web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Vrasja e 18-vjeçarit/ Flet nëna e të akuzuarës: Nuk është e vërtetë, është sajesë

29 Prill 2025, 14:18, Aktualitet CNA

Vrasja e 18-vjeçarit/ Flet nëna e të akuzuarës: Nuk

Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Kejsi Spahillarin, e akuzuar për vrasjen me dashje të të dashurit të saj, Antonio Karafili, një ngjarje e ndodhur në vitin 2017 në Voskopojë. Masa u caktua me kërkesë të Prokurorisë së Korçës, e cila pas hetimeve të reja ka dalë në përfundimin se 18-vjeçari nuk është vetëvrarë, siç u konkludua fillimisht, por është vrarë dhe më pas është inskenuar vetëvrasja.

Sipas dosjes hetimore, Kejsi Spahillari në bashkëpunim me një tjetër të ri, Rexhep Vathi, dyshohet se e kanë mbytur me çarçaf viktimën dhe më pas e kanë varur në një pemë, duke e paraqitur ngjarjen si vetëvrasje. Provat biologjike dhe indiciet e mbledhura nga Prokuroria implikojnë drejtpërdrejt dy të rinjtë në vrasje.

Motivi i dyshuar është një lidhje e fshehtë mes Spahillarit dhe Vathit, e cila kishte shkaktuar tensione mes tyre dhe viktimës. Pas ngjarjes, Kejsi Spahillari është larguar nga Shqipëria dhe është vendosur në Kanada, ku jeton prej vitesh dhe ka krijuar familje. Ndërkohë, Rexhep Vathi ka ndërruar jetë në rrethana të dyshimta në gusht të vitit 2024, ku dyshohet se ka kryer vetëvrasje.

Në një reagim për mediat, nëna e Kejsi Spahillarit ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje të vajzës së saj në ngjarje, duke e cilësuar gjithë procesin një sajesë dhe duke kërkuar drejtësi. Ajo pretendon se Kejsi nuk kishte asnjë arsye për të kryer një akt të tillë dhe se hetimet janë mbështetur në fjalë dhe aludime, jo në prova konkrete.

"Asnjë gjë nuk është e vërtetë, çdo gjë është një sajesë. Çdo gjë është e stisur, nga fillimi. Ka qenë komplet ndryshe historia që në fillim. Nuk e di çfarë të them, jam e shokuar. Po e dëgjoj për herë të parë. Këtë person e kam dëgjuar nga historia që ka dalë. Nuk ka mundësi që pa pasur ndonjë gjë konkrete të shpiket kjo histori. Si ka mundësi që në kaq vite policia nuk është në gjendje të zbulojë një krim… dhe të bazohen vetëm në fjalë, në sajesa. Kejsi kur e gjeti bashkë me të ëmën e ka prekur dhe e ka prerë çarçafin. Edhe unë e kam prekur me dorë çarçafin kur e kanë sjellë djalin në shtëpi. Nuk kishte arsye që Kejsi ta bënte këtë gjë. Çdo gjë shpifet dhe besohet, si ka mundësi që çdo fjalë e thënë pa asnjë bazë të merret e mirëqenë. Të bëhesh një person vrasës pa pasur asnjë provë… Kejsi nuk ka lidhje fare. Ishin në Korçë, kishin pasur një grindje, kishin shkuar në Voskopojë. Kishin dashur të zbisnin, ai nuk kishte dashur pas grindjes. Kejsi e kishte lënë aty, kishte marrë të ëmën dhe të vëllain duke i thënë se 'nuk do të zbresë''. Kanë shkuar dhe e kanë gjetur. E ëma tha që e ngritëm peshë. Nuk e kam idenë e kësaj… nuk e di çfarë kanë sajuar gjatë rrugës. Kërkoj vetëm drejtësi dhe të zbulohet kjo. Është mëkat të bësh vrasës një person që nuk është."

Prokuroria e Korçës pritet të lëshojë urdhër-arresti ndërkombëtar për Spahillarin, për të cilën rëndon akuza “vrasje me dashje në bashkëpunim”. Ngjarja mbetet ende nën hetim, ndërsa autoritetet pritet të intensifikojnë përpjekjet për ekstradimin e të dyshuarës nga Kanadaja./ CNA





Lajmet e fundit nga