web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kundërshtimi që do të hapte precedent për drejtësinë

24 Korrik 2026, 16:18, Aktualitet CNA

Kundërshtimi që do të hapte precedent për

Nëse sot Gjykata Administrative do ta kishte legjitimuar Erion Veliajn për të kundërshtuar dekretin e emërimit të prokurorit Ols Dado të nxjerrë rreth 20 vite më parë, do të hapej një precedent me pasoja të paparashikueshme për gjithë sistemin e drejtësisë dhe administratën publike.

Që nga ai moment, çdo i pandehur do të kishte interes të padiste dekretin e emërimit të prokurorit apo gjyqtarit që po e heton ose gjykon, duke tentuar të rrëzonte jo vendimet e tij, por vetë statusin e tij. Proceset penale do të zvarriteshin pafund, ndërsa gjykatat administrative do të shndërroheshin në një arenë ku do të sulmoheshin emërime të bëra dekada më parë.

Logjika nuk do të ndalej te prokurorët dhe gjyqtarët. Çdo qytetar i pakënaqur nga një vendim administrativ do të mund të kërkonte anulimin e emërimit të nëpunësit që e ka firmosur atë, me pretendimin se është emëruar në mënyrë të paligjshme. Në vend që të shqyrtohej ligjshmëria e aktit administrativ, gjykatat do të detyroheshin të rikthenin në diskutim emërimet e funksionarëve, edhe pas shumë vitesh.

Një precedent i tillë do të rrëzonte parimin e sigurisë juridike dhe stabilitetit institucional. Asnjë akt shtetëror nuk do të ishte më përfundimtar, sepse çdo emërim do të mbetej i ekspozuar ndaj sulmeve të kujtdo që, vite apo dekada më vonë, do të prekej nga një vendim i atij funksionari.

Pikërisht për këtë arsye, gjyqtari Hazbi Balliu, me vendimin e sotëm, nuk mbrojti një prokuror si individ. Ai mbrojti shtetin, rendin juridik dhe sigurinë juridike.

Sa për atë Shoqatën dhe atë Tom Dedën, duket se kishin ardhur në gjykatë me shpresën se do të hynin në histori. Hynë… por si shembulli më i mirë i një palaçollëku profesional e njerëzor. Ndoshta herën tjetër, përpara se të kërkojnë të bëhen palë në një proces, do të ishte mirë të lexonin historikun e tyre dhe më pas kapitullin për legjitimimin aktiv.

Në fund, vendimi i sotëm nuk mbrojti një prokuror. Mbrojti shtetin. Këtë e kuptojnë ata që e shohin drejtësinë si institucion, jo ata që mendojnë se shteti funksionon sipas parimit “nuk më pëlqen vendimi, prandaj po rrëzoj emërimin e atij që e mori”.

Por mbetet dhe një pyetje që pas këtij procesi. Si ndodhi që në të njëjtën anë të sallës së gjyqit u rreshtuan Erion Veliaj, një shoqatë me anëtarë prokurorë të shkarkuar dhe avokatë të dënuar, apo individë të shkarkuar dhe të dënuar bashkë? Çfarë interesi të përbashkët i bashkoi në të njëjtën kauzë?

Mbase kjo është ironia më e madhe e këtij procesi. Një padi që pretendonte të mbronte “ligjshmërinë” arriti të bashkojë profile të diskretituar dhe me probleme të theksuara mendore.

Kjo ndoshta ishte dhe gjëja tjetër e mirë e këtij gjyqi. Ndonjëherë një proces gjyqësor tregon më shumë nga sa thuhet në sallë. Mjafton të shohësh se kush rreshtohet në të njëjtën anë./CNA 





Lajmet e fundit nga