web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vjedhje e majme në filial/ Shkarkohet drejtoresha e Postës Shqiptare në Durrës

14 Korrik 2026, 14:17, Aktualitet CNA

Vjedhje e majme në filial/ Shkarkohet drejtoresha e Postës Shqiptare

Këtë të martë është shkarkuar nga detyra drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elizabeta Mataj.

Mësohet se shkarkimi ka ardhur pas një kontrolli të ushtruar në këtë filial, që ka rezultuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare.

Dyshohet se në fondin e postës mungon shuma prej 700 mijë eurosh.

Deklarata e plotë e Postës Shqiptare:

Posta Shqiptare sh.a. informon opinionin publik se, në kuadër të mekanizmave të saj të kontrollit të brendshëm dhe procedurave të monitorimit financiar, Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës.

Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.

Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.

Ky rast dëshmon funksionimin efektiv të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Postës Shqiptare, të cilët mundësuan evidentimin e parregullsive dhe referimin e menjëhershëm të tyre nga vetë institucioni pranë organeve kompetente.

Posta Shqiptare mbetet e vendosur në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës apo abuzimit me fondet e institucionit. Integriteti, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik mbeten prioritete të panegociueshme të institucionit./CNA





Lajmet e fundit nga