ndaj të tjerëve me fobi të këtij lloji.

Një pjesë e reputacionit të keq të numrit 13, mund të lidhet me ndjenjën e mungesës së njohurive apo të “ndjerit në mënyrë jonormale”, siç quhet në literaturën psikologjike. Në jetën e përditshme, 13 është më pak e zakonshme se 12. Nuk ka muaj të 13-të. Në vetvete, ndjenja e së panjohurës nuk do të shkaktojë një fobi.

Por studime psikologjike tregojnë se ne favorizojmë atë që është e njohur, dhe disfavorizojmë atë që nuk është e tillë. Dhe kjo e bën më të lehtë lidhjen e 13-ës me atributet negative. Ne mund t’i caktojmë këtij numri veti negative, për të njëjtën arsye që shumë besojnë tek “efektet e Hënës së plotë”.

Besimet se Hëna e plotë ndikon në shëndetin tonë mendor, shkallën e kriminalitetit në një qytet apo vend, aksidentet dhe fatkeqësitë e tjera njerëzore, janë hedhur poshtë nga shkenca. Prapëseprapë, kur njerëzit kërkojnë të konfirmojnë bindjet e tyre, ata janë të prirur të nxjerrin përfundime midis faktorëve që nuk kanë lidhje midis tyre.

Për shembull, pasja e një aksidenti me makinë gjatë Hënës së plotë, apo të premten e datës 13, e bën ngjarjen të duket edhe më e paharrueshme dhe më domethënëse. Dhe pasi çimentohen së brendshmi në trurin e njeriut, besime të tilla janë shumë të vështira për t'u lëkundur.

Për shkak se besimet supersticioze janë në thelb të rreme, ato kanë po aq të ngjarë të bëjnë po aq dëme sa edhe mirë. Për shembull, kini parasysh mashtrimet në aspektin e shëndetit. Unë do të doja të besoja që organizatat me ndikim - ndoshta edhe kompanitë e ashensorëve - do të bënin më mirë të  paralajmëronin publikun për rreziqet e legjitimit të këtyre bestytnive pa asnjë bazë reale./ “The Conversation” - Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga